Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Diplomaci e muzikë në “Eurovision”, Izraeli në aksion

Izraeli tashmë është në finalen e “Eurovisionit”

Izraeli tashmë është në finalen e “Eurovisionit”

Foto: Associated Press

Më në fund, në dhjetor, pas muajsh debate dhe shtyrje, transmetuesit u mblodhën në Gjenevë për ta trajtuar pjesëmarrjen e Izraelit në edicionin e sivjetmë të garës evropiane të këngës, që sonte vjen me natën e dytë gjysmëfinale. Edhe një herë, “Eurovisioni” shmangu pyetjen kryesore. Përmes votimit të fshehtë, transmetuesit miratuan ndryshimet në rregulla. Izraeli do të mbetej në “Eurovision” pa pasur nevojë që dikush të votonte drejtpërdrejt për këtë. Pesë transmetuesit kundërshtues e bojkotuan menjëherë ngjarjen. Vende të tjera po i testojnë rregullat e reja, duke mobilizuar diasporat e tyre për të votuar. Ndërkohë, një reklamë izraelite po shkakton sërish polemika ndërkohë hulumtimi dëshmon edhe përfshirjen e shtetit në fushatë

Mara Hvistendahl & Alex Marshall

Në majin e vitit 2024, adhuruesit u mblodhën në qytetin bregdetar suedez Malmö për garën e parë të “Eurovisionit” gjatë luftës në Gazë. Pavarësisht emrit, festivali bashkon këngëtarë dhe transmetues nga e gjithë bota. Izraeli debutoi në vitin 1973. Muzikantët garojnë nën flamuj kombëtarë, por performancat financohen nga transmetuesit publikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në atë kohë nuk ekzistonte ndonjë rregull i qartë që ndalonte promovimin nga qeveritë, por pavarësia është një nga parimet themelore të “Eurovisionit”.

Fitorja dhe financimi në rrjete sociale

Megjithatë, sipas Doron Medalie, ish-kompozitor izraelit, qeveria e shtetit të tij kishte promovuar në heshtje përfaqësuesit e saj, të paktën që nga viti 2018. Ai ka thënë se qeveria kishte shpenzuar mbi 100 mijë dollarë atë vit për promovim në rrjetet sociale. Izraeli triumfoi me këngën “TOY” të kënduar nga Netta.

Medalie ka thënë se kjo fitore i bindi liderët izraelitë se ky festival jashtëzakonisht i popullarizuar në Izrael, ishte një investim i mirë. Dokumentet tregojnë se qeveria e Netanyahut rriti shpenzimet përpara edicionit të mbajtur në Malmö të Suedisë.

Opinioni publik evropian ishte kundër luftës dhe disa grupe të industrisë muzikore tashmë po kërkonin përjashtimin e Izraelit nga gara. Sipas zyrtarëve izraelitë, një paraqitje e fortë do të tregonte se shteti ishte i dashur nga publiku evropian. Ata, së bashku me disa persona pranë “Eurovisionit”, folën në kushte anonimiteti. Kjo ngase nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht ose kishin frikë nga hakmarrja e organizatorëve të garës.

Në Malmö qeveria izraelite shpenzoi mbi 800 mijë dollarë për reklama, sipas të dhënave nga Agjencia Izraelite e Reklamimit Qeveritar. Të dhënat, të siguruara nga organizata mediatike izraelite ‘The Seventh Eye” dhe të ndara me “The New York Times”, tregojnë se pjesa më e madhe e parave erdhi nga Ministria e Jashtme. Transmetuesi publik izraelit “Kan” i ka thënë “The Times” se nuk kishte dijeni paraprake për fushatat reklamuese të qeverisë dhe se, sipas njohurive të tij, “rregullat e garës nuk ishin shkelur”.

“Bota, me sa duket, nuk është kundër nesh”

Në vitin 2024, këngëtarja izraelite Eden Golan doli e dyta në renditje dhe kryesoi votimin në shumë vende ku thirrjet pro-palestineze janë të forta. “Bota, me sa duket, nuk është kundër nesh”, shkroi atëkohë faqja e lajmeve “Ynet”.

“Ynet” vuri në dukje se Ministria e Jashtme kishte reklamuar në YouTube gjatë festivalit. Por historia dhe modelet e pazakonta të votimit nuk morën shumë vëmendje.

Transmetuesit e “Eurovisionit” ishin të zënë me zhvillime të tjera. Aktivistja Greta Thunberg dhe mijëra të tjerë mbushën Malmön duke protestuar kundër përfshirjes së Izraelit. Në skenë disa këngëtarët mbanin simbole palestineze. Reperi holandez, Joost Klein, u përjashtua për një incident me një kameramane. Por një transmetues nga Sllovenia vuri re rezultatin e pazakontë të votimit dhe kërkoi që organizatorët të publikonin më shumë të dhëna. Ata nuk morën përgjigje kurrë.

