Prishtinë, 5 shkurt – Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës këtë vit i ka vënë vetes si qëllim promovimin dhe ndërkombëtarizimin e artit pamor.
Po synon ta bëjë këtë përmes organizimit të edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit, që do të mbahet në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës prej 2 deri më 26 prill. AAVK-ja po pret që interesimi për këtë ngjarje të jetë i madh nga artistët që kanë të drejtë të konkurrojnë deri më 2 mars. Emrat e pjesëmarrësve do të bëhen në bazë të vlerësimit që juria do t’iu bëjë vizatimeve të dërguara. Vetëm dy vepra (vizatime) origjinale mund t’i nisin artistët e interesuar në adresë të AAVK-së.
Kryetari i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, Kamuran Goranci, ka thënë se me realizimin e këtij projekti, presin ndikim pozitiv në artin dhe kulturën vizuale të Kosovës që sipas tij duhet konsideruar një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Kosovës, si dhe afirmimin e identitetit të saj kulturor brenda identitetit kulturor evropian.
“Qëllim i yni është promovimi dhe ndërkombëtarizimi i artit pamor brenda dhe jashtë Kosovës, në krahasim me arritjet e artit bashkëkohor dhe kulturave të përparuara të popujve të tjerë të Evropës dhe më gjerë. Valorizimi dhe vlerësimi i artistëve vizualë kosovarë dhe atyre ndërkombëtarë, në aspektin profesional- artistik dhe kritik nga juria ndërkombëtare vlerësuese”, ka thënë Goranci.
Sipas tij, artistët duhet që të kenë në vëmendje të tyre këtë Bienale, dhe të aplikojnë. Ka thënë se përveç komunitetit të artit kosovar, nga ky projekt do të përfitojnë drejtpërdrejt artistët vizualë kosovarë dhe ata ndërkombëtarë.
Veprat e artistëve të përzgjedhur do të ekspozohen në ekspozitën që do të hapet në kudër të programit kryesor të Galerisë Kombëtare të Kosovës e që parasheh edhe 10 ekspozita të tjera.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)