Yoshitomo Nara sjell veprat e tij të artit për herë të parë në Britani të Madhe. Në këtë ekspozitë të madhe që feston artin e tij, personazhet simpatike në kanavacë flasin për shqetësimet tona të brendshme më të errëtat
Artisti japonez, Yoshitomo Nara, sjell ekspozitën e tij të parë personale në Mbretërinë e Bashkuar, në galerinë “Hayward” të Londrës, përmes së cilës eksplorohen 40 vjet të evolucionit të tij krijues.
Ekspozita përfshin më shumë se 150 vepra arti në pikturë, vizatim, skulpturë, instalacion dhe qeramikë. Një instalacion me qindra koleksione disqesh i mirëpret vizitorët, duke shpërfaqur dashurinë jetëgjatë të artistit për muzikën punk dhe rock.
Nara ka thënë se ka dashur t’i prezantojë punimet e tij të artit, jo në mënyrë kronologjike, por në një mënyrë më organike dhe të gjallë, duke përzier madhësi dhe struktura të ndryshme, të cilat i përshtateshin më mirë strukturës së galerisë.

“Puna ime është shumë e lehtë për t’u kuptuar. Është diçka që mund ta kuptojnë fëmijët ashtu si dhe të rriturit. Mendoj se fëmijët do ta shikonin në mënyrë më sipërfaqësore, sikur janë duke shikuar një vizatim apo ilustrim. Kurse për të rriturit me përvoja më të thella jetësore, mendoj se veprat e mia u ofrojnë shtresa të ndryshme, bazuar në moshën që kanë. Pra, mënyra se si ata e perceptojnë artin tim është ndryshe për secilin, duke filluar nga gjendja emocionale dhe nga eksperiencat e tyre. Nëse çdo ditë e shikon të njëjtën pikturë, ajo të ofron pamje ndryshe secilën herë. Prandaj, në vend se t’ua prezantoj punën time në një mënyrë të caktuar, unë jam më shumë i interesuar të dëgjoj se si njerëzit, duke filluar nga fëmijët e deri tek të rriturit, e konceptojnë atë”.
Sipas drejtorit të galerisë “Hayward”, Ralph Rugoff, artisti japonez shquhet për portretet e figurave të imagjinuara të fëmijëve që lidhin “artin bashkëkohor me atë popullor”.
“Nara është i famshëm në mbarë botën për portretet e tij të figurave fëmijërore imagjinare, të cilat shpesh shfaqen në mënyra që sugjerojnë se janë figura margjinale. Ato qëndrojnë pezull në prag të përkatësisë. Shpesh luftojnë me emocione të vështira. Mund të duken melankolikë. Ndonjëherë janë shumë të zemëruar. Mund të jenë rebelë ose sfidues. Por, ka gjithashtu një gjallëri në mënyrën se si ai e krijon këtë vepër, që balancon këtë ndjenjë tjetër të shqetësimit dhe lëvizjes së vështirë. Pra, ai ka një numër të madh ndjekësish, është një nga të paktët artistë që është në gjendje të lidhë artin bashkëkohor dhe kulturën popullore, sepse puna e tij, mendoj unë, e ka një ndikim emocional të jashtëzakonshëm”, tha Rugoff.
Nara tregon se tërmeti dhe cunami i vitit 2011 që goditën Japoninë verilindore kanë ndikuar thellësisht në stilin e tij krijues.

“Pas katastrofave të tërmetit në Japoni në vitin 2011, temat e mia ndryshuan pa e vënë re. Më duket sikur fëmijët e zymtë u rritën pak dhe fituan shprehje më të mëshirshme në shikimin e tyre. Stili im ndryshoi nga thjesht shfryrja e frustrimeve të mia në diçka që mund t’u ofronte shpresë të tjerëve, gjë që ndodhi pa dashje dhe natyrshëm. Mendoj se nuk ka të bëjë me evolucionin e pikturave, por me evolucionin e njerëzve. Më bëri të ndihem sikur kjo është ajo që do të thotë vërtet të rritesh si person”, ka thënë artisti.
Ekspozita që eksploron 40 vjet të krijimtarisë së Yoshitomo Naras është në dispozicionin e publikut nga 10 qershori deri më 31 gusht.