“Sezoni im i Verdit”, e ka quajtur sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi gjysmën e vitit të kaluar dhe atë të parë të këtij viti. Dita e shtatë e 2026-s e ka gjetur si Violetta e “La Traviatas” në Operën Shtetërore të Hamburgut. “Ka qenë sukses shumë i madh. Më vjen mirë që kjo seri e ‘La Traviatas’ nisi me duartrokitje euforike dhe me gjithë publikun e ngritur në këmbë. Kjo është një përmbushje e jashtëzakonshme për mua”, është shprehur ajo në një bisedë për KOHËN, të enjten
Këngëtarët lirikë shqiptarë që kanë pushtuar skenën ndërkombëtare të operës numërohen në gishta. Sopranoja Elbenita Kajtazi është ndër ata që zëri u jehon nëpër shtëpi prestigjioze operistike, ngaqë në vendin e tyre nuk gjejnë dot kushte. Por, kthehen për të interpretuar skutave aty ku zemra u rrah fort.
Në Operën Shtetërore të Hamburgut, ku është artiste rezidente, veçse ka nisur të jehojë kënga e saj për këtë vit ku të mërkurën mbrëma ka pasur paraqitjen e parë si Violetta nga “La Traviata”, e cila ka “determinuar” edhe pagëzimin e sezonit për të, i mbështjellë edhe me role më të cilët do të debutojë.
“Sezoni im i Verdit”, e ka quajtur sopranoja e shquar në skenën ndërkombëtare të operës, Elbenita Kajtazi, gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe atë të parë të këtij viti. Nuk ka zbuluar shumë për pjesën tjetër të vitit, por në të parën, pa dyshim, zëri do të jehojë për partiturat e operës së Verdit.
Shfaqja e operës “La Traviata” në Staatsoper Hamburg mbaron dhe sa hapen perdet për t’u përshëndetur publiku shpërthen në ovacione për Kajtazin, e cila e jetëson kryepersonazhin e një prej kryeveprave të literaturës operistike.
Sopranoja ka thënë se ka qenë fillim i mbarë shfaqja e parë për këtë vit.
“Ka qenë sukses shumë i madh. Më vjen mirë që kjo seri e ‘La Traviatas’ nisi me duartrokitje euforike dhe me gjithë publikun e ngritur në këmbë. Kjo është një përmbushje e jashtëzakonshme për mua”, është shprehur ajo në një bisedë për KOHËN, të enjten.
Ka qenë kryesorja në kastën e këngëtarëve lirikë në produksionin bashkëkohor, nën regji të gjermanit Johannes Erath dhe me dirigjent italiano-izraelitin Carlo Goldstein.
“Kemi pasur tri javë prova. Kemi qenë të përgatitur shumë mirë, mjaftueshëm për të arritur ta sjellin një produksion që nuk është aspak i lehtë, pasi është produksion modern. E gjithë skena e Operës së Hamburgut është e hapur, pra nuk ka as perde anash, si rrjedhojë e produksionit modern. Prandaj edhe është sfidues, por ia kemi arritur ta sjellim mjaft mirë”, ka treguar ajo.
“La Traviata” e Operës së Hamburgut është produksion i vitit 2013, në të cilin tre-katër vjetët e fundit Elbenita Kajtazi kontribuon me një nga rolet më tragjike të operave. Ajo e konsideron si Violettan si një ndër rolet më sfiduese që ka interpretuar përgjatë karrierës së saj.
“Vetë ngjarja e ‘La Traviata’, kur e lexon edhe si libër, është shumë e ndjeshme, është një libër i mrekullueshëm dhe kur e interpreton rolin, që është një karakter shumë kompleks e që përfundon tragjikisht, është me të vërtetë të mbahen lotët gjatë interpretimit. Verdi e ka kompozuar aq bukur dhe çdo fjalë është aq mirë e lidhur me muzikën, me kompozimin dhe orkestrimin që e ka kjo vepër, ka momente që përputhen aq bukur me instrumente të cilat është e pamundur të mos të të rrëqethin”, është shprehur sopranoja Kajtazi.
Ka thënë se e ka të vështirë t’i fikë ndjenjat kur interpreton. Se emocionet e çdo roli pështjellohen me ato të sajat.
“Veçmas kur je interpretues, për mua që jam person i ndjeshëm dhe e kam shumë të vështirë t’i fik ndjenjat e vetëm të interpretoj. Unë gjithmonë i futem me zemër e me shpirt, veçmas Violetës ose të Mimisë, ose të Manos, që janë tragjike si karaktere. Muzikalisht është sfiduese, por duhet përgatitje e jashtëzakonshme, sikur e sportistëve. Unë shkoj katër herë në javë në fitnes për të qenë në formë, për të qenë në gjendje ta përballoj një maratonë të tillë, sepse Violeta që nga akti i parë kur futet në skenë e derisa të vdesë nuk largohet nga skena”, është shprehur sopranoja e skenave prestigjioze.
Pos shfaqjes së parë për këtë vit të mërkurën, si Violetta ajo do të performojë edhe më 11, 16 e 31 janar dhe 3, 17 e 21 shkurt. Po të njëjtin personazh e çon edhe në Berlin, në Deutsche Oper, duke u kthyer aty ku debutoi dy vjet më parë, me po të njëjtin. Që nga viti 2018, kur ka debutuar me të, e ka luajtur mbi 30 herë. Për Kajtazin, ky rol nuk perfeksionohet asnjëherë mjaftueshëm, sepse me rritjen profesionale, gjithmonë ka hapësirë për t’u përmirësuar. Se, siç thotë ajo, “me ndryshimin e njeriut, ndryshon edhe ‘La Traviata’”.
