Kulturë

“Ditët e librit” në Gjakovë për rikthim tradite e festë kuqezi

Çarshia e Madhe e Gjakovës, e veshur kuqezi, është gjallëruar edhe më prej së enjtes me “Ditët e librit”

Çarshia e Madhe e Gjakovës, e veshur kuqezi, është gjallëruar edhe më prej së enjtes me “Ditët e librit”

“Ditët e Nëntorit” në Gjakovë ka sjellë edhe “Ditët e librit”, si një ngjarje e cila synon ta rilidhë traditën e librit që tash s’ka një panair të tillë dhe si një festë me librin shqip për Ditën e Flamurit. Ngjyrave kuqezi që kanë dekoruar Çarshinë e Madhe u shtohen edhe ato të librave me të cilët katër shtëpi botuese po aq kafene i shndërrojnë për tri ditë në kafe-librari

Për tri ditë Gjakova synon të frymojë edhe me festën e librit.  Panairi me titull “Ditët e librit” në Çarshinë e Madhe po mbahet për herë të parë jo veç si test për organizimin, por edhe për lexuesin në qytetin që njihet për traditë në fushën e artit e të kulturës. Jo si panair tradicional, por i shpërndarë nëpër Çarshinë e Madhe të qytetit, në një dimension ndryshe nga ai çfarë shihet.

Pjesa e qytetit të vjetër është gjallëruar edhe më paraditen e së enjtes. Flamujve kuqezi me shqiponjën dykrenore u janë bashkuar edhe ata të fondacionit “Për Gjakovën”. Në kafenetë rresht, ata janë shënjues për lokacionet e ekspozitave të librit. Për tri ditë bëhen kafe-librari që janë trend modern i shprehur më shumë në kryeqytet.

Të tilla bëhen katër sosh falë po aq shtëpive botuese, nga gjashtë sa ishte paralajmëruar nga fondacioni se do të merrnin pjesë. “Koliqi” është tërhequr pasi ekipi ka arritur në hapësirën që u ishte caktuar për të ekspozuar librat. E, nga “Toena” kanë bërë me dije se qëkur u ishte bërë ftesa i kishin paralajmëruar organizatorët se s’do të merrnin pjesë.

Ndryshe nga panairet tradicionale, atë në Gjakovë, shtëpive botuese u është caktuar nga një kafene për të ndarë ofertën e tyre me lexuesit.

Jeta Gërqari, koordinatore e festivalit “Ditët e Nëntorit”, në kuadër të së cilës organizohet panairi “Ditët e librit”, ka thënë se kjo ngjarje vjen me një qasje tjetër.

“Është një koncept më ndryshe sesa jemi mësuar t’i shohim panairet e librave. Çdo lokal është shndërruar në shtëpi botuese nga Kosova dhe Shqipëria, qëllimisht kjo, duke qenë zonë që do të thotë shumë për kulturën dhe trashëgiminë tonë. Andaj kemi pritur shtëpitë botuese, të cilat janë të hapura për audiencën gjatë tri ditëve, nga sot deri më datën 29”, ka thënë Gërqari.

Edhe në këtë panair “Botimet KOHA” vjen me ofertë speciale për lexuesin

Ka thënë se në Gjakovë ka interesim të madh për librin duke u shprehur se menjëherë pasi pikat e panairit janë hapur është ngjallur interesimi i publikut.

Në kuadër të panairit “Ditët e librit” parashihen edhe takime me autorë, përderisa synon të shndërrohet në ngjarje të përvitshme.

“Në edicionin e verës me Ditët e Shqiptarit, ne filluam me Koloninë mbarëshqiptare të piktorëve dhe madje si risi. Këtë edicion filluam me panairin e librit. Këto dyja ne mendojmë t’i mbajmë si traditë dhe të zgjerohemi secilën herë. Kuptohet çdo edicion i parë është një lloj testi për ne, sikur edhe për çdo organizim, andaj synojmë të mbetet një traditë e mirë, e duhur dhe si diçka që e pasuron edhe kulturën dhe qytetin në përgjithësi”, ka thënë koordinatorja e “Ditëve të Nëntorit”, flautistja Jeta Gërqari.

Për tri ditë lexuesi në Gjakovë mund të eksplorojë në titujt e botimeve “KOHA” e shtëpive botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Efekos”.

