Për herë të parë artistja Nurhan Qehaja ka shpalosur ditarët e saj para publikut. Këtë e ka bërë në atë që u titullua “Digital Exhibition & Talk: Nurhan Qehaja”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” në “Project Space”.
Përmes ekspozitës digjitale të enjten mbrëma, Qehaja përveçqë ka shpalosur faqe ditarësh personalë, herë pas here në projektor ka sjellë edhe sekuenca nga video-instalacionet e saj si “Red Tape”, “Flag” dhe “Stones”.
Ka qenë viti 2002, kur artistja nisi të mbante ditar. Deri tani, siç ka treguar artistja, ka rreth 15 sosh. Asnjëri nga ta nuk ka titull. Janë të mbushur me shkrime, fotografi të realizuara nga artistja, fotografi të familjes, aso të realizuara nga të tjerët e posterë të shkëputur nga revistat, shkruan sot Koha Ditore.
Por kjo nuk është e vetmja: aty gjenden edhe vizatime të artistes e ngjitës me ngjyra të ndryshme si bardhë, zi, kaltër, por edhe ngjitësi i kuq. Ky i fundit e ka shoqëruar artisten edhe më vonë gjatë punës së saj artistike.
Duke prezantuar imazhe të ditarit të saj të parë, Qehaja ka treguar se këto shënime kanë qenë një mënyrë që ajo të mbajë të dokumentuar zhvillimin e saj artistik.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)