“Eurovisioni” deklaroi javën e kaluar se nuk i kishte konsideruar promovimet izraelite të vitit 2024 si të tepruara. Organizatorët mendonin se kishin lënë pas Malmön, por problemet sapo kishin filluar.
Në edicionin e vitit 2025 në Bazel të Zvicrës, Izraeli përfundoi i dyti në renditjen e përgjithshme dhe fitoi votën e popullit — sërish duke triumfuar në vende ku njerëzit kishin shprehur hapur kundërshtim ndaj politikave izraelite. Këtë herë, rezultatet e papritura u vunë re.

Fushata dhe mobilizimi deri te Netanyahu

Duke përdorur bibliotekën e reklamave të platformës “Google”, gazetarët e transmetuesit finlandez “Yle” zbuluan se qeveria izraelite kishte blerë reklama online në shumë gjuhë, duke u bërë thirrje njerëzve të votonin për përfaqësuesen izraelite, Yuval Raphael, deri në maksimumin prej 20 votash. Shifrat e shpenzimeve për atë konkurs nuk janë të disponueshme, por fushata e Izraelit ishte më e gjerë dhe më e koordinuar sesa në Malmö.

Vetë Netanyahu publikoi në rrjetet sociale një grafikë që inkurajonte njerëzit të votonin 20 herë për Raphaelan. Grupe pro-izraelite në gjithë Evropën shpërndanë të njëjtën grafikë dhe materiale të ngjashme. Zëvendësuesi i ambasadorit të Izraelit në Austri, Ilay Levi Judkovsky, i ka thënë “The Times” se kishte kontaktuar një grup të diasporës për të mobilizuar mbështetje për këngëtaren, Raphael.

Kompozitori Doron Medalie e mbrojti strategjinë. Ai ka thënë se Izraeli shpenzon aq shumë për sigurinë, saqë ishte e drejtë që qeveria të financonte promovimin e shtetit.

“Të gjithë janë xhelozë dhe të provokuar sepse Izraeli po arrin rezultate të shkëlqyera”, ka thënë ai. 
Pas festivalit, transmetuesi slloven kërkoi sërish të dhënat e votimit dhe kërcënoi me tërheqje nga gara. Të tjerë kërkuan privatisht një hetim të jashtëm.

Martin Green ka premtuar se organi drejtues i “Eurovisionit” do ta shqyrtonte votimin. Por ai grup nuk mori kurrë një analizë të plotë të votimit, vetëm të dhëna “të përgjithshme”, pranoi Green.

As ai dhe as Unioni i Transmetuesve nuk kërkuan një hetim të jashtëm.

“Ne jemi shumë, shumë të kënaqur që rezultati është i saktë, i drejtë dhe i analizuar”, ka thënë Green.
Në korrik, gjatë një takimi të transmetuesve në Londër, pakënaqësia u shtua. Spanja kërkoi debat mbi pjesëmarrjen e Izraelit dhe ndryshimin e sistemit të votimit, të cilin e konsideronte të ndjeshëm ndaj manipulimit. Në vend që të hetonte, “Eurovisioni” angazhoi konsulentin çek të transmetimeve, Petr Dvorak, për të intervistuar anëtarët lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit. Opinionet ndryshonin shumë. 
“Ndonjëherë ata mendonin se Izraeli si shtet po e përdorte këtë ngjarje si një lloj mjeti promovues”, ka thënë Dvorak në një intervistë. 

Të tjerë donin që festivali të anulohej ose shtyhej në vitin 2026. Disa mendonin se transmetuesi izraelit “Kan” nuk duhej të mbahej përgjegjës për veprimet e qeverisë së tij.

Më vonë, transmetuesit morën vetëm një përmbledhje të gjetjeve të Dvorakut, jo raportin e plotë, gjë që përforcoi bindjen e disa prej tyre se i gjithë procesi kishte qenë humbje kohe. Deri në fund të shtatorit, pesë transmetues — Islanda, Irlanda, Holanda, Spanja dhe Sllovenia — po diskutonin hapur bojkotin.

Polemika që po ziente, shpërtheu

Një takim i organizatorëve të “Eurovisionit” në Kroaci nuk i largoi shqetësimet. Përkundrazi, sipas dy pjesëmarrësve, ekipi i Greenit bëri dy prezantime që dukeshin kontradiktore.

Prezantimi i parë pretendonte se Izraeli nuk kishte ndikuar rezultatin e vitit 2025. Nuk u ofruan të dhëna të detajuara. Prezantimi i dytë u tregonte transmetuesve si të përdornin rrjetet sociale për të siguruar më shumë vota. Për disa në sallë, organizatorët po thoshin se fushatat online mund të ndikonin votimin, por jo ajo e Izraelit.

