Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Çajtorja” e Petrit Halilajt në Berlin, Kosovë që s’digjet nga nacionalizmi serb

Çajtore

Në kryeqytetin gjerman, banor rezident i të cilit është, Petrit Halilaj ka hapur një “Çajtore” që me pak ndërhyrje mund të lexohet edhe “Gaytore”. Brenda është ekspozita “Who does the earth belong to while painting the wind?!” (Kujt i përket toka derisa pikturohet era?) U hap me dajre, këngë e valle... (Foto: Marjorie Brunet Plaza)

Në lexim të parë është “Çajtore”. Intervenimi e ka bërë edhe “Gaytore”. Brenda është një Kosovë në miniaturë. Titulli i ekspozitës është kompleks: “Kujt i përket toka derisa pikturohet era?” Historia e zanafilla e saj, po ashtu: Kur në Drenicë po përgatitej për operën “Syrigana”, një kontejneri rekuizitash iu vu flaka. Në të u lanë shenjat e nacionalizmit serb. Petrit Halilaj heshti deri tash. Kontejnerin e shkrumbuar e shndërroi në vepër arti, atij i dha tjetër jetë duke denoncuar krimin, por duke i dhënë tjetër kuptim. Dëshmoi pafuqinë e nacionalizmit për ta prishur parajsën e tij – Kosovën. Aty ka edhe vepra që gjatë luftës, e ëma e tij ia groposi. Por “Çajtorja” në Berlin, s’është vetëm historia e tij

Në fundqershorin e vitit të kaluar, Petrit Halilaj po lëvizte vrullshëm nëpër kodrinat e “Gjytetit” të Syriganës së Skenderajt. “Fluturonte” bash si zogjtë e tij që i ka të pandashëm kudo që lë shenjë të artit nëpër botë. Përgatitej opera “Syrigana”, një rrëfim dashurie ku Adami dhe Eva – bazuar në besëtytnitë lokale – para mijëra vjetëve kishin zgjedhur që pikërisht në ato kodrina të kurorëzonin dashurinë e tyre. E në një mëngjes pak ditë para premierës, ai do të tronditej. Kontejnerët ku gjendeshin krejt rekuizitat për “Kopshtin e Edenit” u gjetën të djegur. Pos kësaj vandalët aty lanë edhe shenjë nacionaliste serbe. Aso shenja që ishin lajmotiv i skuadrave që vrisnin shqiptarë më 1998-1999. Po ashtu këto shenja u panë edhe në rrugën e asfaltuar. Halilaj s’reagoi fare. As nuk e bëri publik rastin. Pa e konfirmuar atë që shihej e u dokumentua edhe në foto, do të deklaronte se do të përgjigjej dikur më vonë. Tash ka zgjedhur të përgjigjet. Dhe atë në stilin e tij: me ekspozitë. 
Në kryeqytetin gjerman, banor rezident i të cilit është, ka hapur një “Çajtore” që me pak ndërhyrje mund të lexohet edhe “Gaytore”. Brenda është ekspozita “Who does the earth belong to while painting the wind?!” (Kujt i përket toka derisa pikturohet era?) 

Kontejnerët ku gjendeshin krejt rekuizitat për “Kopshtin e Edenit” u gjetën të djegur në qershorin e vitit të kaluar në Drenicë. Tash janë në “Çajtore” në Berlin (Foto: Marjorie Brunet Plaza)

