“Nuk ka ofertuar asnjë operator ekonomik”, është arsyetimi i anulimit të aktivitetit të prokurimit nga Ministria e Kulturës për ndërhyrje emergjente në Kalanë e Prizrenit. Pas dy thirrjeve të dështuara, njësoj ka ngjarë edhe me atë të radhës. Rrugëzgjidhja shihet te punimet shtesë që rrisin edhe koston. Tash ka dalë në pah edhe diçka tjetër. Del se as projekti nuk i plotëson krejt nevojat e monumentit dhe nuk mbetet rrugë tjetër pos të plotësohet projekti, të bëhet një ndërhyrje më e madhe që siguron se për një kohë më të gjatë të mos ndërhyhet në monument. “Rishikimi i projektit sigurisht e rrit koston dhe më pas do të ketë edhe interesim të kompanive”, i kanë thënë KOHËS nga Ministria e Kulturës
Ministria e Kulturës nuk është duke mundur t’ia bëjë çarenë Kalasë së Prizrenit për të zhvilluar ndërhyrjet e nevojshme. S’po gjendet kompania që për afro 85 mijë euro t’i realizojë punët e klasifikuara si “ndërhyrje emergjente”. Institucioni më i lartë kulturor në vend për herë të tretë ka hapur e mbyllur thirrje publike, por pa sukses.
Dy thirrje të vitit të kaluar rezultuan pa efekt. Në të dytën s’kishte as kompani të interesuara. Thirrja e sivjetme prapë del të jetë e barabartë me zero sa i përket interesimit të kompanive.
Thirrja e fundit publike qe hapur me mundësinë që kompanitë të aplikojnë deri në ditën e 15-të të janarit. Një kompani është ankuar për kriteret e vlerësimit. Asnjë s’ka konkurruar.
“Nuk ka ofertuar asnjë operator ekonomik”, është arsyetimi i anulimit të aktivitetit të prokurimit nga Ministria e Kulturës.
Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës i kanë thënë KOHËS se projektin për ndërhyrje e kanë marrë nga Njësia Menaxhuese e monumentit, buxhetin e parashikuar. Por del se me këto punë që duhet kryer s’ka kompani që do të punojë.
“Por tash ka dalë në pah edhe diçka tjetër. Projekti nuk i plotëson krejt nevojat e monumentit. S’ngelet rrugë tjetër pos të plotësohet projekti, të bëhet një ndërhyrje më e madhe që siguron se për një kohë më të gjatë të mos ndërhyhet në monument. Rishikimi i projektit sigurisht e rrit koston dhe më pas do të ketë edhe interesim të kompanive”, i kanë thënë KOHËS në MKRS.
Gjendja e monumentit nuk është e mirë për një kohë të gjatë.
Kalaja e Prizrenit, ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se është njëfarë lokaliteti i braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar, e ka rritur pak sigurinë. Degradimi i shtigjeve është i nivelit aq sa para më shumë se dy vjetëve, një vizitor e kishte lëshuar pjesa e shtegut ku po ecte. Ishte lënduar dhe kishte shkuar në Polici për ta paraqitur rastin me akuzën se ka pësuar në monumentin e menaxhuar nga shteti. Juridikisht shteti është përgjegjës për atë pjesë, por në praktikë s’merr kush pikë përgjegjësie.
Arkeologu Shafi Gashi, i cili ka udhëhequr projektin për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Prizrenit, në fund të vitit të kaluar kishte thënë se kriteret e tenderit kanë qenë të atilla që kanë bërë që të mos ketë interesim të kompanive.
“Edhe buxhetimi nuk besoj se është i duhuri. Me atë buxhet nuk do të mund të përfundoheshin as 70 për qind e punimeve. Pozita gjeografike është problematike për dërgimin e materialeve deri atje”, kishte thënë Gashi. Vlera e paraparë në të tri rastet ishte 84 mijë e 755 mijë euro.
