“Ngjyra është gjuha ime...”, thotë Arben Shala dhe një deklaratë si kjo shndërrohet në matricë të artit të tij. Forma reale s’e provokon, por ai i ik realitetit edhe pse shprehja e tij artistike është abstrakte. Ka pritur për një ekspozitë personale, ani pse rrugëtimi i tij artistik është i gjatë, e me “Çrregullimet e sakta” ai vjen me një rrëfim fort personal ku ai eksploron thellësitë, shpreh ndikimet dhe krijon realitetin e vet
Janë kompozicione të çrregullta. Por s’hyjnë në atë abstraksionin e pafundmë. Autori duket sikur te secila pëlhurë ka nxjerrë nga një lëmsh të kujtimeve, përvojave e ndikimeve duke përshkruar akumulimin ndër dekada. Personazhet e peizazhet e tij bashkëjetojnë. S’ka një personazh a peizazh të rregullt. Me njëfarë saktësie piktori paraqet e fsheh realitete.
Titulli i ekspozitës personale të Arben Shalës, “Çrregullimet e sakta” është emrues i përbashkët i gati 20 pikturave të ekspozuara në galerinë “Qahili” në periferi të kryeqytetit. Shala si krijues abstrakt e ekspresiv ka një lojë ngjyrash ku bashkohen shumë rrëfime në një tablo.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPrej peizazhit identifikohen personazhe që vëzhgojnë nga një thellësi që përballë atij që e shikon pikturën sa vjen e rritet.
“Kur arrihet thellësia, arrihet diçka...”, kanë thënë Shala derisa ka folur për veprat. Student i Esat Vallës në studimet bazike e pastaj i Zake Prelvukajt në nivelin master, Shala në çrregullimet e tij të ngjyrave mban ritmin provokues duke zgjuar kurreshtjen e publikut për “lexim” sa më të saktë. Tablotë e tij janë për secilin. Prej atij që s’do të thellohet shumë, deri tek ai që kërkon identitet në pëlhurat e Shalës i cili s’është lehtë i deshifrueshëm. Por as i vrazhdë. Ka njëfarë çrregullimi estetikisht të butë, por asnjëherë krejt të identifikueshëm. Si fëmijë e adoleshent në vitet ’90 me krejt rëniet e ngritjet e shoqërisë që i takon, hapësirat e urbanizuara e ato të gjelbërta të Prishtinës, mjegullat e rënda të fundshekullit të kaluar e kohën e shpresës në fillim të këtij shekulli, ai i përmbledh në kompozicione. Në njëfarë forme tablotë janë edhe letërnjoftim i kohës në të cilën u rrit dhe jeton.
Kuratorja e ekpsozitës, Nita Qahili ka thënë se Shala është sfidues për mënyrën e punës që ka, stilin e teknikën që e përdor. Ka treguar se kur ka marrë vesh për elementet që e ndikojnë për të punuar, projekti për një ekspozitë është bërë edhe më intrigues.
“Doja ta kuptoja më thellë se përse e bën këtë kombinim të ngjyrave dhe përse e krijon atë kompozicion që e paraqet në pëlhurë. Më ka tërhequr po ashtu se asnjëherë nuk është treguar pjesa e muzikës që e ka ndikuar, ishin vitet ’90, rocku, hip-hopi që kanë ndikuar në punën e tij”, ka thënë Qahili. Ka përmendur po ashtu lagjen në të cilën është rritur Shala, “Bregun e Diellit” që dikur rrethohej nga gjelbërimi që e ka ndikuar atë.

“Do të thotë është njëfarë kujtese nënvetëdije që e ndikon për t’i krijuar veprat e tij. Mund të shohim silueta të njerëzve apo peizazhe abstrakte. Nuk ka prezantim në formë të egër. Abstraksioni i tij është i ëmbël në njëfarë forme”, ka thënë Qahili. Sipas saj, vërehet ndikimi i Gerhard Richterit por nuk është ndikim identik pasi Shala e ka dorën e vet si artist.
“Artistët kanë ndikim ndër vite. Shihet ndikimi por edhe gërshetimi varësisht prej temave”, ka thënë ajo.
Arben Shala ka thënë se punimet janë njëfarë konsumimi i gjatë i kohës pasi kjo është ekspozita e tij e parë personale.
“Jam munduar të kem një qasje sa më serioze por jo të jem shumë intuitiv edhe real. Është goxha kohë e gjatë. Jam marrë me art por me fryma e mediume të ndryshme. Kjo është ekspozita ime e parë ku jam munduar të jem sa më real dhe të reflektoj ashtu që të mund të tregoj se koha që nuk kam ekspozuar është shumë reale dhe vjen me një puls ndryshe që është i akumuluar gjatë krejt kësaj kohe”, ka thënë ai. Ka treguar se është ithtar i provokimeve të sinqerta qysh nga fëmijëria, pasi ato kohë, sipas tij, janë më të sinqertat. Ka treguar se veprat rrëfejnë e reflektojnë me sinqeritet ngjarjet e gjërat që i kanë ndodhur.

“Ngjyra është gjuha ime. Forma reale nuk më provokon. Kam qejf të jem sa më i sinqertë që të marr energji nga natyra, njerëzit e krejt gjërat që më rrethojnë dhe t’i qes në pah me një kolorit shumë ekspresionist por me një kujdes shumë të madh që të jem sa më provokativ pasi është shumë problem t’i trajtosh ngjyrat. E kanë njëfarë xhelozie njëra me tjetrën e njëfarë intensiteti e forme që në kompozicion të përgjithshëm është vështirë të jesh i kënaqur me krejt gjërat që je munduar t’i krijosh”, ka thënë ai.
Veprat e Shalës bashkojnë të thëna e të pathëna. S’janë në një linjë apo të një cikli. Përplasjet janë normale midis tyre. Por jo përjashtuese. Kompozicionet e tij me ngjyra të ndezura u bëjnë vend ngjarjeve por edhe ëndrrave.

Siç shkruhet në tekstin kuratorial, vërehet një qasje që i ofron shikuesit interpretime të ndryshme dhe ajo që e bën të veçantë është se detajet nuk janë gjithmonë thelbësore pasi mbizotërojnë emocionet, të cilat shpesh e zhvendosin vëmendjen nga leximi i drejtpërdrejtë i imazhit.
“Në veprat e tij, kuptimi shpesh lind nga bashkëveprimi në mes të kontrollit dhe paparashikueshmërisë. Realitetet komplekse rrallë përshtaten në rrëfime të thjeshta. Shala nuk interpreton apo trajton çështje specifike politike apo ekonomike; qëndrimet e tij lidhen më shumë me zhvillimin personal dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të përvojave në krijimtarinë artistike”, shkruhet në tekstin kuratorial.
Shala sikur bashkon fatin e brezit të tij në vepra. Pa arrogancë e vrazhdësi. Por me personazhe e gjysmëpersonazhe që vijnë nga kohë edhe të errëta dhe shtegtojnë pa treguar nga ia mbajnë.