Kulturë

“Cirku fluturues”, fitues në Festivalin e Filmave në Santa Barbara

Premiera amerikane e filmit “Cirku fluturues” ka dalë të jetë e mbarë. Ka marrë çmimin për filmin më të mirë në kategorinë ndërkombëtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave në Santa Barbara të Kalifornisë. Rrëfimi nga fundi i viteve ’90, nën regji të Fatos Berishës, ka lënë prapa 11 filma që ishin në garë në këtë kategori, përfshirë filmin kanadez “A brother’s Love” nga Monia Chokri, i cili vitin e kaluar triumfoi në kategorinë “Un certain regard”, në Festivalin e Filmit në Cannes. Konkurrentë të “Cirkut...” ishin edhe filmi sllovak i regjisorit Teodor Kuhn “By a sharp knife”, inspiruar nga rasti ende i pazgjidhur i vrasjes së studentit të ri Daniel Tupý nga neonazistët në vitin 2005, komedia zvicerane “If Only (Magari) i Ginevra Elkann e të tjerë.

Edicioni i sivjetshëm i Festivalit u hap më 15 janar dhe përfundoi me ndarjen e çmimit të shtunën e 25 janarit. “Cirku...” përveçqë ishte në garë, u shfaq edhe në kuadër të programit “Crossing Borders” (Kalimi i kufijve). Në edicionin e 35-të përveç atij për filmin nga Kosova, u ndanë edhe 10 çmime të tjera. Ndër të tjera, çmimin e audiencës e mori “The Birdcatcher’s Son” nga Suedia, nën regji të Richard Hobert, atë për dokumentarin me të mirë të shkurtër, produksioni amerikan “Sixth of June”, nën regji të Henry Roosevelt e çmimin për filmin me të mirë të shkurtër live-aksion, “Sin Cielo“ produksion amerikan nën regji të Jianna Maartin, e atë për animacionin më të mirë, “Cosmic Fling” nga Jonathan Langager, po ashtu i ShBA-së. Filmi, për të cilin Berisha ka shkruar edhe skenarin, përshkruhet si komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë që ndodh në fund të viteve ’90 në Kosovë, në prag të luftës.

“’Dodona’, teatri i vogël i Prishtinës, mbyllet si institucioni i fundit publik. Katër personazhet kryesore, aktorët e rinj, Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka, shikojnë posterin e shfaqjes së tyre duke u hequr. Është komedia surrealiste e quajtur ‘Cirku fluturues’, e frymëzuar nga seritë legjendare britanike ‘Monty Python’s Flying Circus’, por ‘diçka krejtësisht ndryshe’ do të ndodhë. Ata marrin një ftesë për të performuar në Festivalin e Teatrit në Shqipëri, por nuk kanë pasaporta”, është përshkrimi i filmit, producente e të cilit është Vjosa Berisha. Aty tregohet se katër aktorët vendosin ta marrin këtë rrugë, edhe pse mënyra e vetme është duke kaluar ilegalisht kufijtë e Malit te Zi dhe të Shqipërisë.

Regjisori Fatos Berisha për gazetën, të dielën, një ditë pasi që filmi i tij triumfoi në këtë festival të njohur amerikan, ka thënë se ky çmim i bën krenarë duke marrë parasysh konkurrencën.

Fituesit e këtij edicioni janë zgjedhur nga juria e cila përbëhej nga emra të shquar të industrisë së kinematografisë. Njëri prej tyre edhe dirigjenti e kompozitori amerikan, John Williams, fituesi i 24 çmimeve “Grammy”, shtatë “British Academy Film Awards”, pesë “Academy Awards” dhe katër “Golden Globe Awards”. Me 52 nominime në “Academy Award”, Williams – i njohur për kompozime për alamet produksionesh filmike si “Star Wars”, “Schindler's List”, “Close Encounters of the Third Kind”, “Superman” – zë vendin e dytë sa u përket nominimeve individuale pas producentit Walt Disney. Bashkë me të, në juri kanë qenë edhe Anthony Zerbe, fitues i çmimit “Emmy” për rolin me të mirë mbështetës në serialin televiziv “Harry O” në vitin 1976, bashkëshortja e tij, aktorja Arnette Jens, e njohur për rolet e saj në “Cloud Dancer” (1980) dhe “The Balcony” (1963), e emra të tjerë të njohur në kinematografi si Jason Baffa, Max Barbakow, Lisa Black, Alex Carter, Geoff Green, Paul Kurta, Perry Lang, Artie Schmid, Rita Taggart e Diego Tinoco.

Aktori Armend Smajli, i cili portretizon Kushtrimin, ka thënë se ky çmim tregon se një histori e Kosovës mund të komunikojë gjithandej me publikun.

Siç ka raportuar mediumi amerikan ”The Wrap”, që kryesisht mbulon ngjarjet në Hollywood, drejtori ekzekutiv i Festivalit, Roger Durling, ka falënderuar të gjithë ata që i kanë ndihmuar gjatë festivalit e që u janë bashkuar për të festuar me më shumë se 200 filma.

Më gjerësisht në edicionin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”