Organizatorët ndodheshin mes dy polemikave. Qarkullonin zëra se Norvegjia dhe Portugalia mund t’u bashkoheshin pesë vendeve kundërshtuese, nëse Izraeli do të mbetej në skenë. Dokumentet tregojnë se aleatë të Izraelit, si Gjermania dhe Estonia, kundërshtonin ndalimin e pjesëmarrjes së vendit. Organizatorët llogaritën pasojat financiare të të dy skenarëve: humbjen e kritikëve të Izraelit ose humbjen e Izraelit dhe mbështetësve të tij. Asnjëra nuk ishte e favorshme. Sipas disa vlerësimeve, “Eurovisioni” rrezikonte të humbiste mbi 600 mijë dollarë tarifa pjesëmarrjeje.

Situata ishte bërë aq serioze sa edhe drejtuesi i transmetuesit kombëtar austriak, kishte ngritur në një bisedë të brendshme, mundësinë që Austria të tërhiqej në mbështetje të Izraelit. Në një letër drejtuar anëtarëve në fund të shtatorit,” Eurovisioni” pranoi se “kurrë më parë nuk ishte përballur me një situatë kaq përçarëse” dhe njoftoi një votim emergjent mbi pjesëmarrjen e Izraelit.

Privatisht, avokatët e festivalit dhanë një këshillë të jashtëzakonshme: organizatorët mund ta përjashtonin ligjërisht Izraelin, nëse dëshironin.

“Eurovisioni” i përçarë

Disa javë më vonë, “Eurovisioni” anuloi votimin emergjent, duke përmendur armëpushimin e ri në Gazë. Çështja u shty për në dhjetor. Transmetuesit kishin ende pyetje për të drejtat e njeriut dhe fushatën promovuese të Izraelit. Por organizatorët dukej se dëshironin që polemika të zhdukej. Ekipi i komunikimit kishte shpërndarë një e-mail duke i dekurajuar transmetuesit të flisnin me gazetarët.
Vonesa i dha kohë qeverisë izraelite të zhvillonte një ofensivë diplomatike. Ambasadat izraelite kontaktuan transmetues në të paktën tri shtete, sipas dokumenteve dhe intervistave me persona të përfshirë. Në një vend të katërt, qeveria izraelite kontaktoi Ministrinë e Jashtme për të diskutuar për “Eurovisionin”.

Më në fund, në dhjetor, pas muajsh debate dhe shtyrje, transmetuesit u mblodhën në Gjenevë për ta trajtuar pjesëmarrjen e Izraelit.

Edhe një herë, “Eurovisioni” shmangu pyetjen kryesore.

Unioni i Transmetuesve organizoi një votim për kufizimin e çdo shikuesi në dhjetë vota dhe për të “dekurajuar fushatat disproporcionale promovuese”. Por kishte një kthesë: nëse anëtarët miratonin ndryshimet, ata praktikisht po pranonin pjesëmarrjen e Izraelit në festival, pa votuar kurrë drejtpërdrejt për këtë çështje. Presidentja e Unionit, Delphine Ernotte Cunci, pranoi se ky organizim “mund të dukej disi i çuditshëm”. Por, sipas procesverbalit të mbledhjes, ajo shpjegoi se mosvotimi ishte “zgjidhja më demokratike e mundshme”.

Frederik Delaplace nga transmetuesi belg “VRT” nuk u bind. “Eurovisioni”, kishte thënë ai në takim, “po fshihej pas rregulloreve” në vend që të diskutonte të drejtat e njeriut. Përmes votimit të fshehtë, transmetuesit miratuan ndryshimet në rregulla. Izraeli do të mbetej në “Eurovision” pa pasur nevojë që dikush të votonte drejtpërdrejt për këtë.

Pesë transmetuesit kundërshtues e bojkotuan menjëherë ngjarjen.

Green tha se rregullat e reja adresonin “një çështje perceptimi”, jo probleme reale. Në edicionin e këtij viti në Vjenë, vende të tjera po i testojnë rregullat e reja, duke mobilizuar diasporat e tyre për të votuar. Ndërkohë, një reklamë izraelite po shkakton sërish polemika. Ekipi i përfaqësueses izraelite, Noam Bettan, shpërndau promovime në rrjetet sociale duke u bërë thirrje njerëzve të votonin për të nga dhjetë herë.

Organizatorët e festivalit duke nxituar të shmangnin një përsëritje të vitit të kaluar, paralajmëruan zyrtarisht transmetuesin dhe kërkuan që postimet të hiqeshin.

“Përdorimi i një thirrjeje të drejtpërdrejtë për të votuar dhjetë herë për një artist apo këngë nuk është në përputhje me rregullat tona, as me frymën e garës”, ka thënë Green. Ai siguroi sërish publikun se fushata të tilla nuk mund ta ndikojnë rezultatin.