Edhe sot e kësaj dite, një shekull pas, fati i stërgjyshit të tij mbetet mister. Hasan Devaja mori pjesë në Betejën e Çanakalasë. U vra dhe varri nuk iu gjet kurrë. E mistershme është gati krejt historia e pjesëmarrjes së shqiptarëve në atë luftë. Por Kurtesh Devaja synon ta zbardhë atë e mbi të gjitha thërret që ai kapitull historie të mos harrohet. “Çanakalaja dhe shqiptarët” është rrëfimi për tragjedinë e jashtëzakonshme për afro 25 mijë shqiptarë që lanë jetën atje
Në historinë botërore, por edhe atë shqiptare ajo qe një nga betejat më të përgjakshme të shekullit XX. Pak e dokumentuar ose rëndom në variante të ndryshme, jo rrallë në këngë folklorike. Por “Çanakalaja dhe shqiptarët” mëton të kundërtën. Teksa dokumenton, vjen si një rrëfim për gjakun e harruar.
Të premten në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, përurimi i librit “Çanakalaja dhe shqiptarët” të autorit Kurtesh Devaja ka mbledhur miq dhe dashamirë të historisë jo vetëm për ta kremtuar një vepër të re, por edhe për të kujtuar dhe nderuar kontributin e shqiptarëve në betejën që mbetet një kapitull i dhimbshëm dhe pak i dokumentuar, ku me mijëra dhanë jetën pa lënë gjurmë të qarta në arkivat historike.
Libri i Devajës synon të ndriçojë këtë pjesë të errët të historisë kolektive, duke sjellë në dritë dëshmi, fakte dhe rrëfime që lidhin fatin e shqiptarëve me këtë ngjarje të madhe historike.
Beteja e Çanakalasë, e njohur edhe si Lufta e Çanakalasë, Beteja e Galipolit e Fushata e Dardaneleve, u zhvillua gjatë Luftës së Parë Botërore dhe zgjati prej 25 prillit të vitit 1915 deri më 9 janar 1916. Llogaritet se aty humbën jetën rreth 280 mijë veta, në mesin e të cilëve 25 mijë shqiptarë.
Përfshiu përleshje të ashpra midis forcave të Antantës dhe Perandorisë Osmane. Me qëllim të kontrollit të ngushticës së Dardaneleve dhe rrëzimit të Perandorisë Osmane, aleatët ndërmorën një ofensivë të madhe që rezultoi me humbje të mëdha në të dyja anët. Fituan forcat osmane dhe lavdinë e saj e feston Turqia
Kurtesh Devaja është gazetar, publicist, si dhe shkrimtar i mbi dhjetë librave të zhanreve të ndryshme. Kësaj radhe është marrë me historinë e Betejës së Çanakalasë.
Paraprakisht, redaktori i librit, Nazmi Rrahmani, ka theksuar se vepra ka një synim të qartë.
“’Çanakalaja dhe shqiptarët’, botimi i së cilës është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka për qëllim kryesor hulumtimin e atyre gjurmëve që shqiptarët i lanë në Luftën e Parë Botërore, në atë luftë që u zhvillua në Çanakala e që ishte një tragjedi e jashtëzakonshme për afro 25 mijë shqiptarë që lanë jetën atje”, ka thënë Rrahmani gjatë fjalimit në fillim të promovimit.

Me të njëjtën qasje, akademiku Mehmet Halimi ka vlerësuar se jo vetëm temën që trajton libri, por edhe vetë autorin, duke e ndërlidhur përkushtimin e tij me trashëgiminë familjare dhe ndjenjën e thellë të përgjegjësisë historike që ai bart.
“Kurtesh Devaja e ka zanafillën në një familje të dalluar fisnike, patriotike, bujare, e arsimuar dhe e emancipuar jo vetëm në Anamoravë, por edhe në mbarë popullin shqiptar, e cila u shqua për kontributin e saj duke dhënë luftëtarë, pushtetarë, intelektualë në shërbim të popullit dhe atdheut, ndaj është shumë e natyrshme dhe e pritshme, që, siç thotë populli, ‘Dardha pik nën dardhë!’”, ka thënë Halimi. Lufta e Çanakalasë, ku autori i përshkruan ngjarjet aq të dhimbshme, aq tragjike e dramatike, si vajtim elegjiak janë dëgjuar në këngën popullore “Çanakalaja mrena”.
Këto ngjarje historike, sipas Halimit, autori i paraqet “jo vetëm me të dhëna gojore e shkencore, me fakte e argumente arkivore konkrete e të bindshme, por edhe me një mjeshtri të rrallë, të përkryer artistike”.
Recensenti i librit, historiani Qazim Namani ka veçuar edhe anën shkencore të librit.
