Kulturë

Dokumentari për Bajrush Mjakun shpalos në “DokuFest” rrugëtimin e një misioni fisnik

Pamjet e para të dokumentarit “101 roles 102 lifes, Bajrush Mjaku” janë nga interpretimet e ndryshme të Bajrush Mjakut që mbulohen me zërat pozitivë të kritikëve ndaj performacave të tij. Vlerësime vijnë në gjuhë të ndryshme, të tilla si: kur Bajrush Mjaku bërtet, i gjithë trupi i tij është duke bërtitur (në gjuhën angleze). Më pas i gjithë ekrani bëhet i zi dhe nis të dëgjohet zëri i protagonistit kryesor të dokumentarit të regjisorit Filip Herin.

“Tani po futem në perandorinë time. Në skenë”, thotë Mjaku. I dëgjohet vetëm zëri, sfondi është i zi dhe vetëm pak më vonë mund t’i vërehet pakëz fytyra e të shihet kostumi i tij i zi e këmisha e bardhë. Vetëm kaq të pranishmit mund të marrin nga kjo sekuencë për të dalë te pamjet e fshatit ku ai është lindur, Gjurgjedell në Komunën e Kaçanikut.

Aty ka jetuar deri në vitin 1961 kur i ati e pa të arsyeshme që të vendoset në Kaçanik në mënyrë që të vazhdonin shkollimin fëmijët e tij. Pasi përfundoi shkollën fillore, në vitin 1966 ai është regjistruar në Shkup në gjimnazin “Zef Lush Marku”. Dhe pas studimeve për aktrim në Prishtinë, dokumentari sjell një linjë kronologjike të krijimtarisë së tij. Ashtu siç ka thënë edhe vetë aktori në premierën e dokumentarit, ai ndahet në tri etapa.

“Ideja ishte që të flisja për jetën time private, kohën time 44-vjeçare në Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe segmenti i tretë për të cilin flasim në film është rruga zhvillimore e Teatrit Shqiptar të Shkupit”, ka thënë Mjaku. Të tria këto aspekte vijnë të zbërthyera nga vetë Mjaku, por edhe nga bashkëpunëtorë e njohës të punës së tij që janë bërë pjesë e dokumentarit 82-minutësh të Filip Herin.

Në filmin dokumentar, Bajrush Majku tregon se si merrej në pyetje sa herë që në vendet ku jetonin shqiptarët ndodhte ndonjë situatë që nuk i konvenonte regjimit jugosllav të atëhershëm, si për shembull për protestat e studentëve. Por shumicën e herëve pa ndonjë arsye të caktuar i kërkohej të raportonte. Madje, një herë ishte formuar edhe një këshill shoqëror që kishte pasur për detyrë të maste nacionalizmin e tij.

“Mirëpo u zgjati shumë, me vite të tëra, deri në shpartallimin e Partisë Komuniste”, ka thënë Mjaku në dokumentar, duke shtuar se kjo sikur i ka dhënë një shtytje, fuqi dhe pikërisht në atë kohë kishte nisur që të merrte rolet me më rendësi, çmime e pjesëmarrje nëpër festivale.

“Ishte kjo kohë kur vendosa që aktrimin ta shndërroja në mision”, ka thënë ai në dokumentar.

Regjisori Agim Sopi është mes atyre që në dokumentar flasin për Majkun të cilin e krahason me një vullkan. E regjisori Fadil Hysaj, ka thënë në dokumentar se në të ardhmen do të studiohet edhe mënyra se si ai aktron pasi që, sipas tij, ai është një aktor i cili beson në skenën si filozofi e ekzistencës.

Për dramaturgun Jeton Neziraj, Teatri i Maqedonisë Veriore është i lidhur ngushtë me emrin e Bajrush Mjakut, pasi ai ngelet një institucion në vete.

“Ai është një artist i cili u ka prirë të gjitha proceseve më të rëndësishme teatrore. Përveç talentit si aktor, nuk është mjaftuar. Shkupi ka qenë gjithmonë i vogël për përmasat e tij, prandaj ai vazhdimisht gjatë viteve të fundit ka qenë i përfshirë në projekte rajonale”, ka thënë Neziraj në dokumentar.

Duke iu referuar dy librave të shkruar nga Mjaku, ka shtuar se ai vjen edhe si shkrimtar shumë i mirë, e që librat e tij jo vetëm që tregojnë anën personale të tij, por edhe për skenën teatrore në Maqedoni dhe skenën teatrore të shqiptarëve në përgjithësi. Diçka që zë vend edhe në dokumentar.

Regjisori Filip Herin, i cili diplomoi në Akademinë e Arteve në Beograd, në departamentin për regji film dhe televizion në vitin 1999, ka thënë se nuk ishte e lehtë për të që ta bënte këtë dokumentar.

“Jo për shkak të aspektit regjisorial, por për shkak të Bajrush Mjakut. Isha student kur kisha dëgjuar për të. Kështu që kushdo që fliste për teatrin, përmendte edhe Bajrush Mjakun dhe rolet e tij, prandaj ky ishte një proces specifik”, ka thënë ai. Ka shtuar se ka dëshirë që kushdo që e sheh këtë projekt filmik, të kuptojë motivin e Mjakut për të qenë më i miri.

“Të shihnin talentin e tij dhe emocionet që ai i ka përçuar deri në këto ditë”, ka thënë ai, duke shtuar se Mjaku kishte edhe rolin e mësuesit në këtë film.

“Në këta tre vjet kam mësuar më shumë sesa do të mësoja në Akademi në lidhje me teatrin, aktrimin e që nuk i mëson në shkollë. Bajrushi është njeriu i cili që nga fillimi e dinte se çfarë donte dhe në këtë film, ai është sikur të jemi duke bërë një film artistik e që ishte shumë emocionuese për mua, pasi që e kam parë që jam duke punuar me një aktor e njeri shumë të mirë dhe është privilegj”, ka thënë ai.

Mjaku gjatë këtyre 44 vjetëve ka realizuar 101 role, prej të cilave 61 role në skenën e dramës apo Teatrit Shqiptar të Shkupit. Filmi përfundon përsëri me skenën ku Mjaku është i veshur me kostum të zi dhe këmishë të bardhë. Edhe këtë herë sfondi është i zi, por ai vërehet qartë.

“Teatri për aktorin është përditshmëria e tij. Puna në teatër është përditshmëria e tij. Skena është zemra e aktorit dhe përmes skenës aktori i mirëfilltë do të dëshmojë nacionalizmin dhe patriotizmin e tij dhe rolet e tija janë dashuria e tij më e madhe”, janë fjalët e fundit të Mjakut në dokumentarin “101 roles 102 lifes, Bajrush Mjaku”.