Edhe në këtë panair “Botimet KOHA” vjen me ofertë speciale për lexuesin. Menaxheri i shitjeve në botimet “KOHA”, Fidan Imeri, ka thënë se zbritja për librin shkon deri në 70 për qind.

“Kemi përzgjedhur këtë ofertë deri në 70 për qind zbritje për një arsye, pasi për herë të parë po marrim pjesë në një organizim të tillë. Vendosëm t’ua ofrojmë qytetarëve të Gjakovës një superzbritje. Përndryshe shtëpia botuese ‘KOHA’ po merr pjesë me rreth 120 tituj të saj në këtë organizim”, ka thënë Imeri duke u shprehur se presin fluks lexuesish.

“Kjo pasi që qytetarët e Gjakovës janë të njohur për kulturë të leximit”, është shprehur ai.

Arba Bicurri, nga shtëpia botuese “Albas”, ka thënë se enkas në këtë panair kanë sjellë edhe tituj të rinj që nuk janë ekspozuar as në Panairin e Librit në Prishtinë e as në atë në Tiranë. E ka veçuar atë me titull “Kosova  - Udhëpërshkrim i shkurtër” të Arsim Canollit.

“Shtëpia botuese ‘Albas’ i ka sjellë të gjithë titujt e rinj që janë promovuar në Panairin e Librit në Tiranë. I gjejnë këtu për tri ditë. Prej tyre e kisha veçuar një libër që nuk ka dalë në Panairin e Tiranës, është ‘Kosova –  një guidë e shkurtër për Kosovën’, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Kemi patjetër zbritje për titujt e ‘Albas’ për shkak të Panairit dhe të festës së 28 Nëntorit”, ka thënë ajo.

Ka konsideruar se Panairi është iniciativë e duhur në Gjakovë pasi kjo qendër njihet për art e kulturë.

“Mendoj që ka lexues shumë të zjarrtë që kanë dëshirë të vijnë të shohin tituj të rinj e libra interesantë. Është mirë të zgjerohet rrjeti i panaireve në gjithë Kosovën, pse jo të mbahen edhe nëpër qytete të tjera, mirëpo për herë të parë jemi në Gjakovë”, ka thënë Bicurri.

Blerta Kadriu, nga shtëpia botuese “Dukagjini”, ka thënë se pa dallim hapësire, është e mirëpritur çdo nismë që bashkon lexuesit.

“Mendoj që është ide shumë e mirë. Për shtëpinë botuese ‘Dukagjini’, çdo iniciativë dhe organizim i tillë që synon të bashkojë lexuesit për ne është shumë e mirëpritur. Fakti që mbahet në një hapësirë të tillë, në kafene, më duket ide shumë e mirë për shkak që njerëzit përveçqë mund të shfletojnë botimet tona, mund të ulen menjëherë dhe të diskutojnë rreth tyre. Është një risi shumë e këndshme”, ka thënë ajo derisa ka folur për të ekspozuarit libra në kafene.

Gjakova kishte një panair libri mbi një dekadë më parë. Profesori i  Letërsisë Shqipe në Universitetin e Gjakovës, Blerim Valla, ka thënë se rikthimi i një Panairi të tillë është i domosdoshëm.

“Duke e ditur që qyteti ynë është i njohur si qytet i shumë autorëve të njohur, kthimi i tij këtu është shumë me peshë dhe me vlerë. Krejt kjo falë organizatorëve që po e mbajnë. Është i mirëseardhur edhe duke pasur parasysh se marrin pjesë shtëpi të njohura botuese”, ka thënë Valla.

Festivali “Ditët e Nëntorit” sivjet po organizon edicionin e dytë.

Midis ngjarjeve muzikore, panele diskutimi e të tjera, kryengjarja e sivjetme është vlerësuar koncerti i yllit botëror të operës, Ermonela Jaho, në hapje të “Ditëve të Nëntorit” më 15 nëntor.  Përcjellë nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, nën udhëheqjen e mjeshtrit spanjoll, Sergio Alapont, performanca e saj emocionuese ka qenë një lloj homazhi edhe për dy nënat simbol të vuajtjes pas luftës së fundit, Pashkë Krasniqi e Ferdonije Qerkezi.