Kulturë

Djegia e monumenteve në seri, Ministria shpreson të mos përsëriten rastet

Pa kult tash e më shumë se një dekadë, e lënë pas dore kaherë, Kulla dyshekullore e Fetah Kurexhajt ka marrë goditjen e radhës, kur është përfshirë nga flakët. Institucioni që e futi nën mbrojtje është zotuar të martën se do të ndërhyjë

Kulla dyshekullore e Fetah Kurexhajt në Kurexh të Gjilanit është rasti i fundit në serinë e djegieve të monumenteve të mbrojtura me ligj. Dy javë më parë u shkrumbua Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Për djegien e fundit – që dyshohet të jetë e qëllimshme – Ministria e Kulturës ka reaguar tek të martën ani pse ka dërguar zyrtarë në terren. “Shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, e derisa MKRS-ja të shpresojë njohësit e trashëgimisë kërkojnë që ky institucion të ndërrojë qasje

Është e njëjta gjuhë e Ministrisë së Kulturës për rastet e djegies së monumenteve. I fundit është ai në monumentin e mbrojtur në Kurexh të Gjilanit, për të cilin institucionet shtetërore kanë reaguar tek të martën. Kulla dyshekullore e Fetah Kurexhajt u përfshi nga flakët të shtunën dhe dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Por një rast si ky bën pjesë në serinë e kohëve të fundit.

Dy javë më parë u shkrumbua Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Edhe për këtë, Ministria zotohet se do ta mbrojë e do të hartojë projekt ndërhyrës. Përderisa për njohësit e trashëgimisë kulturore qasja e shtetit duhet të ndërrojë, institucionet e trashëgimisë kulturore vazhdojnë me ritmin: inspektim nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, raportim i rastit dhe rekomandime nga Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Situatat përsëriten vazhdimisht.

“Tani MKRS është duke ndërmarrë hapat e mëtejmë, fillimisht për vendosjen e masave të sigurisë për të vazhduar më tej me hartimin e projektit. Ne do të sigurohemi që çdo objekt i trashëgimisë sonë të mbrohet e funksionalizohet”, shkruhet në përgjigjet e institucionit më të lartë kulturor në vend.

Sipas MKRS-së, në të njëjtën kohë po punohet me institucionet e rendit të Republikës së Kosovës dhe po koordinohen hapat që do të ndërmerren në mënyrë që shkatërruesit e trashëgimisë kulturore të identifikohen dhe të marrin dënimet e merituara.

“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore si pjesë e identitetit të shtetit tonë është përgjegjësi dhe obligim që na takon gjithsecilit, andaj angazhimi pa dyshim që duhet të jetë maksimal nga të gjithë. Shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten”, shkruhet në përgjigjet e kabinetit të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Në ditën kur ende nuk ishte shuar zjarri, autoritetet e trashëgimisë kulturore kishin konfirmuar se kohë më parë i kishin kërkuar Ministrisë së Kulturës që ta mbështesë projektin restaurues.

E, banorët e asaj zone kishin thënë se qysh prej vitit 2011, Kulla tashmë e djegur kishte mbetur pa çati.

Qasjen që ka Ministria e Kulturës edhe pasi ndodhin raste si këto, njohësit e trashëgimisë kulturore e konsiderojnë si të paefektshme.

Sali Shoshi, i cili udhëheq me fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, ka numëruar një varg hapash që do të duhet të merreshin bashkë me futjen e një vlere nën mbrojtjen e shtetit si aset të trashëgimisë kulturore.

“Duhen caktuar zonat e mbrojtjes, parcelat përreth ku nuk lejohet ndërtimi, pasi ato zona i përkushtohen një monumenti. Masë tjetër është monitorimi i rregullt, nëse ka prona me vlera të larta shkaku i investimeve të ndërtuesve, atëherë duhet monitorim i shpeshtë e deri te kamerat e sigurisë”, ka thënë ai.

Sipas Shoshit, shteti nuk ka arritur të ketë sistem të tillë të monitorimit dhe në anën tjetër gjykatat nuk janë efikase që dëmtuesit e trashëgimisë kulturore të marrin dënim të merituar. Sa u përket gjykatave, vazhdon ritmi i njëjtë. Sivjet në qershor me vetëm 700 euro gjobë ka “kushtuar” rrënimi i qëllimshëm i një prej monumenteve më reprezentative të regjionit të Pejës, Çardakut të Ahmetajve në fshatin Lebushë të Deçanit.

Me vlera të veçanta vlerësohej edhe Kulla në fshatin Kurexh të Gjilanit. Strukturat ishin ngritur nga guri dhe tullat e llaçit tradicional.

Kronikat për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore janë të shpeshta kohëve të fundit.

Në pasditen e 30 gushtit ndërtesa e Muzeut të Muzikës në Gjakovë kishte hyrë në kapitullin e fundit të shkatërrimit: qe kapluar nga zjarri. Historia e shkatërrimit të kësaj ndërtese nuk është e re. Por demolomi i saj pothuajse i tërësishëm është arritur nga zjarri masiv. Përderisa, sipas institucioneve komunale, eksponatet ishin larguar më herët dhe ndërtesa do të rindërtohej në vitin që vjen, anëtarë të Qeverisë kishin akuzuar Komunën për këtë rast. Sipas Policisë, edhe për këtë rast hetimet vazhdojnë. Ndërtesa e njohur si “Tabhane” ishte rindërtuar plotësisht më 2012 nga Ministria e Kulturës. E prej vitit 2016 qe shndërruar në Muze të Muzikës. Shumica e instrumenteve ishin larguar para se të kaplohej nga flaka, pasi monumenti në qendër të Gjakovës ishte vandalizuar vazhdimisht.

Po në gusht dy herë ishte tentuar të rrënohej një prej monumenteve më të rëndësishme të Mitrovicës. Rasti i “Shtëpisë së Familjes Koroglu” në Mitrovicë ka alarmuar institucionet e trashëgimisë kulturore dhe ato të sigurisë. Për tentim të rrënimit një person do të japë llogari ligjore, përderisa shteti ka nisur që të hartojë një projekt për ndërhyrje emergjente. Shtëpia qytetare e shekullit XIX gjendet në zonën e parë të qytetit të Mitrovicës. Autoritetet komunale dhe ato të trashëgimisë kulturore në muajin korrik kishin dyshuar për një tentim të rrënimit. Por në gusht e kanë vërtetuar atë. Madje një i dyshuar është liruar me procedurë të rregullt për këtë rast.

Demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.

Në mars të këtij viti, një ditë pasi kishte nisur restaurimi, Shkolla e Parë Shqipe në Ferizaj ishte kapluar nga zjarri. Kjo është bërë dhjetë ditë pasi zjarri që dyshohej se i ishte vënë qëllimshëm, e bëri shkrumb krejt kulmin e ndërtesës së viteve 1928-1930. Një grup punonjësish të kompanisë punëkryese kanë nisur restaurimin disa ditë më pas, dhe monumenti që njihet edhe si Shkolla e Parë Shqipe “Ismail Qemali” e Gjimnazi i Ulët Shqiptar është në prag të kthimit në identitet. Por pos zotimeve për restaurime të ndërtesave që shkatërrohen qëllimshëm, shteti nuk paraqet opsion që do të parandalonte aktet e shkatërrimit të monumenteve – të cilat prej vitit 2004 kur Kosova u bë pas luftës së fundit me Kod Penal – janë vepra penale.