Kulturë

Billbord në vend të memorialit dedikuar fëmijëve martirë

Prishtinë, 21 nëntor – Kishin pasur synime e pritje të tjera. Por në vend të përurimit të kompleksit memorial “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, të mërkurën përballë aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” ka zënë vend billbordi që vjen edhe si thirrje për konkretizimin e kompleksit memorial.

Përmes portreteve të disa prej fëmijëve të vrarë janë krijuar fjalët “drejtësi” dhe “justice”. Poshtë tyre është edhe imazhi i maketit të projektit që, sipas tyre, nuk gjeti përkrahje nga shteti. Billbordi do të qëndrojë aty derisa të bëhet realitet ajo që është nismuar.

Image

Rrezeart Galica pas vendosjes së billbordit të dizajnuar prej tij, ka thënë se po shpresojnë që vitin që vjen do të zhbllokohet ky proces dhe të realizohet ndërtimi i kompleksit “për fëmijët martirë për të cilët tashmë dihet se numri i tyre është 1 mijë e 432”.

“Sot po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve sipas OKB-së, mirëpo në vend që këtë ta shënojmë në kompleksin memorial ‘Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999’, kemi vendosur që ta shënojmë me billbord pasi që institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të gatshme që këtë projekt ta zhbllokojnë dhe ta ndërtojnë ashtu siç ka qenë nga fillimi i menduar. Prandaj kjo ka mbetur pezull për shkak të Agjencisë së Privatizimit dhe Zyrës së Kryeministrit. Ne tash e një vit jemi në pritje të përgjigjes së tyre”, ka thënë ai.

Ky kompleks, sipas Galicës, është menduar që të përmbajë obeliskun 30 metra të gjatë dhe 20 metra të gjerë. Projekti do të ketë edhe elemente të tjera përcjellëse, përfshirë 1 mijë e 432 pemë “bonsai”. Në secilën pemë, siç ka thënë Galica, është menduar që të shënohen emrat e fëmijëve martirë dhe datat e lindjes dhe vrasjes së tyre.

“Po shpresoj që ky do të ishte një monument përkujtimor i dinjitetshëm për ata dhe familjet e tyre”, ka thënë Galica. Sipas tij, Këshilli organizativ i familjeve të fëmijëve martirë të Kosovës është në fazën e organizimit të mbledhjes së nënshkrimeve të familjarëve dhe në emër të tyre do të ngrenë padi ndaj Serbisë për vrasjen e 1 mijë e 432 fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Padia, siç ka thënë Galica, do të adresohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)