Kulturë

Biblioteka Kombëtare – 81 vjet trashëgimi drejt kapitujve bashkëkohorë

Ceremonia festive “Dita e Bibliotekës” ka vënë në pah trashëgiminë, funksionin publik dhe kahun që po merr Biblioteka Kombëtare e Kosovës

Ceremonia festive “Dita e Bibliotekës” ka vënë në pah trashëgiminë, funksionin publik dhe kahun që po merr Biblioteka Kombëtare e Kosovës

Me projektet e nisura në digjitalizim, me rrjetin bibliotekar në funksionalizim dhe me procesin e restaurimit 22 milionë eurosh në prag, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka hyrë në një kapitull të ri që synon ta forcojë rolin në botën e dijes dhe të kulturës bashkëkohore. Në shënimin e 81-vjetorit të themelimit, në festën “Dita e Bibliotekës”, të martën pasdite është kujtuar roli qendror që Biblioteka mban sot në ruajtjen dhe qasjen në dijen kombëtare

Me fokus në transformim teknologjik përmes digjitalizimit, në implementimin e rrjetit bibliotekar dhe në përgatitjet për restaurim të thellë të objektit, është shënuar kremtja e 81-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ceremonia ka vënë në pah trashëgiminë, funksionin publik dhe kahun që po merr ky institucion. Në ndërtesën ikonike brutaliste, simbol identitar i Prishtinës, është kujtuar roli qendror që Biblioteka mban sot në ruajtjen dhe qasjen në dijen kombëtare.

81 vjet pas themelimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës vazhdon ta mbajë pozitën e saj si qendër të ruajtjes së trashëgimisë së shkruar dhe si një hapësirë e përbashkët kulturore e shoqërore. Me projektet e nisura në digjitalizim, me rrjetin bibliotekar në funksionalizim dhe me procesin e restaurimit në prag, institucioni ka hyrë në një kapitull të ri që synon ta forcojë rolin në botën e dijes dhe të kulturës bashkëkohore.

Rrjeti kombëtar bibliotekar përbën një sistem të integruar që unifikon katalogët, standardet profesionale dhe teknologjitë bibliotekare, duke krijuar një pikë të vetme qasjeje për qytetarët, studentët, nxënësit dhe studiuesit. Ai shndërron koleksionet e shpërndara në burime të dukshme e të ruajtura, përmes standardizimit dhe digjitalizimit, duke garantuar që dokumentet, librat e rrallë dhe materialet arkivore të mos humbasin, por të ruhen e të jenë në dispozicion në një platformë të përbashkët institucionale. Është planifikuar të përfshijë 48 institucione: biblioteka universitare e biblioteka publike nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Në fjalimin hapës të ceremonisë, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka theksuar se misioni i Bibliotekës ka mbetur i pandryshuar: ruajtja e vazhdimësisë së fjalës së shkruar. Sipas tij, digjitalizimi ka marrë statusin e një prej proceseve më të rëndësishme të institucionit. Ka bërë të ditur se platforma bibliotekare “Koha” ka filluar të krijojë sistem të unifikuar në nivel shtetëror.
“Një hap i rëndësishëm është funksionalizimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës përmes platformës ‘Koha’. Kjo platformë, e cila tashmë përfshin 48 biblioteka publike, krijon një sistem të integruar katalogimi dhe qasje të unifikuar për të gjithë përdoruesit. Ky zhvillim i afron qytetarët me librin dhe forcon bashkëpunimin ndërmjet bibliotekave në nivel shtetëror”, ka thënë ai.

Ai ka konfirmuar se restaurimi i objektit tashmë ka hyrë në procedurat zyrtare.

“Projekti për restaurimin e plotë të kësaj ndërtese në vlerë 22 milionë eurosh ka hyrë në fazën e prokurimit për përzgjedhjen e ekipit zbatues të punimeve. Pas përfundimit të procedurës, do të nisë një proces i thellë i ndërhyrjeve, i cili do të garantojë rritjen e funksionalitetit, përmirësimin e kushteve të ruajtjes së materialeve dhe rikthimin e ndërtesës në shkëlqimin e saj të plotë arkitektonik”, ka theksuar ai.

Prej kur ka nisur procesi i digjitalizimit e deri tani, janë kryer mbi një milion faqe materialesh bibliotekare për digjitalizim. Siç është thënë, kohëve të fundit është intensifikuar puna me projektin e digjitalizimit, duke rritur shifrat me një mesatare prej 16 mijë e 500 faqesh në ditë e 80 mijë faqesh në javë. Shifra njëmilionëshe pritet të dyfishohet deri në fund të këtij viti, e deri në tetor të vitit të ardhshëm të katërfishohet.

