Kulturë

David Bowie në botën e tij nëpërmjet artefakteve

Ekspozita “David Bowie Centre” në “V&A East” hapet për publikun e gjerë prej sot (e shtunë)

Ekspozita “David Bowie Centre” në “V&A East” hapet për publikun e gjerë prej sot (e shtunë)

Një hapësirë ​​ekspozuese kushtuar muzikantit të ndjerë, David Bowie, do të hapet në shtëpinë muze “V&A East” të Londrës. Ekspozita “David Bowie Centre” ekspozon qindra artefakte, përfshirë kostume, fotografi dhe tekste këngësh të shkruara me dorë, që i përkasin ikonës britanike. Ekspozita është si kujtesë për aftësinë e tij për ta rishpikur veten gjatë gjysmëshekulli të angazhimit në muzikë, art, performancë dhe shpalos elementin që e përcakton më shumë: ndryshimin

Kostumet ikonike dhe relikte të tjera që i përkasin legjendës së muzikës, David Bowie, zënë vendin kryesor në një hapësirë të re ekspozite në shtëpinë muze “V&A East” në Londër. Në mesin e tyre, kostumi “Life on Mars” i Freddie Burrettit dhe kostumi mahnitës asimetrik i krijuar nga Kansai Yamamoto për personazhin Ziggy Stardust, pa dyshim një nga transformimet më të paharrueshme të Bowiet.

Ato janë pjesë e “David Bowie Centre”, një ekspozitë e arkivit personal të artistit që i ofrohet falas publikut dhe e cila do të hapet së shpejti. Ka shumë për të ushqyer kureshtjen e fansave për këngëtarin, kompozitorin dhe aktorin anglez i lindur në vitin 1947, me emrin David Jones.

Ndër eksponatet e ekspozuara është edhe një fletë me fotografi të krijuara për ballinën e albumit “Aladdin Sane”, që ndodhet pranë një fotografie të përmasave të mëdha, ku ylli teatral shihet në dhomën e zhveshjes duke aplikuar grimin. Palltoja e jashtëzakonshme me flamurin kombëtar nga viti 1997, e dizajnuar nga Bowie në bashkëpunim me legjendën e modës Alexander McQueen për turneun “Earthling”, nuk kalon pa u vënë re.

Dhe nga një dekadë më parë, krahët që artisti kishte veshur në skenë gjatë turneut “Glass Spider”, po ashtu shkëlqejnë nën dritat e studios. Të punuar me dru, plastikë metalike të artë dhe lëkurë artificiale, dizajni i Diane Moseley udhëtoi në mbarë botën, siç dëshmon edhe fotografia e Richard Haughtonit.

Ndërsa kostumi ushtarak i përfshirë në ekspozitë e dërgon publikun në vitin 1975, kur u lansua albumi “Young Americans”, i nënti në karrierën e Bowiet, ku ai eksploron muzikën me origjinë afro-amerikane dhe largohet nga stili glamuroz i albumeve të mëparshme.

Harriet Reed është kuratore e programit bashkëkohor në “V&A East”.

“Sa herë që përfshihesh në ndonjë projekt që lidhet me David Bowien, është pa dyshim shumë emocionuese. Ka një sasi të madhe materialesh për të parë dhe studiuar. Arkivi është një thesar i pabesueshëm që përfshin karrierën e tij 50-vjeçare. Ajo që na emocionoi më shumë ishte gjithëpërfshirja. Është koleksion i madh, përfshin gjithë karrierën e tij, por – nga skicat e bëra me dorë, tekstet e shkruara nga vetë artisti, kostumet, instrumentet, madje edhe vepra arti të krijuara nga fansat, mallra, rekuizita, modele skenike – gjithçka që mund të lidhet me Bowien. Ai i kishte mbledhur vetë, ishte edhe arkivist aktiv i koleksionit të tij”, thotë ajo.

Në arkiv përfshihen gjithashtu materiale të prapaskenave nga albumi i tij i njëmbëdhjetë, “Low”. Ishte i pari nga tri bashkëpunimet me mjeshtrin e sintezatorit Brian Eno dhe producentin muzikor Tony Visconti, që tani njihet si “Trilogjia e Berlinit”, përfshirë edhe një ballinë të përfunduar të albumit me një emër tjetër.