Ka marrë njërin kontejner që kundërmon shkrumb. Është dëshmi e vandalitetit dhe sulmit ndaj “Kopshtit të Edenit”. Në bazë të shenjave të lëna aty, atë gjest e ka bërë mendësia që shkatërroi Kosovën më 1998 dhe 1999, duke e bërë në masë të madhe shkrumb e hi me mbi 10 mijë viktima civile e rreth një milion refugjatë shqiptarë. Në mesin e tyre qe Petrit Halilaj si adoleshent që la prapa shtëpinë e djegur. Midis gjërave me vlerë që i groposi nën sipërfaqen e tokës, e ëma e Halilajt, Shkurte Halilaj, qenë edhe disa vizatime të të birit. I shpëtoi ato nga forcat serbe. E artisti Halilaj tash në Berlin ka dërguar edhe një prej atyre që i rigjeti pas luftës kur i nxorën nga sipërfaqja e tokës gjërat e vlefshme. Në galerinë “ChertLüdde” rrëfen për nacionalizmin serb para gati tri dekadash dhe atë të vjetshëm, ku nëpërmjet simboleve e mbishkrimeve, ajo mendësi vrastare tentoi t’ia shkatërrojë  “Kopshtin e Edenit”. Nga fillimi i këtij muaji deri më 25 qershor, vizitorët do të njihen me rrëfimin e Haliljat. Por si artist me renome ndërkombëtare e ekspozita deri në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, Halilaj s’rrëfen veç për dhunë. Mision e ka paqen. Tregon edhe për qejfet e “Çajtores”, këngët me defe e lirinë që duhet ta kenë njerëzit në atë që lexohet edhe si “Gaytore”. Kjo ekspozitë në Gjermani vjen pasi vitin e kaluar me  “An Opera Out of Time” u prezantua në institucion prestigjioz të Berlinit, në “Hamburger Bahnhof”. Edhe ekspozita e re ka lidhje me të, por si një tjetër horizont arti e rrëfimi. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
“Në atë kontejner ishin pjesë të një parajse që po e ndërtonim: dardhat, lulet, elementet e skenës, gjurmët e një ëndrre kolektive. Pas djegies, aty mbetën edhe mesazhe urrejtjeje të shkruara me sprej, ndër to ‘kill you’ dhe shenja që lidhet me katër C-të/kryqin serb...”, thotë Petrit Halilaj (Foto: Marjorie Brunet Plaza)

“Sapo vizitorët hyjnë në galeri, ata futen në një hapësirë të mbushur me qilima tradicionalë kosovarë, libra dhe defe (daulle të vogla) të vendosura për të krijuar një ambient të rehatshëm për mbledhje, shkëmbim dhe biseda. Brendësia mbështetet në traditat e odës dhe çajtores në Kosovë, të dyja vende kyçe të jetës shoqërore”, shkruhet në përshkrimin që i bën Galeria ekspozitës. Vizatimi i tij ku paraqitet një peizazh pa titull daton në vitin 1997. I posedon edhe shenjat e luftës. “Varrosja” për ta nxjerrë në pah në ditë më të mira i ka lënë gjurmët e veta. Galeria shpjegon historinë se si ushtria jugosllave e udhëhequr nga Serbia nën Slobodan Milosheviqin zhvilloi një fushatë zhdukjeje dhe spastrimi etnik kundër popullsisë shqiptare të Kosovës. 

“Duke mbajtur gjurmët e varrosjes, vizatimi dëshmon sa thellë është e rrënjosur në historinë e tokës një lidhje që shtrihet edhe te veprat e tjera të ekspozuara”, shpjegon Galeria. E nëpërmjet videos “Who does the earth belong to while painting the wind?!”, vepër e vitit 2012 ai parqet Kostërrcin, kodrinën ngjitur me Runikun e Skenderajt. Është vëzhgim 24-orësh i fluturave si njëfarë sinonimi i lirisë. Po ashtu, institucioni sqaron se më 20 qershor 2025, vetëm disa ditë para premierës së operës “Syrigana”, dy kontejnerë që ruanin rekuizita për aktin e dytë, u sulmuan nga autorë të panjohur, të cilët i dëmtuan me mbishkrime urrejtjeje dhe simbole nacionaliste serbe, para se t’ua vinin zjarrin. 
“Një pjesë e madhe e skenografisë së ‘Kopshtit të Edenit’ u shkatërrua nga zjarri,  nga lulet skulpturore dhe dardhat, deri te okarinat dhe rekuizitat si helikopterët dhe qilimat”, shkruhet në sqarim. Dardhat tash janë në ekspozitë si lidhje me Dardaninë, Kosovën e antikitetit. Copëzat e mëdha të kontejnerit të shpërndara për efekt vizual shoqërohen edhe nga zogj të zinj me shumë simbolika. E dardha vjen si etimologji e Dardanisë e shtjellim i rrëfimeve historike, folklorit dhe besimeve popullore. Ekspozita përmban edhe shumë vepra të tjera me dhjetëra simbolika. 

