Kulturë

Bienalja ndërkombëtare nis të matë pulsin me art bashkëkohor në Prizren

Autostrada Biennale

Jashtëzakonisht unike është edhe vepra e artistes Tamara Grçiq e cila me mbi 11 mijë shishe qelqi e ka formuar “oqeanin” e saj artistisk. Shishet me ngjyra të kaftë dhe të kaltër bëhen edhe më kuptimplote kur në to përplasen rrezet e diellit

Njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor jo veç në vend, por edhe në skenën ndërkombëtare, "Autostrada Biennale" ka nisur ta shpalosë programin që nga paraditja e së premtes. Në Parkun e Trajnimeve dhe të Inovacionit në Prizren e në gjithë Qendrën Historike shtrihen veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë. Nën temën "Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës" të kuruar nga Erzen Shkololli ngjarja zgjat deri më 5 tetor

Shtegu i “Autostrada Biennale” në Prizren është më shumë se shëtitje nëpër vepra arti. Është thellim në narrativat personale e autentike të artistëve dhe e tillë është edhe shprehja artistike. “Autostrada...” pasi dëshmoi tezën se të gjitha imazhet do të zhduken një ditë me temën e edicionit të kaluar, kësaj radhe e mat pulsin e tyre me “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës”, duke e nderuar jo vetëm artin bashkëkohor, por edhe trashëgiminë kulturore të qytetit historik.

Dy vjet pas, Prizreni ka nisur të kthehet në galeri të hapur të artit bashkëkohor. Një lloj manifestimi i ngjashëm: mblidhen artistët, përcillet me një fjalim modest, ngjarje që nuk do shumë bujë ceremoniale. Sepse “Autostrada...” veçse është dëshmuar si bienale me peshë e adresë e artistëve me nam.

Edicionin e pestë e ka nisur të premten, duke zbuluar veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë nën temën e sivjetme “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” të kuruar nga Erzen Shkololli.

Hapësirat e Bienales në Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit strehojnë veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë, sikurse edhe qendra historike e qytetit ku trashëgimia kulturore është në dialog me artin modern.

Në fjalën hapëse, që i ka hapë rrugë shtegtimit artistik, bashkëthemeluesja e “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi, ka thënë se edicioni i pestë vjen në një kohë kur bota ngjan e brishtë në shumë mënyra.

“Mbase për këtë arsye është ende më e rëndësishme të mblidhemi të japim një hapësirë për reflektim, për art dhe thjesht për të qenë të pranishëm me njëri-tjetrin. Jemi krenarë me përmbajtjen e këtij edicioni të kuruar nga Erzen Shkololli dhe ju ftojmë ta përjetoni ngadalë, me ritmin tuaj, në mënyrën tuaj”, është shprehur ajo.

Në emër të ekipit bashkëthemelues të përbërë prej saj, Leutrim Fishekçiut dhe Baris Karamuços, ka thënë se kur e nisën rrugëtimin, ambicia e tyre nuk ishte që të ndërtonin diçka të madhe, por diçka të vërtetë.

“Tani, pesë edicione më vonë, ju mirëpresim me zemra të plota dhe një ndjenjë të heshtur të mrekullimit. Jo se çdo gjë ka shkuar sipas planit, përkundrazi. Por sepse, pavarësisht nga të gjitha, prapëseprapë jemi këtu. Ende duke ndërtuar. Ende duke besuar se arti, kur mbahet me kujdes dhe guxim, mund të rrahë shtigje aty ku është dukur e pamundur”, është shprehur Abrashi më tej.

Vepra unike që ftohen e komisionohen nga kjo ngjarje, e bëjnë “Autostradën...” një prej më të mëdhave edhe ndërkombëtarisht. Ekspozita e edicionit të kaluar, dy vite më parë, hyri në top dhjetëshen e më të mirave në Evropë, sipas revistës prestigjioze për art "Frieze".

E sivjet, koncepti kuratorial dhe tema janë bazuar nga vepra e artistit rus Vadim Fishkin në Muzeun Arkeologjik dhe Sahatkullën e qytetit. Vepra me titull “Lighthouse” është hapur pasdite dhe ajo i jep puls kësaj hapësire me rrahjet e zemrës së artistit që transmetohen në kohë reale.