Reed shpjegon përmasat e punës së bërë: “Është një projekt katalogimi dyvjeçar, kështu që çdo ditë gjejmë histori të reja interesante, zbulime, gjëra që nuk janë ekspozuar kurrë më parë. Ajo që më mahnit gjithmonë është procesi i punës së Bowiet. E dimë sa shumë ishte i përfshirë në dizajn, në shkrimin e këngëve dhe prodhimin e tyre, dhe sa i pëlqente të ishte pjesë e gjithë rrugëtimit të një albumi ose projekti. Por shënimet që ai mbante, listat e punëve për të bërë, vendet që kishte dëshirë t’i eksplorojë, ekspozitat që dëshironte t’i vizitonte, filmat që donte t’i shikonte, librat që kishte dëshirë t’i lexonte, ajo etje e tij për kulturën në përgjithësi është vërtet interesante për të kuptuar pse ishte kaq pafundësisht krijues”.

Palltoja e jashtëzakonshme me flamurin kombëtar nga viti 1997, e dizajnuar nga Bowie në bashkëpunim me legjendën e modës Alexander McQueen për turneun “Earthling”, nuk kalon pa u vënë re

Sa u takon kostumeve nga momentet më ikonike të karrierës së tij 50-vjeçare – të gjitha janë në gjendje të shkëlqyer. Publiku do të njoftohet po ashtu me një kostum nga turneu jashtëzakonisht i suksesshëm i vitit 1983, “Serious Moonlight”. Ai është dizajnuar nga Peter Hall.

Këto ekspozita do të ndryshojnë çdo gjashtë muaj, me eksponate të reja dhe janë ideuar nga Dr. Madeleine Haddon, kuratore në “V&A East”.

“Kemi 200 eksponate të ekspozuara dhe më shumë se 90 mijë të tjera për të zgjedhur. Pra, përzgjedhja e tyre ishte një nga sfidat më të mëdha intelektuale dhe kuratoriale të jetës sime. Jam shumë e emocionuar, sepse me ekspozitat tematike që do të rrotullohen çdo gjashtë muaj, do të kemi mundësi të sjellim më shumë eksponate në vëmendje. Por me dikë si David Bowie, ku ka një sasi të jashtëzakonshme për të zgjedhur – jo vetëm në vëllimin e materialit, por edhe në periudhat krijuese, zhanret, personazhet artistike, madje edhe projekte për të cilat nuk kishim dijeni se ai kishte punuar, derisa morëm në dorë arkivin”.

Dhe me të vërtetë ka dëshmi intriguese për projekte të papërfunduara të Bowiet, përfshirë një mjuzikëll rreth artit të shekullit të 18-të. Bowie ishte një fans i madh i artit dhe shërbeu edhe në bordin redaktues të revistës së njohur “Modern Painters”.

Tekstet e shkruara me dorë nuk janë kurrë vetëm fjalë kur është i përfshirë Bowie. Impulsi për t’i zbukuruar dhe për t’i bërë më artistike është i pashmangshëm, siç është rasti me këngën e tij “Win” nga albumi “Young Americans”.

Një listë me ide për të frymëzuar albumin “Station to Station” të vitit 1976 është shkruar në një fletë A4, dhe ngjan me një listë blerjesh emocionale duke na dhënë sinjale për gjendjen e tij mendore dhe fizike në atë kohë. Ajo është ekspozuar me kujdes pranë listës së këngëve për turneun “Isolar”, që mbështeste pikërisht atë album.

Në vitin 1993, Nile Rodgers, bashkëprodhues i albumit “Black Tie White Noise” i shkruante Bowiet se të gjithë në studio ishin “shumë të ngazëllyer” për këngët e krijuara. Ndër të tjera në shkrimet e tij i dërgon shumë përqafime Imanit, bashkëshortes së artistit.

Bowie vdiq më 10 janar 2016 dhe një muaj më pas u vlerësua me çmimin post-mortem, “BRIT Icon Award”, si nderim për trashëgiminë dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në muzikë. Çmimi është pjesë e ekspozitës, po ashtu edhe një rend me kostume të Bowiet si kujtesë për aftësinë e tij për të rishpikur veten gjatë gjysmëshekulli të angazhimit në muzikë, art, performancë dhe ndoshta elementi që e përcakton më shumë: ndryshimi.