Kontejneri i djegur në Syriganë të Skënderajt, fotografuar në qershor 2025 (Foto: KOHA)

“Ekspozita lidhet drejtpërdrejt me operën ‘Syrigana’ dhe me atë që ndodhi në Kosovë, kur kontejneri me rekuizitat e operës u dogj në Syriganë, pak ditë para premierës”, ka thënë krejt në fillim Halilaj në përgjigje nëpërmjet postës elektronike për KOHËN, lidhur me ekspozitën e hapur në ditën e parë të majit me këngë e dajre. 

“Në atë kontejner ishin pjesë të një parajse që po e ndërtonim: dardhat, lulet, elementet e skenës, gjurmët e një ëndrre kolektive. Pas djegies, aty mbetën edhe mesazhe urrejtjeje të shkruara me sprej, ndër to ‘kill you’ dhe shenja që lidhet me katër C-të/kryqin serb, që shpesh interpretohet përmes frazës ‘Samo sloga Srbina spašava’ – ‘Vetëm uniteti i shpëton serbët’. Ky simbol është pjesë e heraldikës dhe identitetit nacional serb, por në kontekstin e luftërave të viteve 1990 dhe të dhunës në hapësirat e ish-Jugosllavisë është përdorur shpesh edhe si shenjë nacionaliste dhe kërcënuese”, ka thënë Halilaj. Ka sqaruar se kur një shenjë e tillë shfaqet mbi një kontejner të djegur në Drenicë, bashkë me fjalët “kill you”, ajo nuk mund të lexohet vetëm si dekor apo si rastësi. Sipas tij, ajo bëhet pjesë e një historie më të gjatë të frikësimit, urrejtjes dhe tentativës për të ndalur kulturën.

Vizatimi i Halilajt ku paraqitet një peizazh pa titull daton në vitin 1997. I posedon edhe shenjat e luftës. “Varrosja” për ta nxjerrë në pah në ditë më të mira i ka lënë gjurmët e veta (Foto: Marjorie Brunet Plaza)

“Në fillim menduam të flisnim menjëherë, të jepnim intervistë, ta tregonim lajmin. Por zemra ime ishte shumë e thyer. Në të njëjtën kohë, e dija se nuk duhej ta bënim lajmin e keq më të madh se ëndrra. Nuk doja që djegia të bëhej ngjarja kryesore. Ngjarja kryesore ishte dhe mbetet opera, njerëzit, bashkimi, zëri, kënga, puna dhe dashuria që e bënë të mundur që ‘Syrigana’ të ndodhte në Drenicë”, ka rrëfyer ai nëpërmjet përgjigjeve të gjata. Ka falënderuar institucionet, familjen e miqtë që e mbështetën e s’e lanë vetë në atë moment. Sipas tij, tash ai kontejner është shndërruar në vepër arti dhe në Berlin, nuk paraqitet thjesht si dëshmi e një sulmi, por si një trup i transformuar: i kthyer përmbys, i hapur, i copëtuar, i bërë poroz. 

“Brenda tij ka një dardhë dhe zogj të zinj. Për mua, dardha lidhet me Dardaninë, me tokën, me kujtesën, me një lloj parajse që nuk mund të digjet. Zogjtë janë dëshmitarë, por edhe qenie që vazhdojnë të fluturojnë përtej kufijve, përtej dhunës, përtej narrativave të ngushta nacionaliste”, ka thënë Halilaj. Ka treguar se një pjesë tjetër e ekspozitës është menduar si një çajtore, por gjatë procesit ajo është transformuar edhe në “Gaytore”. Ka thënë se  nuk e di ende nëse kjo ka ardhur nga një gabim në vizatim apo nga një nevojë më e thellë për ta shtuar një vijë tjetër, një hapje tjetër. 
“Por për mua, gabimi, transformimi dhe kalimi prej një kuptimi në një tjetër janë pjesë e jetës dhe e procesit artistik”, ka thënë ai. Për të “Çajtorja” është një dhomë mikpritjeje, leximi dhe bisede e “Gaytorja” është edhe më shumë. 

