Kur ka mbetur edhe një javë deri në hapjen e edicionit të 23-të, lajmet nga Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” nuk kanë të ndalur. Të premten, njeri prej tyre ka qenë ai për filmat me të cilët do të hapet e mbyllet. Pas ceremonisë solemne, të premten e 2 gushtit i pari do ta ndezë projektorin e “DokuFestit” do të jetë “Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb” i regjisorit ikonik, Stanley Kubrick. Është film që sivjet ka shënuar 60-vjetorin. Do të përmbyllet me “Rrugës” të Samir Karahodës, i cili s’ka të ndalur nëpër festivale pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Cannes, në majin e sivjetmë.
“Interpretimi komik i Stanley Kubrick mbi ankthin e Luftës së Ftohtë është një nga satirat më të ashpra të marrëzisë njerëzore që ka dalë ndonjëherë nga Hollywoodi”, ka shkruar “DokuFesti” në komunikatë për media të premten. “Rendi i ri” (New Order) është tema e edicionit të sivjetmë, e kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj kaosit në shumë forma. Edhe filmi i Kubrickut i përshtatet fuqishëm temës. Siç shkruhet në komunikatë, aktori i jashtëzakonshëm Peter Sellers luan tri role krejtësisht të ndryshme: Kapitenin e Forcave Ajrore Mbretërore, Lionel Mandrake, që përpiqet me çdo kusht të ndalojë një sulm bërthamor ndaj BRSS-së, të urdhëruar nga një gjeneral i krisur (Sterling Hayden), Presidentin amerikan të pafuqishëm dhe gjithmonë të hutuar, Merkin Muffley, që duhet t’i japë lajmin e keq kryeministrit sovjetik, dhe vetë Strangelovein, një këshilltar presidencial në karrocë dhe me një të kaluar naziste.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Duke gjetur humor në pothuajse çdo situatë të paimagjinueshme, Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb është një kryevepër subversive që zyrtarisht e shpalli Kubrickun si një stilist të paarritshëm dhe ironist të zymtë”, shkruhet në komunikatë.
I zymtë e i mjegullt është edhe imazhi i filmave të Karahodës, por e shkëlqyeshme është historia e rrugëtimit të veprave të tij.
“Të frymëzuar nga ngjarje të vërteta, një regjisor dhe djali i tij, Miron (13), bashkëpunojnë për një skenar që gërsheton përvojat e tyre personale dhe elementet autobiografike me shqetësime më të mëdha për vendin e tyre.
Teksa nisen për në aeroport për të marrë një dhuratë nga kumbari i djalit, ata ndeshen me pengesa burokratike që lënë të kuptohet për stagnimin e përparimit politik dhe shoqëror në atdheun e tyre. Ky udhëtim i shkurtër evoluon në një eksplorim të thellë të lidhjes së tyre në sfondin e sfidave shoqërore dhe pasigurisë që lind mbi të ardhmen e tyre”, shkruhet në shpjegimin e “DokuFestit”, i cili sivjet ka 103 filma për tetë programe garuese. Hiç më pak se 3 mijë e 325 ia kishin mësyrë njërit prej festivaleve më të mëdha të këtij lloji jo vetëm në rajon. Gjeografia e vendeve prej nga vijnë shtrihet në 119 vende nga e gjithë bota.