Kulturë

“Burri i shtëpisë” brenda botës së burrneshave

burri i shtepise

Pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, filmi “Burri i shtëpisë” nën regji e me skenar të Andamion Murataj, është dhënë premierë në Kosovë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Të dielën mbrëma ekrani në kino “Armata” është ndezur për ta mbyllur edicionin e 17-të të ngjarjes me rrëfimin për burrneshën moderne. “Burri i shtëpisë” është film prekës, shpeshherë poetik. Është kuptimplotë dhe sinqeriteti i personazheve është i thellë. Aty nuk ka dredhi, as tradhti

Burrnesha moderne është në qendër të filmit “Burri i shtëpisë” nën regji e me skenar të Andamion Murataj. Filmi i gjatë artistik, nëpërmjet portretit të Franit të luajtur nga aktorja Drita Kaba-Karaga, shpalos midis tjerash, një pjesë të identitetit shqiptar e temën autoktone. Ky film e ka përmbyllur programin e edicionit të 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”.

Për premierën e filmit në Prishtinë, salla e kinemasë “Armata” ka qenë plot. Mund të jetë tema, apo mënyra sesi është shpalosur rrëfimi.

“Burri i shtëpisë” është film prekës, shpeshherë poetik. Është kuptimplotë dhe sinqeriteti i personazheve është i thellë. Aty nuk ka dredhi, as tradhti. 

Në qendër ka Franin, një grua që ka zgjedhur të bëj jetë beqare si burrë, duke ndjekur traditën e burrneshave shqiptare. Shpeshherë veprimet e saj e bëjnë të dalë nga kornizat e saj prej burrneshe. Asaj i duhet të marrë vendimin e vështirë për të mos dalë nga statusi i saj “burrë”. Përndryshe do të heqë dorë prej tij për t’i rilindur ndjenjat e një gruaje të cilën e kishte shtypur prej kohësh.

Skena e filmit hapet me Franin dhe atmosferën në një linjë rreth qytetit si shofer i furgonit me të cilën transportohen udhëtarë. Është burrnesha e cila çdo ditë takon fenomene të cilat e bëjnë secilën herë të besojë se vendimi i saj për të ndryshuar ka qenë i duhur. Ajo është zoti i shtëpisë së saj dhe jo vetëm. Ka reputacion edhe në shoqëri.

Ka pasur jetë të vështirë me bashkëshortin e saj. Kësisoj do të vendoste të bëhej ose burrneshë, ose murgeshë. E zgjodhi të parën.

Si karakter është e ashpër, gjaknxehtë, kontrolluese ndaj familjes. Jeton me mbesën e saj, Zanën dhe me babanë. Zana nuk ka nënë ndërsa babai i saj jeton në Itali.

Në fshatin ku ajo bën çdo ditë të njëjtën rrugë me furgon, pranë është një breg lumi. Frani një ditë vëren se Zana ka dalë të luajë aty. Kjo do të thotë se ajo ka thyer rregullin e “xhaxhait” të saj dhe nga paniku për t’u kthyer sa më parë në shtëpi, bie nga ura. Dërgohet për mjekim në spital dhe mezi shpëton.

Një prej virtyteve të Franit është zotësia. Ai i bën punët që nuk do t’i bënte asnjë burrë i vërtetë. Bën punë të rënda fizike për të përfituar sa më shumë e për të mbajtur shtëpinë. E kundërta është vëllai i tij, babai i Zanës.

Duke u kujdesur për Zanën, Frani shkon duke u zbutur. Veçmas lëndimi serioz në këmbë, e bën atë edhe më empatik. Kulmi i kësaj empatie vjen kur vdes babai i Franit, që luhet nga aktori Bislim Muçaj.

Kur vjen momenti për të ecur përpara, zgjedhja e Zanës e detyron Franin të përballet me frikërat më të thella që kishte përjetuar. Ishte midis: të mbante pranë fëmijën ose t’i jepte krahë asaj. Ndonëse me zemër të thyer, i duhet gjithsesi të zgjedhë të dytën. Zana shkon në Itali me babanë e saj.