Kjo vepër, si dhe tjetra me titull “Dark times” e artistit që jeton e vepron në Lubjanë, kanë kontribuar edhe në ringjalljen e hamamit të Shemsedin Ahmet Beut që gjendet pranë, e cila, që dhënave, ka pushuar së funksionuari kah mesi i shekullit të 19-të.

“’Dark times' nisi kur fillova të koleksionoja ora. Janë ora të ndryshme që na rrethojnë, por te të cilat nuk mund të shohësh kohën. Koha është shumë më komplekse sesa veç, ta zëmë, të lësh një kohë për takim. Ndonjëherë të duhet të mbulosh ose të fshehësh përgjigje për pyetjen se çfarë është koha. Koha nuk ka të bëjë me 'edhe dhjetë në pesë' apo 'edhe një çerek në gjashtë'. Koha është substancë më e komplikuar e cila nuk është aq lehtë e drejtueshme prej nesh", është shprehur artisti Fishkin.

Në fjalën hapëse, që i ka hapë rrugë shtegtimit artistik, bashkëthemeluesja e “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi, ka thënë se edicioni i pestë vjen në një kohë kur bota ngjan e brishtë në shumë mënyra. “Mbase për këtë arsye është ende më e rëndësishme të mblidhemi të japim një hapësirë për reflektim, për art dhe thjesht për të qenë të pranishëm me njëri-tjetrin”, është shprehur ajo

Aty orët e artistit nuk e tregojnë kohën, por tik-taket e tyre çirren duke paralajmëruar në secilën lëvizje të akrepave se koha ecën edhe nëse nuk i kushton vëmendje.

“Është e rëndësishme të kesh ndjenjën ta prekësh kohën. Për shembull, tani nuk e kemi pamjen e zakonshme të orës, por mund ta dëgjojmë atë. Edhe nëse nuk e sheh orën, koha ende është duke ecur. Ka shumë konotacione paralele, por asnjëherë nuk dua të jetë simbolikë me pjesën e errtë, atë emocionale”, ka thënë autori i veprës më tej.

E vepra tjetër e tij është po aq unike. “Lighthouse” e 1996-s e transformon Sahatkullën në sinjal të gjallë. Drita e kuqe që pulson në majë të saj korrespondon me rrahjet e zemrës së artistit në kohë reale, kudo që gjendet, me anë të teknologjisë. Artisti mban me vete një censor në dorë që regjistron të rrahurat e zemrës. Kjo do të thotë se deri më 5 tetor, zemra e Fishkin do të rrahë edhe në Prizren, edhe nëse ndodhet në anën tjetër të botës.

“Pulson në të njëjtin ritëm që pulson edhe zemra ime. Komplet njëjtë. Unë mbaj një censor shumë të vogël që dërgon informacione të rrahjeve të zemrës sime në serverin online, e ky i fundit i dërgon në kompjuterin në Sahatkullë. Ky kompjuter transmeton informacionet te drita. Kështu do të ngjajë përgjatë gjithë bienales, do të mbajë censorin gjatë gjithë kohës, ditë e natë për muajt e ardhshëm”, ka shpjeguar artisti.

Vepra tejet unike fillimisht qe shfaqur në Rotterdam, në muzeun “Boijmans Van Beuningen” dhe më vonë në “Vienna Secesion”.

Kuratori i edicionit të sivjetmë, Erzen Shkololli, ka thënë se me vepra të tilla si ajo e Fishkin janë angazhuar edhe për të aktivizuar hapësirat e qytetit.

“Këtë herë sigurisht koncepti i Bienales ka tingëlluar pak më ndryshe, ka nisur nga inspirimi i veprave të artistëve e mandej është bërë qytetit. Është punë që ka të bëjë me pulsin e zemrës së artistit. Pra kam nisur me artistin, vepra e të cilit është instaluar në Sahatkullë të la është e lidhur direkt me Sahatkullën dhe e riaktivizon atë”, ka thënë Shkololli.

Duke u kthyer në veprat e shtrira nëpër hangarë, takimi i parë me një vepër të edicionit të sivjetmë qe ai me veprën “The infinite hip-hop song” i Hassan Khan, instalacion muzikor që nuk përfundon kurrë, por muzika gjenerohet përherë. Është instalacioni me tekstil shumëngjyrësh.

