Kulturë

“Chopin Piano Fest” akordohet për një edicion me stile e ngjyra të ndryshme

Për një muaj, “Chopin Piano Fest” do të sjellë aktivitete të ndryshme, të cilat kanë për qëllim promovimin e muzikës klasike. Festivali – që konsiderohet një pasuri kulturore e vendit – është duke u përshtatur me masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Programi i sivjetmë përmbajtësisht ngjason me atë që ishte planifikuar për vitin e kaluar – i cili nuk u mbajt për shkak të pandemisë – por dallohet edhe për risi

“Chopin Piano Fest” po synon që nëpërmjet muzikës ta luftojë rutinën e shkaktuar nga koronavirusi. Një program që kalon nëpër periudha të ndryshme përmes artistëve virtuozë synohet në këtë vit. Edicioni i sivjetmë është një gërshetim i sjelljeve të reja, duke e ruajtur strukturën e programit të edicionit të kaluar, i cili nuk u mbajt.

Festivali që nisi rastësisht në vitin 2009, për ta shënuar 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit polak Frederik Chopin, sivjet shënon edicionin e 11-të. “Chopin Piano Fest” gjatë këtyre viteve ka ofruar koncerte me pianistë të shkëlqyeshëm nga vendi dhe bota, me recitale, formacione kamertale dhe Filharmoninë e Kosovës. Një program të tillë të pasur organizatorët po e synojnë edhe këtë vit. Besa Luzha, drejtoreshë organizative e “Chopin Piano Fest”, ka thënë se ky edicion është tejet simbolik.

“Në kuptimin e mbijetesës, vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe mosdorëzimit, në rrethanat e pandemisë”, ka thënë ajo.

Vitin e kaluar, ndonëse u përgatitën për një program të pasur e të larmishëm, të përgatitur me kujdes nga drejtoresha artistike dhe presidentja e festivalit, pianistja Lejla Pula, pandemia i ndryshoi gjërat. Në mënyrë simbolike edicioni i vitit të kaluar u shënua vetëm përmes disa videoperformancave të incizuara nga artistët që ishin ftuar të bëhen pjesë e festivalit. E gërshetimi i programit të vitit të kaluar me prurje të reja ka bërë që gjithçka të riaranzhohet nga e para.

Edicioni i 11-të do të shënohet me 15 koncerte. Do të ketë recitale pianistike të emrave të njohur në skenën e pianizmit ndërkombëtar, si: Tutu Aydinougly nga Turqia, Stefan Moller nga Austria, Georgely Kovacz nga Hungaria, Jerome Granjon nga Franca, Raphael Luscewszky nga Polonia dhe Dino Imeri nga Maqedonia. Pastaj, një mbrëmje operistike me Marjana Lekajn dhe Armaldo Kllogjerin nga Shqipëria, të shoqëruar nga Lejla Pula, dhe një seri koncertesh ku prezantohen talentet e rinj. Festivali do të përmbyllet më dy mbrëmjet e fundit solistike me Gabriele Carcano nga Italia më 29 qershor dhe me Zoya Shuhatovic nga SHBA-ja më 30 qershor. Kjo e fundit është një veterane e pianizmit, një artiste e shquar në skenën pianistike ndërkombëtare.

“Pra, programi ka larushi, freski dhe është tejet interesant. Pra, do të ketë ‘shije’ dhe ‘ngjyra’ të ndryshme në çdo mbrëmje”, ka thënë Luzha.

Ka treguar se edhe në këtë edicion, me ndihmën e pianistes Ardita Statovci, do të mbahet gara për “Çmimin Special Chopin Piano Fest Prishtina”, ku fituesi do të shpërblehet me vizitë studimore në Gjermani, masterklasë në universitet gjerman dhe koncerte të organizuara në rrethe të artdashësve gjermanë, gjithë kjo me mbështetje të sponsorit të çmimit Heribert Groege. Luzha ka thënë se po ashtu do të ketë ligjërata masterklasë për studentët, në kuadër të bashkëpunimit të festivalit me Universitetin e Prishtinës.

“Festivalet si ky dhe të tjerët që janë tashmë ikona të Prishtinës dhe të vendit, janë pasuri kombëtare dhe duhet të trajtohen si të tilla. Përpos programit artistik që sjellin për audiencën e interesuar dhe vlerave të larta artistike që prezantohen, ato shërbejnë edhe si ura bashkëpunimi në mes të artistëve, institucioneve e vendeve dhe ndihmojnë në promovimin e mirë të vendit, kulturës dhe imazhit tonë në botë”, ka thënë Luzha për “Chopin Piano Fest”.

Mirëpo, sipas Luzhës, akoma mbetet problematike salla koncertale. “Kur të kompletohet edhe ajo atëherë do të mund të sjellim vërtet yje të pianizmit dhe të muzikës që të koncertojnë në Prishtinë. Kjo i bën nder qytetit, institucioneve dhe vendit në përgjithësi”, ka thënë ajo. Ka treguar se sivjet veçanti e festivalit do të jetë edhe një kontribut i “Chopin Piano Festit” në fushën e krijimtarisë muzikore. Kanë përgatitur një botim më vepra të reja, kompozuar enkas për festival.

“Tani ato, përveçqë janë të shkruara mirë në format digjital, do të jenë të qasshme edhe në formë të botimit, për t’ua dhuruar pianistëve mysafirë që ata t’i luajnë dhe promovojnë ato në koncertet e tyre nëpër botë, por edhe të interpretohen nga pianistët tanë të rinj”, ka thënë Luzha për botimin e përgatitur nga kompozitori i ri Liburn Jupolli, i ndihmuar edhe nga studenti i kompozimit Yll Daklani. “Një dhuratë e festivalit tonë për fondin e krijimtarisë pianistike në Kosovë”, ka thënë Luzha për këtë botim.

Koncertet do të mbahen në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. “Asnjëherë nuk kemi mbajtur festivalin në mot të ngrohtë, në atë sallë, prandaj jemi pak të brengosur, megjithëse aty është klimatizimi i duhur, por duhet shumë angazhim që ajo sallë të përshtatet për natyrën e një festivali pianistik”, ka thënë Luzha. Ka treguar se me shumë mundësi do të ketë masa për parandalimin e përhapjes së koroanvirusit dhe stafi është duke punuar që gjithçka të jetë konform tyre.