Prishtinë, 19 shkurt – Në dokumentarin “Në mes” të Samir Karahodës, vëllezërit dhe bijtë që jetojnë jashtë ndërtojnë shtëpi identike për të shprehur barazinë dhe unitetin në familje. “A Call from Yesterday” nën regji të Leart Ramës përmes qasjes eksperimentale trajton gjeneratën e re të Kosovës që përndiqet nga e kaluara.
SHBA-ja e Meksika janë “stacionet” e dy rrëfimeve që prekin realitetin kosovar. Do të shfaqen në festivalin amerikan “The American Documentary and Animation Film Festival and Film Fund (AmDocs)” dhe në atë meksikan “International Documentary Film Festival of Mexico City (DOCSMX)”. Shfaqja e dokumentarëve të regjisorëve vendorë në këto dy festivale – prej të cilëve “AmDocs” është kualifikues për “Oscar” – vjen si rezultat i bashkëpunimit të kahershëm që ka me to Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. Konsiderohet si hulumtim i kinematografisë kosovare nga këto festivale dhe një mundësi e mirë për që kineastët e kësaj gjenerate ta dëshmojnë veten.
Edicioni i shtatë i “The American Documentary and Animation Film Festival (AmDocs)” në Palm Springs të Kalifornisë mbahet prej 27 deri më 31 mars. Është një nga Festivalet me të mëdha të filmit dokumentar dhe animacionit në SHBA. “A Call from Yesterday” do të ketë premierën amerikane, ndërsa “Në mes” do të shfaqet për herë të dytë në këtë kontinent, pas shfaqjes në tetor të vitit të kaluar në edicionin e 55-të të “Chicago International Film Festival”. Përveç këtyre dy filmave “DokuFesti” në këtë festival ka dërguar edhe katër filma të tjerë. Produksionin e Kroacisë “On the Water” me regji të Goran Deviqit, atë serb “Wongar” të regjisores Andrijana Stojkoviq, bashkëproduksionin e Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut, “Bigger than Life” nën regji të Adnan Softiqit dhe bashkë-produksionin serbo-gjerman “Centar” nën regji të Ivan Markoviqit.
Ndërkaq “International Documentary Film Festival of Mexico City (DOCSMX)” ende s’e ka bërë publike programin e sivjetshëm për edicionin e 14-të, por ka qenë drejtori artistik i "DokuFestit", Veton Nurkollari, ai i cili e ka konfirmuar se ato do të jenë pjesë e programit si rezultat i shkëmbimeve që kanë pasur ndër vite.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}