“Në këtë libër përfshihen dëshmi të mbështetura në dokumente burimore nga arkivat, fotografi, statistika dhe referenca nga autorë të ndryshëm. Andaj kjo tregon se kemi të bëjmë me një vepër të kompletuar por edhe me përmbajtje shkencore”, ka thënë Namani.
Në hapje të fjalimit të tij, vetë autori ka ndarë motivin më personal të librit: historinë e stërgjyshit të tij, Hasanit, që kishte marrë pjesë në Betejën e Çanakalasë dhe nuk ishte kthyer më. Me një ton të ndjeshëm dhe të ngarkuar emocionalisht, Devaja ka përmendur se kërkimi i së vërtetës familjare u bë një shtysë për të hapur një kapitull më të gjerë historik, që përfshin mijëra shqiptarë të tjerë me fat të ngjashëm.
“Motivin për ta shkruar këtë libër e kam marrë prej stërgjyshit tim, Hasanit, i cili ka marrë pjesë në Betejën e Çanakalasë dhe nuk është kthyer kurrë nga atje dhe sot e kësaj dite nuk dihet varri i tij. Nuk ka qenë e lehtë të sigurohen të dhëna të sakta sa i përket kësaj beteje në Çanakala, përkatësisht Galipoli, e zhvilluar para më shumë se një shekulli ndërmjet dy fuqive më të mëdha ushtarake botërore të asaj kohe”, ka thënë autori Devaja gjatë fjalimit para publikut.
Pjesë e rrëfimit të tij ishte edhe përvoja personale e vizitës në Muzeun e Çanakalasë, ku pa nga afër artefaktet dhe mbetjet ushtarake të kësaj lufte tragjike.
“Në Çanakala ndodhet muzeu i luftës, të cilin e kam vizituar. Aty janë ekspozuar artefaktet, përkatësisht mbetjet ushtarake, si dhe kalaja në të cilën ishte strehuar shtabi i ushtrisë turke. Ishte vërtet një muze i jashtëzakonshëm, i cili përshkruan përmes mbetjeve luftën e tmerrshme që ka ndodhur atje”, ka thënë ai.
Shkrimtari Danush Dalloshi e ka vlerësuar librin si një punim shumë serioz e emocional dhe kujtoi se kënga e Çanakalasë ishte gjithmonë e pranishme në dasmat dhe ndejat e dikurshme.
“Ka qenë një punim shumë serioz, sepse kur kam qenë në moshë të re e kemi dëgjuar në këngë popullore, nëpër dasma e këndonin këngën e Çanakalasë dhe lotonin pleqtë aty, për shkak se shumë prej tyre kishin humbur gjyshërit e baballarët e tyre dhe gjithmonë kishin një dhimbje. Kjo është një punë që qet në dritë gjakun që kanë dhënë shqiptarët atje, kontributin e tyre për Turqinë e re të Ataturkut, kështu që është një punim që i qet në dritë këto gjëra, punim shumë serioz dhe me të vërtetë edhe emocional”, ka thënë për KOHËN Dalloshi pas përfundimit të promovimit të librit.
Në fund, autori Devaja ka theksuar se qëllimi i tij kryesor ka qenë ndriçimi i një ngjarjeje që ka mbetur në hije.
“Qëllimi kryesor ka qenë që ta ndriçoj këtë ngjarje, e cila ka mbetur mister. Kanë vdekur 25 mijë shqiptarë, nuk figurojnë askund, varret e disave prej tyre janë në Galipoli dhe pjesës tjetër i mungojnë varret, për arsye se kanë shkuar vullnetarë, pa dokumente, sepse kur janë dëbuar, u janë grisur dhe asgjësuar dokumentet, kanë shkuar grupe-grupe pa dokumente dhe kanë hyrë në luftë. Shqiptarët, Çanakalanë e kanë përkujtuar vetëm përmes këngës që e kanë dëgjuar”, ka thënë për KOHËN autori Kurtesh Devaja.
Ai ka shtuar se historia shqiptare ende ka nevojë për ndriçim dhe pasurim përmes dokumenteve dhe kërkimeve të reja.
“Mbetet detyrë e historiografëve shqiptarë që ta begatojnë historinë tonë, e cila ende ka nevojë për hulumtime, gjurmime e sigurimin e dokumenteve, për të treguar se kush kanë qenë shqiptarët, popull paqedashës, i cili i ka ndihmuar të gjithë gjatë historisë, mirëpo pak i kanë ndihmuar popullit shqiptar”, ka thënë ai.
Përtej fakteve dhe statistikave, ngjarja në njëfarë mënyre “riktheu” dinjitetin e atyre mijëra shqiptarëve që humbën jetën pa emër e pa varr. Qe një thirrje e qetë, por e fuqishme, për të mos lejuar që kujtesa historike të shuhet ndër breza, në një kohë kur historia rrezikon të harrohet ose të shtrembërohet.
LEXO EDHE: