Kulturë

“Broken Circles” me tinguj shprese përballë realitetit të errët

Një nga jazz-muzikantët më të shquar sllovenë i njohur ndërkombëtarisht, saksofonisti që vepron në New York, Jure Pukl, gjendjen sociopolitike në botë, e thur në muzikë. E bën këtë me kompozimet bashkëkohore që i ka përfshirë në albumin e tij të ri “Broken Circles”, që po e promovon nëpër vende të ndryshme. Të enjten mbrëma, këtë album e promovoi edhe në Prishtinë në “Kino Armata”, në kuadër të edicionit të tretë të “Prishtina Jazz Week”. Albumi i lansua më 21 shkurt, shkruan sot Koha Ditore.

“Muzika për këtë album është inspirim nga ngjarjet socio-politike që po ndodhin nëpër botë”, ka thënë Pukl, që u shoqërua nga instrumentist të njohur në jazz-skenës amerikane, përfshirë vibrafonistin e njohur Joel Ross, kontrabasistin Michael Janisch dhe bateristin italian Francesco Ciniglio. Kompozimet e Pukl janë qenë inspiruese për publikun por edhe për muzikantët kosovarë. Pukl për herë të parë në Prishtinë, ka ardhur këtu e 15 vjet më parë, i ftuar nga miku i tij i studimeve në Graz, kitaristi Armend Xhaferi. Prej atëherë, ndër vite i ka ndarë projektet e tij me publikun në Kosovë. Ai u është dedikuar kompozimeve bashkëkohore të jazzit dhe improvizimeve në muzikë.

I tillë është edhe projekti i fundit. Në mesin e kompozimeve që Pukl solli në Prishtinë përmes “Broken Circles” qe “Separation” që u kushtohet fëmijëve të cilët ndahen nga prindërit, pastaj “Triumph of Society” dedikuar gjërave për të cilat Pukl beson që njerëzit duhet që të luftojnë për t’i mbrojtur, e “Compassion”, si thirrje për më shumë dhembshuri ndaj situatave me të cilat po ballafaqohen njerëzit në botë.

“Po mendoja për gjendjen sociopolitike, në të cilën është bota tani. Ka shumë gjëra të pikëlluara që po ndodhin dhe gjëra të tilla kanë ndodhur edhe më parë, si luftërat, dhuna ndaj fëmijëve e grave e të tjera dhe për këto po mendoja kur po kompozoja muzikën. ‘Broken Circles’ janë për mua cikle të jetës që ribëhen dhe çdonjëri ka humbjet e veta, por ne si njerëz i kemi thyer këto rrethe dhe cikle”, ka thënë Pukl. Përkundër temave që prekin, kompozimet që ai sjell nuk janë të errëta. Ka thënë se ka një arsye për këtë.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)