“Sapo vizitorët hyjnë në galeri, ata futen në një hapësirë të mbushur me qilima tradicionalë kosovarë, libra dhe defe të vendosura për të krijuar një ambient të rehatshëm për mbledhje, shkëmbim dhe biseda” (Foto: Marjorie Brunet Plaza)

“Një hapësirë ku nuk duhet ta braktisim atë që jemi për t’u ndier të pranuar. Është një hapësirë ku mund të hyjnë tradita, komuniteti shqiptar, komuniteti ndërkombëtar, defet, këngët, trupat queer, kujtesa, dëshira, dashuria dhe historia. Për mua kjo është shumë e rëndësishme, sepse në shoqërinë tonë jemi ende duke mësuar si të ndërtojmë hapësirë për secilin dhe për gjithçka. Jeta është më e bukur kur ka vend për më shumë forma të të qenit, më shumë gjuhë, më shumë dashuri, më shumë ngjyra”, ka thënë Halilaj, i cili është artisti bashkëkohor shqiptar më me nam në botë. Ka përshkruar se të shihje defet dhe komunitetin shqiptar e ndërkombëtar së bashku përballë “Gaytores” ishte një moment shumë i bukur dhe domethënës. Ka sqaruar se në këtë hapësirë gjenden edhe libra, dokumente historike dhe materiale që shpesh janë shumë të rënda, përfshirë tekste ku shfaqen ide të vjetra koloniale dhe obsesione akademike e politike për dëbimin ose zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës. Aty zë vend edhe libri i kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq, “The Albanians and the Great Powers”. Në këtë vepër të vitit 1913 teksti i paraqiste shqiptarët në mënyrën më çnjerëzore, si kafshë të rrezikshme madje që bartnin edhe bisht deri në shekullin e 19-të.

Për Petrit Halilajn, “Çajtorja” është një dhomë mikpritjeje, leximi dhe bisede e “Gaytorja” është edhe më shumë (Foto: Marjorie Brunet Plaza)

“Përballë kësaj rëndese, kam vendosur edhe libra për zogj, pula, këngë, kafshë dhe forma të tjera jete. Ndonjëherë, vetëm prania e një zogu apo e një pule mund ta çarmatosë absurditetin e një ideologjie të dhunshme”, ka thënë Halilaj. Si artist ka perspektiva të ndryshme. Është i hapur për diskutim dhe s’paragjykon. 

“Unë nuk dua ta ngushtoj pyetjen vetëm te ‘kush e bëri?’ Pyetja ime është më e thellë: pse u dogj kontejneri me rekuizitat e parajsës? Çfarë mendjeje mendon se mund të djegë një parajsë? Çfarë e justifikon një akt të tillë? Kjo është pyetja që dua ta ndaj me publikun në Berlin, në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë ai. Ka rrëfyer se në hapje të ekspozitës ishte një natë bashkimi, ku tradita është shkrirë me bashkëkohoren e ku jo vetëm treguan një histori, por edhe u gëzuan, kënduan, kërcyen, u kënaqën e fluturuan.

“E di që është privilegj të mund ta sjell këtë histori në Berlin, ta analizoj, ta transformoj dhe ta ndaj me botën. Por mendoj se kjo është edhe përgjegjësi. Sot duhet t’i kuptojmë këto histori, t’i analizojmë, t’i ndajmë dhe t’i transformojmë. Një ditë, në Kosovë dhe në Ballkan, shpresoj se do t’i shohim këto vetëm si histori të së kaluarës. Por për të arritur aty, duhet të kemi guximin t’i shikojmë, t’i themi dhe t’i kthejmë në diçka që hap jetë, jo që mbyll jetë”, ka thënë Halilaj. 

Ekspozitën në Berlin, Halilaj e ka hapur dy vjet pasi në Muzeun Metropolitan në New York me “Abetare” shpalosi ëndrrat e fëmijëve të Ballkanit. Ëndrrat e sinqerta, ato të gravuara në banka të shkollës. Kësaj radhe në Berlin, Halilaj prapë shpalos ëndrra. Por edhe të bëma nacionaliste që tentojnë t’ia zënë frymën së ardhmes. Por me Halilajn e kanë betejën e humbur. Ai gjen rrugë, të rrëfejë, të ëndërrojë e të pyesë se “Kujt i përket toka derisa pikturohet era?”