Kulturë

Dokumentarët e garës ndërkombëtare – pasqyrim inovativ i realitetit

Rrëfimet që shpalosen brenda garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë në “DokuFest” janë po aq intrigues sa edhe mënyra artistike që regjisorët kanë përzgjedhur për t’i vizualizuar ato.

Për publikun shqiptar kjo kategori bëhet edhe më tërheqëse pasi për herë të parë, një film i një regjisoreje kosovare u bë pjesë e garës. Në mesin e dhjetë filmave të kësaj kategorie është edhe filmi “Wake Up on Mars” nën regjit të Dea Gjinovcit. Te rrëfimi i saj nuk mungon as guximi, por as inovacioni. Historia e dokumentarit nis me një artikull që regjisorja e kishte lexuar në “New Yorker”.

Aty në mënyrë të detajuar flitet për jetën e një familjeje rome nga Kosova që jeton në Suedi, dy vajzat e së cilës kanë qenë në komë për disa vite. Ato vuajnë nga i ashtuquajturi “sindrom i tërheqjes traumatike”. Në mesin e dokumentarëve në këtë garë është edhe “Bulletproof” i regjisorit amerikan, Todd Chandler, dhe “The Viewing Booth” i regjisorit izraelit Ra’anan Alexandrowicz. Edicioni i 19-të i Festivalit është duke u mbajtur online për shkak të pandemisë.

Dea Gjinovci, regjisorja 27-vjeçare e lindur në Zvicër, njëlloj si regjisori amerikan, por edhe regjisori nga Izraeli, përmes projektit të saj filmik nxit pyetje dhe reflektim mbi një situatë të caktuar.

“Në aspektin psikologjik, sindromi i tërheqjes traumatike nxitet te fëmijët e traumatizuar nga një lloj ndjenje e pasigurisë dhe frikë se do të largohen nga Suedia. Mirëpo, çfarë nënkupton kjo në aspektin moral për ne si shoqëri? Ne i kemi shtyrë fëmijët drejt gjendjes së komës për shkak të normalizimit të politikave tona refuzuese ndaj imigrimit”, ka thënë Gjinovci. Por “Wake Upon Mars” shkon edhe përtej politikave të imigrimit. Për të procesi i azilit është aq jonjerëzor, saqë ka thënë se u ka larguar çdo shpresë fëmijëve të prindërve imigrantë.