Festës botërore për Ditën e Librit i është bashkuar edhe Kosova. Midis ngjarjeve të organizuara, një ndër pyetjet e ngritura ka qenë ajo se “Pse nuk po e kuptojmë atë që lexojmë?” Rezultatet në të gjitha fushat konsiderohen shqetësuese, veçmas ato në të kuptuarit e asaj çfarë lexohet. Problematikë është konsideruar edhe Inteligjenca Artificiale, për të cilën është thënë se cenon konfidencialitetin dhe ka aftësi edhe të shkelë të drejtat e autorit
“Pse nuk po e kuptojmë atë që lexojmë?”, ka qenë njëra prej pyetjeve të ngritura në ngjarjet e organizuara në shënim të Ditës Botërore të Librit. Rezultatet e PISA-s kanë qenë prej dëshmive për realitetin e zymtë dhe si pasqyrë për komplet fushën e arsimit në vend, përfshirë edhe nivelin universitar. Tema për Inteligjencën Artificiale në raport me librin nuk ka mundur të anashkalohet. Është konsideruar jo aq inteligjente sa duket dhe se ka aftësi të cenojë konfidencialitetin dhe të shkelë të drejtat e autorit.
Në simpoziumin profesional, që u organizua nga organizata “ETEA” paraditen e së enjtes, është adresuar një nga sfidat më të rëndësishme të sistemit arsimor: ai i zhvillimit të shkathtësive te nxënësit në lexim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë panelin me titull “Pse nuk po e kuptojmë atë që lexojmë?” të mbajtur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, studiuesja e letërsisë, Meliza Krasniqi, i është përgjigjur duke thënë se këtë po e shkakton mbingarkesa e planprogramit mësimor.
“Mbingarkesa e planprogramit është problemi kyç. Në të gjitha tekstet kam parë se janë mbi 150 njësi të cilat duhet të zbatohen gjatë gjithë vitit. Ato do të duhej të ishin më pak se njëqind, sepse letërsia shqipe është shkruar vonë, kështu që do të mbërrinim mjaftueshëm ta mësonim prej klasës së pestë, ose edhe të parë, deri në të 12-n”, ka thënë ajo.
Sipas Krasniqit, planprogrami duhet të reduktohet dhe se aparati didaktik për këto tekste shkollore është i nivelit akademik.
“Ekziston nëpër libra që Budi, Bogdani dhe Frang Bardhi mësohen brenda një njësie mësimore, ose aparati didaktik që kërkohet nëpër ato tekste e që janë të nivelit tejet të avancuar. Asnjë historian i gjuhës nuk do të mund ta bënte këtë. Për shembull për klasën e shtatë kërkohen detyra që një tekst i standardit të shkruhet në gjuhën e Buzukut. Këto tekste i mësojnë fëmijët tanë dhe këto janë problemet kryesore”, ka thënë ajo.
Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, është fokusuar në rezultatet e PISA-s, jo për t’i dhënë përgjigje pyetjes kryesore të panelit, por për të reflektuar në gjendjen e arsimit në Kosovë. Ka thënë se midis tri herëve që Kosova merr pjesë në PISA, rezultatet kanë shkuar duke u përkeqësuar.
“Nëse i krahasojmë rezultatet nga PISA 2015 e deri në ato të PISA 2022 do të vëreni që rezultatet e leximit janë përkeqësuar. Në vitin 2015, 77 për qind e nxënësve nuk e kanë kaluar kriterin minimal, në vitin 2018 kjo është rritur në 79 për qind, ndërsa në vitin 2022 ka arritur në 83 për qind. Vit pas viti situata është përkeqësuar. Ne duam të themi se për vitin 2022 fajet i ka pandemia, por pandemi ka pasur e gjithë bota, ka pasur rënie të rezultateve, por ne krahasimisht qëndrojmë më keq se të tjerët”, ka treguar ai. Deri tash Kosova ka marrë pjesë tri herë në PISA.

Pupovci ka thënë se në këtë testim ka dallime edhe në aspektin gjinor në këto rezultate. Vajzat qëndrojnë më mirë në raport me djemtë, në të gjitha fushat e testimit.
“I kemi vajzat në raport me djemtë. Është shumë interesante se në fushën e leximit vajzat performojnë shumë më mirë sesa djemtë. Kjo ka ndodhur në të gjitha tekstet, në të gjithë botën. Vajzat i tejkalojnë djemtë për 40 pikë, që është ekuivalent me një klasë më shumë të kryer. E njëjta ndodh në fushën e matematikës ku djemtë kishin dominuar, por tash janë barabartë, ndërsa në shkencë vajzat sërish qëndrojnë më mirë”, ka thënë ai.
