Kulturë

Çeku për “Xhorxh Bush”: Nuk pezullohet vendimi i Inspektoratit

Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” të ndaluara në këtë pjesë qysh në ditën e parafundit të prillit (Foto: Driton Paçarada)

Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” të ndaluara në këtë pjesë qysh në ditën e parafundit të prillit kur kulmuan përplasjet dhe spektakli, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës nuk mund të vazhdojnë pasi Komunës së Prishtinës i është hedhur poshtë “padia/kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit” që ia ndalon punimet

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për pezullim të vendimit të Inspektoratit për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

Çeku e ka publikuar në Facebook aktvendimin në të cilën Komuna e Prishtinës kërkonte shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për ndalim punimesh deri në vendimin e Gjykatës për rastin.

“Provuan një herë, dështuan. Provuan për së dyti, prapë e morën të njëjtën përgjigje nga gjykata: REFUZOHET si e pabazuar kërkesa e komunës së Prishtinës. Po, bëhet fjalë për projektin e kundërligjshëm të sheshit ‘Xhorxh Bush’. Gjykata dy herë foli qartë, nuk pezullohet vendimi i Inspektoriatit të Trashëgimisë Kulturore. Nga fillimi ju kemi treguar që janë duke e shkelur ligjin me dy këmbë. Por ata vazhduan me qasjen e tyre shpërfillëse, e për më keq, na akuzuan për bllokim. Nuk i morën lejet e nevojshme, nuk i konsultuan banorët, nuk i zgjidhën çështjet pronësore, lidhën kontratë të kundërligjshme, gjykata dy herë ua refuzoi kërkesën për pezullim”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Ai e ka kthyer këtë çështje edhe në fushatë duke thënë se “zgjidhjet e qëndrueshme për Prishtinën do të nisin pas 12 Tetorit”.  “Me vizion zhvillimor dhe me ligjshmëri të plotë”, ka shkruar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kryeqytetit.

Gjykata e Apelit e pati anuluar në korrik vendimin e parë të Themelores për ndalimin e punimeve dhe e pati kthyer çështjen në rishqyrtim. Në rishqyrtim pati kërkuar nga Themelorja që të tregojë se kush ka të drejtë në kontestin për ndërtimet në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë: Komuna që synon ta çojë projektin përpara apo Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, që i ka ndalur punimet. Themelorja nuk e pati trajtuar problemin, me arsyetimin se Komuna nuk kishte të drejtë ta bënte ankesën për pezullimin e punimeve. Por Apeli ka gjykuar ndryshe, dhe e ka urdhëruar Themeloren ta rishqyrtojë vendimin e të vendosë përmbajtësisht. E pas këtij vendimi të Apelit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pati konstatuar se Komuna ka pasur të drejtë dhe se nisja e punimeve ka qenë në përputhje me interesin publik dhe me ligjin.

Në vendimin e parë, në fund të qershorit, Gjykata Themelore e la në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për anulimin e punimeve, meqë ato nisën pa miratim të projekteve nga Instituti për Mbrojten e Monumenteve.

Komuna ende nuk i ka bërë plotësimet e kërkuara nga Instituti, dhe pa e përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore, ka insistuar të realizohen punimet midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.

Kryetari Rama ka insistuar se projekti është në të mirë të kryeqytetit dhe qytetarëve të tij.

Punimet në rrugën e kthyer në shesh, që janë kontraktuar për 18.4 milionë euro, u ndaluan disa herë që nga muaji mars, për herë të fundit, pranë katedrales “Nëna Terezë”, kur fillimisht nisi gërmimi i rrugës në pjesën që nuk është nën mbrotje, e kur gërmimi filloi edhe në pjesën e mbrojtur, atëherë punimet u ndaluan nga Inspektorati.

Pavarësisht vërejtjeve nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, Komuna nuk i ka bërë ende ndryshimet në projekt, në mënyrë që të sigurojë leje për punimet në zonën e mbrojtur.

Raportimet e KOHËS për "Xhorxh Bushin"