Sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi do të interpretojë për herë të parë në gjuhën shqipe në Operën Shtetërore të Hamburgut. Për koncertin, i cili do të mbahet të shtunën, Kajtazi ka zgjedhur veprën “Agimet shqiptare” të kompozitorit Avni Mula. 28 Nëntori, por edhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku tërmeti i së martës la mbi 40 të vdekur e më shumë se dy mijë të lënduar, kanë qenë arsyet që e kanë shtyrë sopranon që të këndojë në shqip.
Mbrëmja "Bühne frei” ka më shumë se 30 vjet që organizohet nga Opera Shtetërore e Hamburgut. Përmes kësaj mbrëmjeje mbështetet puna e Shoqatës Gjermane të Atrofisë së Muskujve dhe të gjitha të hollat e fituara nga koncerti i dërgohen Shoqatës, shkruan sot Koha Ditore.
“Edhe këtë sezon, Opera Shtetërore e Hamburgut po ia kushton një mbrëmje të veçantë kësaj kauze dhe për shkak të ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Shqipëri unë kam vendosur që të këndoj shqip dhe t’i nderoj të gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit, si dhe me zemër të thyer do të nderoj edhe të gjithë shpirtrat e humbur nga tërmeti i tmerrshëm, që la në gjysmë shumë ëndrra”, ka thënë Kajtazi.
Sipas Kajtazit, “Agimet shqiptare” është një këngë e mrekullueshme, e cila paraqet mrekullitë e vendit, ani pse, siç ka thënë ajo, tragjedia që ka ndodhur së fundi ka bërë që shumë pjesë të qytetit të Durrësit dhe fshatrave të tjera përreth të shkatërrohen.
“Besoj që është një këngë adekuate e që i përshtatet kësaj kauze. Pasi që gjatë këndimit të arieve do të ketë përkthim edhe në gjuhën gjermane, besoj që do të jetë e mrekullueshme të kuptohet çdo fjalë që kjo këngë përmban”, ka thënë Kajtazi.
Kjo është hera e parë që ajo do të interpretojë në gjuhën shqipe në Operën Shtetërore të Hamburgut, por jo edhe në shtetin gjerman.
Kajtazi në vitin 2014 kishte kënduar në shqip veprën “Baresha” të kompozitorit Rexho Mulliqi dhe “Ma fal atë buzëqeshje” të kompozitores Pranvera Badivuku, në Operën gjermane të Berlinit.
Ajo po ashtu ka treguar se për të ndihmuar familjet shqiptare, të cilat kanë pësuar nga tërmeti, më 8 dhjetor do të mbajë një koncert së bashku me pianisten Elda Laro, duke filluar nga ora 16:00 në Fakultetin e Muzikës dhe Teatrit në Hamburg.