Jashtëzakonisht unike është edhe vepra e artistes Tamara Grçiq, e cila me mbi 11 mijë shishe qelqi e ka formuar “oqeanin” e saj artistisk. Shishet me ngjyra kafe dhe të kaltër bëhen edhe më kuptimplote kur në to përplasen rrezet e diellit.

Artistja ka treguar se është ftuar posaçërisht për ta sjellë veprën të cilën e ka punuar 20 vjet më parë në Austri.

“Pasi që kanë kaluar 20 vjet, desha që ta ndryshoj pak, kështu që kam vendosur ngjyra të ndryshme dhe forma të bukura të cilat i kam zhvilluar këtu në hangar. Për dy javë në Prizren, kam punuar për të kuptuar se si këto shishe mund të zhvendosen në këtë hapësirë. Mundohem ta okupoj këtë hapësirë”, ka thënë artistja e cila jeton e vepron në Frankfurt.

Sipas saj, ka elemente natyrale në planin e hangarit që përshtaten me veprën e gjithashtu edhe drita e diellit që depërton.

“Kjo ndodh në orën 4 pasdite kur shishet ndriçohen dhe shkëlqejnë me ngjyra të ndryshme”, është shprehur ajo derisa ka bërë të ditur se me përfundimin e Bienales, materiali do të dërgohet për reciklim.

“Këto shishe janë shishe të verës, bartnin ngjyra të ndryshme të kësaj pije. Më pëlqen që nëpër ekspozita të ndryshoj materialet dhe të kompletoj kreativitetin me imazhe të ndryshme prej tyre. Ky material pastaj shkon në një cikël tjetër, pra riciklohet, në veraritë përreth apo, diçka tjetër që do ta vendosim. Por përfundimisht do të riciklohen në Kosovë, këtu do të gjejnë jetën e re”, ka bërë të ditur ajo.

Ka treguar se shishet janë bartur nga Austria. Pra është materiali i njëjtë i veprës fillestare.

“Doja të përvoja ishte nga këtu, por nuk e kanë këtë formë, për t'i bërë ato të lëvizin, duhet të jenë më të ngushta. Autostrada është përkushtuar shumë për t'i sjellë këto shishe andaj shpresoj që ato të gjejnë përdorim këtu në Kosovë pas ‘Autostradës...’”, ka treguar artistja.

Po në ITP është edhe vepra e Ayse Erkmen - "Left Overs 2" me materiale druri që janë kthyer në vepra arti. Fotografitë e Armend Nimanit dokumentojnë përditshmërinë e njeriut dhe identitetin e tij ndërsa në të njëjtin hangar, pikturat me dimensione të mëdha të Brilant Milazimit duken surreale.

Sa e veçantë, aq edhe atraktive është vepra "Unë dëshiroj dëshirën tënde" e artistes Rivane Neuenschwander. Ajo sjell besëtytnitë e banorëve të një pjese të Brazilit të cilët lidhin shiritat në dorë dhe shprehin dëshirat ndërsa dëshira do të plotësohet kur shiriti këputet vetvetiu. Në Prizren, publiku mund të zgjedh një apo disa prej dëshirave të shkruar në këta shirita e t'i marrë e vete. Përplot ngjyra, këto shkrime ngjajnë në fraza poetike.

Një praktikë e ngjashme si ajo me “Fushat e lulediellit” në njërin prej edicioneve të bienales, sivjet vjen me veprën “Garden” të 1994-s të artistit të ndjerë austriak Lois Weinberger. Një numër i madh i kovave të plastikës janë të mbushura me dhe në të cilat fara është mbjellë. Bimët veçse kanë nisur të rriten dhe kësisoj vepra është përherë duke avancuar dhe në zhvillim.

Po nga aty, jashtë hangarëve qëndron edhe vepra e formësuar për frazën “I don't have another land" që kësisoj edhe emërtohet, e Nathan Coley. Sipas informacioneve, artisti qe frymëzuar nga një grafit në të cilin ishte hasur në Jerusalem.

Deri më 5 tetor sa zgjat "Autostrada Biennale", pos veprave në ITP e në qendër historike si tërësi e një ekspozite ndërkombëtare, organizon edhe programe edukative e ngjarje të tjera.

Artistët sivjet eksplorojnë tema globale që lidhen me migrimin, kujtesën e identitetit, duke arritur deri në aspektet historike të vendit nga artistë lokalë.