“I pari është shtegu i ecjes e tabelat informuese që janë në pikën zero. Për sivjet të punohet në restaurim me llaç gëlqeror ka përfunduar koha, shkaku i motit. Deri pas fundit të prillit vështirë të punohet”, kishte thënë arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi. Sipas tij, nevojat janë të shumta dhe emergjente. “Nevoja për ndërhyrje është shumë e madhe. Ka edhe shembje të vogla”, kishte thënë ai.
Kalaja është prej monumenteve më të vizatuara në Prizren e po ashtu edhe në Kosovë. Sipas Gashit, edhe në ditët me borë rreth 50 vizitorë ngjiten në monument.
Por MKRS-ja ka edhe telashe të tjera në raport me këtë monument. Është në mësymjen e dytë për ta bërë Kalanë e Prizrenit me dy ciceronë. Kësaj radhe – sikurse në herën e parë kur u anulua konkursi – kanë aplikuar katër kandidatë dhe dy prej tyre e kanë kaluar vlerësimin administrativ duke u kualifikuar për të vazhduar me procedurën e mëtejme të rekrutimit. Vlerësimi administrativ është bërë me 1 dhjetor të vitit të kaluar. Por procedura nuk është përmbyllur ende. Kalaja e Prizrenit është aseti i tretë i trashëgimisë kulturore arkeologjike që MKRS-ja tenton ta bëjë me ciceronë.
Flaka Bamja e Mirlinda Maloku e kanë kaluar verifikimin paraprak duke u bërë dy kandidatet që synojnë dy vende pune si cicerone. Në konkursin e korrikut të këtij vitit – ku përfshiheshin edhe thirrjet për ciceronë në Ulpianë dhe Novobërdë – qenë po këto dy kandidate që ishin kualifikuar për të vazhduar me procedurat e rekrutimit. Edhe asokohe ishin regjistruar gjithsej katër kandidatë. Ministria e Kulturës nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për anulimin e asaj procedure. Thjesht kishte njoftuar se bazuar në legjislacionin në fuqi, procedura është anuluar.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur as për konkursin e ri. S’ka treguar kur pritet të ketë rezultate konkrete dhe angazhim të ciceronëve, as nëse do të kenë ndonjë trajnim paraprak dhe se si pritet të ndikojë angazhimi i tyre në rritjen e vizitave. Në shtator të këtij viti për ciceronë në Ulpianë qenë zgjedhur Ismail Gagica e Atdhe Prelvukaj, kurse për Novobërdë, Fitim Bunjaku.
MKRS-ja kishte dështuar ta funksionalizonte Kalanë edhe nëpërmjet organizatave joqeveritare. Madje në këtë proces kishte dështuar edhe në disa monumente të tjera.
Në vitin 2023, në tentimin e parë, prej pesë monumenteve sa kishte synuar t’i funksionalizonte me organizata joqeveritare, Ministria pati bërë zgjidhje vetëm për dy: Kompleksin memorial “Isa Boletini” në Boletin dhe Shtëpinë e Katarina Josipit në Zym të Prizrenit, për të cilën nuk i kishte funksionuar plani, ndërsa gjashtë organizata të tjera qenë diskualifikuar kryesisht për mospërmbushjen e kritereve përmbajtjesore dhe administrative. E në tentativën e dytë, MKRS-ja më 2024 qe vënë sërish në kërkim të organizatave joqeveritare për t’i funksionalizuar asetet e trashëgimisë kulturore të vendit që kishin dështuar në përpjekjen e parë. Kësaj radhe në listë kishin qenë parku arkeologjik “Ulpiana” dhe Kalaja e Prizrenit. S’kishte bërë gjë me këtë thirrje dhe tash synon që në rastin e këtyre dy aseteve t’i kompletojë stafet nëpërmjet punësimeve.
Në vitin 2014 në Kalanë e Prizrenit qenë investuar 700 mijë dollarë të Fondit të ambasadorit për trashëgimi kulturore. Këto mjete të SHBA-së bashkë me ato të buxhetit të Kosovës që janë investuar në këtë monument shkojnë te shifra mbi milion euro.