Profesori universitar, Shpëtim Elezi, krahas pyetjes në panel ka shtuar një tjetër: Nëse e kemi kuptuar ndonjëherë atë që e kemi lexuar. Sipas tij, përgjigjja është “jo”, duke u ndërlidhur me rezultatet e prezantuara të PISA-s.
“Kjo është një gjendje faktike. Tregon në çfarë rruge ka ecur shkolla shqipe në përgjithësi dhe leximi në veçanti. Kjo i bie që kjo traditë që është e shtresuar prej sa vitesh nuk është bërë më së miri dhe në këtë kuadër edhe mënyra se si është organizuar e gjithë mësimdhënia, tekstet shkollore, planprogramet, infrastruktura e të tjera. Edhe në ciklin universitar, ku përgatiten mësimdhënësit e ardhshëm, tregon se nuk e kemi bërë punën mirë dhe kjo duhet pranuar si gjendje me qëllim që të ecim tutje për të marrë hapa konkretë për përmirësim”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, në këtë gjendje ka ndikuar edhe ai që e ka konsideruar si çorientim të universiteteve publike.
“Kemi tri fakultete të Filologjisë: një në Prishtinë, një në Gjakovë dhe një në Prizren. Mënyra se si janë krijuar është tjetër gjë, por mënyra se si funksionojnë në një vend kaq të vogël tri departamente filologjie është e tepërt, sepse kuadri që punon aty shpesh lë për të dëshiruar. Kemi pesë fakultete edukimi në pesë universitete të ndryshme”, ka thënë Elezi, duke u shprehur se kjo shpërndarje në një vend me territor të vogël ka rezultuar në rezultate të dobëta.
“Përgjegjësia kryesore është te fakultetet e edukimit dhe departamentet e filologjisë, sepse ata do të merren me komponentin e leximit. Kjo shpërndarje kaq e madhe në një vend kaq të vogël, sigurisht se rezulton me mësimdhënës jo të mirë dhe pastaj kjo reflektohet detyrimisht edhe te nxënësit”, ka thënë Elezi.
Naser Zabeli, profesor në Fakultetin e Edukimit, ka thënë se shoqëria nuk është duke bërë asgjë për të rritur ndërgjegjësimin për lexim.
“Një prej faktorëve që i bën nxënësit tanë të mos lexojnë është edhe teknologjia dhe ne duhet të dimë ta shfrytëzojmë këtë teknologji, këtë digjitalizim, sepse kemi një lexim të fragmentuar, të thjeshtë, informacione pa mundur t’i klasifikojmë ato”, ka thënë Zabeli.
Në kuadër të një serie ngjarjesh që ka organizuar Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në shënim të Ditës Botërore të Librit, i paevitueshëm ka qenë aspekti digjital në raport me librin.
“Inteligjenca Artificiale dhe shkrimi”, ka qenë tema e forumit të diskutimit.
Eksperti i teknologjisë dhe inovacionit, Valmir Hazeri, ka folur për rolin e teknologjisë në transformimin e proceseve të shkrimit. Sipas Hazerit, Inteligjenca Artificiale po del të mos jetë aq inteligjente sa duket.
“Modelet që jemi duke përdorur nuk mund të kenë vetëdije, është vetëm një algoritëm që kopjon atë që ka lexuar më herët dhe provon të gjejë se cila fjalë mund të jetë më e sakta. ‘ChatGPT’ dhe të tjerat, çdonjëra është e trajnuar mbi tekste të ndryshme dhe shpesh të vjedhura, pra shumica e të dhënave janë të vjedhura. Për atë edhe shpesh thonë se ky model i IA-së është duke u bërë jo edhe aq inteligjent, sepse shumica e autorëve janë duke i tërhequr veprat e veta dhe rrjedhimisht është duke rënë kualiteti i këtyre veprave”, ka thënë ai.
Sipas Hazerit, Inteligjenca Artificiale po cenon konfidencialitetin dhe ka aftësi edhe të shkelë të drejtat e autorit.
“Ka ndodhur në Kosovë që kur dikush e ka kërkuar një shembull të një kontrate, ka dalë kontrata e një kompanie. Është edhe problemi i dokumenteve konfidenciale që duhet të dihet si të përdoren dhe si të futen brenda. Njashtu edhe punimet e juaja. Shpeshherë kur fusim punimet tona, shkrim, poezi personale, diku thellë është një klauzolë që thotë: çfarëdo që fut është e jona. Rrjedhimisht mund ta humbësh edhe të drejtën tënde ndaj saj, sepse ajo mund të publikohet para teje. Mund ta kërkojë dikush dhe ia jep punimin tënd”, ka thënë ai më tej.
Dita Botërore e Librit festohet çdo vit më 23 prill nga UNESCO-ja për të promovuar leximin, botimin dhe ndërgjegjësimin për të drejtat e autorit në nivel global.