Aktorja Drita Kaba – Karaga e cila e luan Franin, ka thënë se ky rol ka qenë tejet sfidues.

“Unë i kam dhënë shpirt e jetë Franit dhe shpresoj se spektatorët ta vlerësojnë. Është i vështirë si çdo rol, gjithmonë ka vështirësi. Që të mund të japësh një pjesë të popullit tënd, një copë nga shpirti dhe historia e grave tona që janë detyruar të bëhen burrnesha, është e vështirë, emocionuese, edhe pas gjithë këtyre komplimenteve që morëm”, ka thënë ajo për KOHËN duke vlerësuar dashurinë e publikut. Filmi u duartrokit gjatë në fund të shfaqjes.

“Procesi ka shkuar me shumë emocion, si në çdo vepër arti që bëhet me mundim, me sakrificë, por edhe me bukuri. Aktorët gjithmonë japin dhe marrin dashuri me shumicë”, ka thënë ajo më tej.

E aktorja e re, Alesia Ruçi, e cila e luan Zanën, ka thënë se kjo përvojë e ka përgatitur për rrugëtimin e saj prej aktoreje.

“Filmi ishte shumë i bukur, nuk e prisja të ishte kaq i bukur. Mendoj se e kam luajtur mirë rolin tim. Më pëlqen shumë të aktroj dhe dua që kur të rritem të bëhem aktor. Solla më të mirë nga vetja për filmin dhe më pëlqeu gjithçka”, ka thënë ajo.

Në gusht, filmi artistik “Burri i shtëpisë” nën regji të Andamion Murataj pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe qe në garë të ngjarjes që vlerësohet prej më të mëdhave në Evropë.

Regjisori Murataj, pas shfaqjes së filmit ka thënë se filmi ka rezultuar i suksesshëm për shkak të punës së aktorëve që luajnë aty.

“Kam pasur fatin të jem disa herë në disa prej festivaleve më të mira në botë, e megjithatë, ky film është i destinuar për publikun shqiptar sepse shumica e aktorëve në film janë nga Kosova. Unë jam një dobësi për nivelin e aktrimit të aktorëve të Kosovës, por gjithashtu që vjen nga niveli po aq i mirë i kinemasë, teatrit dhe artit të Kosovës në përgjithësi. Nuk mund të them se nuk kishte aktorë të mirë. Kur ballafaqohem me publikun kosovar është gjëja më e rëndësishme për mua sepse ata do ta gjykojnë në mënyrën më realiste, përfshirë çdo aspekt të filmit”, ka thënë ai.

Murataj, i cili është edhe skenaristi i filmit, ka thënë se elementi i burrneshës në film shënon edhe identitetin shqiptar. Ka thënë se theksi ka qenë në burrneshën moderne.

“Këto janë prej historive esenciale që na identifikojnë si komb, pra besa, burrneshat, mikpritja, ndihma për komunitetin, identiteti dhe krenaria gjithashtu që ndonjëherë ndoshta kthehen në të kundërtën tonë. Në pikëpamjen tonë, kjo nuk është një gjë e re si tematikë. Ajo që unë shpresoj të ketë qenë kontribut, është një burrneshë e shekullit të 21-të. Është shumë e vështirë ta asociojmë shekullin e 21-të me burrneshat. Nga kjo pikëpamje mendoj se është diçka e re dhe që publiku të ketë treguar”, ka thënë ai më tej.

Në film luajnë edhe aktorë si Basri Lushtaku, Armond Morina, Valina Muçolli, Adem Karaga, Klodian Hoxha e të tjerë.

Filmi “Burri i shtëpisë” është rrëfim i thellë emocional. Vjen si koproduksion i gjashtë shteteve - Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Austrisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pas premierës në Prishtinë synon rrugëtimin ndërkombëtar.