Violetta të cilën e jetëson Kajtazi në kohë moderne e shfaq atë në skena të ndryshme. Ajo fillimisht bën një festë luksoze për të festuar shërimin e saj nga një sëmundje. Shpejt shfaqet Alfredo Germont, një borgjez i ri nga një familje provinciale që prej kohësh e adhuron Violettën nga larg. Baroni Douphol është i dashuri aktual i Violettës. Protagonistja vazhdimisht ndien telashet me shëndetin e saj. Aty shpaloset rrëfimi i dashurisë së saj me Alfredon dhe braktisja e së kaluarës së saj. Zhvillimet e mëpasshme e çojnë Violettën drejt ndarjes me të. Gjendja e saj përkeqësohet dhe vdes në krahët e Alfredos.
Në funddhjetorin e 2023-s, kur sopranoja Elbenita Kajtazi po bëhej gati për t’u nisur në Kosovë, i erdhi befas ftesa për këtë rol në skenën prestigjioze të Deutsche Oper Berlin. Qe ëndrra e saj që iu realizua si dhuratë për fundvit. Aty do të interpretojë më 25 dhe më 28 shkurt.
“Në momentin e fundit pata shkuar, pata kënduar sepse këngëtarja tjetër ishte sëmurë. Deutsche Opera dhe kritika aty e pati cilësuar si ‘jump in’ legjendar, sepse ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm ajo mbrëmje që nuk do ta harroj kurrë. I kam pasur biletat e prera për të ardhur për Kosovë atë ditë dhe më është dashur të ndryshoja rrugëtimin, por ia ka vlejtur dhe tash mezi pres të kthehem me dy shfaqje”, ka kujtuar sopranoja Kajtazi.
E ka quajtur sezoni i saj i Verdit, sepse e ka hapur sezonin në tetor të kaluar me rolin e Alice nga opera “Falstaff” e Verdit. Shfaqjet i pati më datat 2, 4, 8 e 15 tetor. Në tetor u vesh me virtytet e Mimisë nga “La Boheme” në Semperoper Dresden. Në të parën ndau skenën bashkë me tenorin bashkëvendës, Granit Musliu.
“Me Granitin natyrisht që ka qenë krenari e madhe. Sidomos ndiej krenari që është nga Mitrovica. E kam shijuar çdo moment me të në skenë dhe uroj ta ndajmë skenën prapë së bashku në ndonjë rol tjetër”, është shprehur sopranoja Kajtazi.
Nga sezoni i kaluar e ka konsideruar sukses mbylljen e tij duke i realizuar të gjitha produksionet duke bartur më vete një shpirt tjetër përbrenda: të birin, Jonin.
“Për sezonin e kaluar e veçoj faktin që, përkundër që kam qenë shtatzënë, ia kam dalë t’i realizoj të gjitha produksionet që i kam pasur: Në Vjenë, në Zürich me Liun dhe Konteshën, në Hamburg e kam pasur Manon. Por e veçoj debutimin në Operën e Vjenës. Ajo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme dhe e kam pritur me padurim”, është shprehur Kajtazi.
Për këtë sezon, më 24, 28 e 30 maj si dhe 3 e 5 qershor do të debutojë si Luisa Miller nga opera “Luisa” e Verdit.
“...pastaj vazhdoj me debutimin e rolit të Luisa Miller, e cila është prapë një operë e kompozuar nga Verdi, një operë mjaft sfiduese, mjaft e bukur dhe me të cilën mezi pres të debutoj. E kam pasur në listë e në mendje për një kohë të gjatë. Këto janë tri produksionet e mëdha verdiane që do t’i realizoj këtë sezon, por gjithashtu kam edhe një seri të operës ‘Così fan tutte’ në Operën e Zürichut. Është e vetmja operë e Mozartit për mua këtë sezon”, ka thënë Kajtazi derisa ka treguar angazhimet e saj për këtë sezon.
Si Fiordiligi nga “Cosi fan tutte” e Mozartit, Elbenita Kajtazi do të paraqitet më 3,7,9 e 12 korrik.
Për sezonin e ardhshëm nuk ka dhënë detaje, por ka paralajmëruar se do të jetë jashtëzakonisht i larmishëm sa i përket repertorit.
“Këtë sezon kam provuar të mos jem shumë e angazhuar siç kam qenë në sezonet e tjera, për shkak të djalit. I kam zgjedhur vetëm disa produksione që më kanë interesuar shumë dhe kam qenë e gatshme t’i performoj si dhe jam shumë kurioze t’i punoj, siç është Luisa Miller, që do të jetë debutim i rolit. Kam pasur dëshirë të jem shumë më prezent në rritjen e Jonit, sidomos në vitin e parë të tij. Kurse sezoni i ardhshëm është i mrekullueshëm, i ngarkuar, por mezi e pres”, ka thënë sopranoja Kajtazi.
Angazhimet e këtij sezoni për të janë hapa shumë të mëdhenj. Çdo rol është emocion më vete për të. E kaplon para çdo paraqitjeje në skenë, sado të akomodohet në të. Por kur ajo si imazhi qendror i shumë veprave del para publikut, e shijon çdo moment në skenën madhështore si territor të cilin nuk e shijon dot në vendin e saj.