Kulturë

Byzylyku tre mijë vjet i vjetër i Egjiptit u shit dhe u shkri

Byzylyku ​​i rrallë prej ari u vodh nga një restauruese, e cila e shiti atë për më pak se 4 mijë dollarë dhe më pas u shkri dhe humbi përgjithmonë

Byzylyku ​​i rrallë prej ari u vodh nga një restauruese, e cila e shiti atë për më pak se 4 mijë dollarë dhe më pas u shkri dhe humbi përgjithmonë

Vetëm pak ditë pasi autoritetet egjiptiane njoftuan se një byzylyk i rrallë tre mijë vjet i vjetër ishte zhdukur nga një laborator restaurimi në Muzeun Egjiptian në Kajro, policia ka njoftuar se kërkimi ka fund tragjik.

Siç ka raportuar “CBS News”, byzylyku ​​i rrallë prej ari u vodh nga një restauruese e cila e shiti atë për më pak se 4 mijë dollarë (3 mijë e 406 euro), dhe më pas u shkri dhe humbi përgjithmonë.

Ministria e Brendshme e Egjiptit ka njoftuar se katër persona u arrestuan në lidhje me zhdukjen e byzylykut. Sipas tyre, byzylyku ​​u vodh nga kasaforta në laboratorin e restaurimit më 9 shtator nga një restauruese e punësuar në muze.

Krahas njoftimit, Ministria ka publikuar edhe pamje nga kamerat e mbikëqyrjes që dëshmonin pronarin e një punishteje duke marrë byzylykun, duke e matur atë dhe më pas duke i paguar njërit prej të dyshuarve. Ministria ka theksuar se të gjithë të përfshirët në këtë rast u ndaluan dhe se paratë nga shitja e byzylykut u konfiskuan.

Ditë më parë autoritetet në të gjithë Egjiptin u vunë në kërkim të këtij artefakti.  Byzylyku i rrallë prej ari, i zbukuruar me rruaza, datonte që nga mbretërimi i mbretit Amenemope, faraonit të Egjiptit të lashtë. Ai i përkiste dinastisë së 21-të të sundimtarëve, e cila sundoi prej vitit 993 deri në vitin 984 para erës sonë. Ministria e Antikiteteve kishte njoftuar se ka ndërmarrë veprime të menjëhershme pasi byzylyku ​​u zhduk nga laboratori i restaurimit të Muzeut Egjiptian dhe ia dorëzoi rastin policisë.

Fotoja e byzylykut ishte dërguar në të gjitha aeroportet, portet dhe pikat kufitare të Egjiptit si masë paraprake për të parandaluar kontrabandën, kishte njoftuar kjo ministri. Gjithashtu ishte themeluar edhe një organ i posaçëm për të listuar dhe inspektuar të gjitha veprat e ruajtura në laboratorin e restaurimit. Ministria deklaroi gjithashtu se qëllimisht nuk doli menjëherë me njoftim për zhdukjen e byzylykut. Kjo u bë “me qëllim për sigurimin e kushteve të përshtatshme për vazhdimin e hetimit”. Nuk kishin bërë të ditur se kur është parë byzylyku ​​për herë të fundit.

Gazeta egjiptiane “Al-Misri al-Jawm” kishte raportuar se zhdukja u zbulua së fundmi, derisa stafi i muzeut po përgatiste dhjetëra vepra për t'u dërguar në Romë për një ekspozitë që është planifikuar të hapet në tetor.

Muzeu Egjiptian në Kajro është më i vjetri arkeologjik në Lindjen e Mesme. Ka më shumë se 170 mijë artefakte, përfshirë maskën e varrimit të punuar në dru e të praruar të Amenemopes. Byzylyku ​​u zhduk gjashtë javë para hapjes së Muzeut të Madh Egjiptian afër Gizës, ku do të ekspozohen thesaret nga varri i Mbretit Tutankhamun.

Marrë nga BBC dhe “CBS News” Përktheu: KOHA