Sopranoja e njohur nga Kosova, Elbenita Kajtazi, ka kohë që është dëshmuar në alamet skenash operistike. Dëshmia e radhës është roli i Nannettas në “Falstaff” të Guieppe Verdit. Debutoi në këtë rol në Operën Shtetërore të Hamburgut. Të jashtëzakonshme e ka vlerësuar ajo pritjen nga publiku në premierën e së dielës mbrëma.
Të tilla janë edhe kritikat për të. Në njërën prej tyre Kajtazi është krahasuar me yje të botës muzikore. Është vlerësuar se interpretimi i saj është diçka në mes të fitueses së disa çmimeve “Grammy”, sopranos së ndjerë spanjolle Montserrat Caballé dhe Anna Yuryevna Netrebkos, fituese e disa çmimeve, “Artistja e vitit” në vitin 2008 në “Classical Brit Awards” e këngëtarja me e mirë në vitin 2017 në “International Opera Awards”, shkruan sot Koha Ditore.
“Nuk paska ndjenjë më të bukur kur lexon që kritika të ka krahasuar me emra botërorë si Caballé e Netrebko”, ka thënë Kajtazi të martën, dy ditë pas premierës, kur tashmë shkrimet e kritikat që e veçojnë s’kanë të ndalur. Nannetta, një vajzë e re, e cila ndihet sikur është mbi re nga dashuria që ka për Fenton, është roli i saj.
Opera “Falstaff” është një rrëfim komik, të cilin Verdi e ka kompozuar gjatë viteve 1889-1890. Libreton e kësaj opere e ka shkruar Arrigo Boito, duke u bazuar në komedinë “The Merry Wives of Windsor”, shkruar nga William Shakespeare. John Falstaff, një kalorës i shëndoshë dhe i dështuar, ka mbetur krejtësisht pa para dhe vendos t’u dërgojë letra dashurie dy grave të martuara, Meg Page dhe Alice Ford.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)