Drejtoresha e Bibliotekës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se ky vit ka shënuar përparime të drejtpërdrejta në dy projekte strategjike të institucionit.

“Dy projekte të mëdha të Bibliotekës tashmë kanë marrë udhë. I projektuar vite më parë, rrjeti bibliotekar i Kosovës po merr jetë dhe ky projekt po ndërton një sistem dhe një kulturë të re bashkëpunimi. Me projektin e ri të digjitalizimit, të nisur vetëm para pak javësh, kemi arritur që vetëm brenda një jave të arrijmë një shifër prej 80 mijë faqeve materiale bibliotekare të digjitalizuara”, ka thënë ajo.

Ka vënë theksin edhe te pozicionimi ndërkombëtar.

“Jemi duke punuar fort për ta vënë Bibliotekën tonë në hartën e bibliotekave evropiane dhe në hartën kulturore evropiane. Vitin e ardhshëm, institucioni ynë do të jetë nikoqir i Kongresit të Drejtorëve të Bibliotekave të Evropës Juglindore, ndërkohë që jemi duke hapur rrugë drejt integrimit në rrjete të rëndësishme letrare të Evropës”, ka thënë drejtoresha.

Në hollin e ekspozitave, të ftuarit janë thirrur për ta parë ekspozitën “Nga dorëshkrimi te digjitalja”, që dokumenton transformimin e institucionit nga forma tradicionale drejt modelit bashkëkohor
 

Nga Këshilli Drejtues i BKK-së, Blerta Ismajli ka sjellë një qasje linguistike e konceptuale mbi institucionin. Ka marrë shembull konceptin e Sosyrit për shenjën gjuhësore, duke e personifikuar me konceptin e Bibliotekës.

“Shenja ‘bibliotekë’, në konceptimin sosyrian ka shënjuesin që në linguistikë është vetë vargu tingullor, e në jetën e zakonshme është kjo ndërtesë, si objekt i trashëgimisë së prekshme kulturore të Kosovës, godinë e pazakontë arkitektonike që shërben shpesh si pikëtakim i turistëve të përditshëm kuriozë e shpesh gojëhapur. Mirëpo shenja nuk mund të funksionojë vetëm me shënjuesin, i duhet i shënjuari që në kontekstin tonë është një arkiv i bibliotekave, një strehë e sigurt për studiues, studentë, kureshtarë, amatorë, dijetarë, lexues që duan të gjejnë secili atë që duhet për të zgjeruar dijen”, ka thënë ajo në fjalimin e saj.

Janë treguar herë pas here edhe video ilustruese për të dy projektet madhore që Biblioteka synon t’i inkorporojë plotësisht në punën e saj të përditshme e në shenjë mirënjohjeje për kontributin në hartimin e planit për rrjetin bibliotekar dhe për udhëheqjen e grupit punues për këtë plan, çmimin “Pjetër Bogdani”, Biblioteka e ka ndarë për Sharon Yang, specialiste e lartë në programin “Fulbright”, shefe departamenti e profesoreshë bibliotekare pranë Universitetit Rider në SHBA.

“E kemi ditur se ‘Koha’ është zgjedhja më e mirë, duke u bazuar në nivelin e avancuar, funksionalitetet dhe konsideratat ekonomike. Pas katër vitesh, e kontrollova uebfaqen e Bibliotekës suaj, për të parë nëse ‘Koha’ është aty. Sa për të më zhgënjyer, nuk ishte aty. Pas katër vitesh sot, jam e gëzuar ta shoh se ëndrra është realizuar. Sistemi juaj i ri do t’ia paraqesë gjithë botës trashëgiminë kulturore të Kosovës”, ka thënë Yang në një lidhje direkte përmes ekranit të paraqitur prapa foltores në hollin e Bibliotekës.

Një performancë e shkurtër e Baletit Kombëtar të Kosovës ka sjellë kërcimin e balerinëve Sead Vuniqi dhe Blerta Fanaj. Është ndarë mirënjohje për punëtorin e dalluar, Burim Hasaj, për kontributin në zhvillimin e projekteve të Bibliotekës, ndërkaq mirënjohja për lexuesin e dalluar i është ndarë Edona Zeqirajt.

Në hollin e ekspozitave, të ftuarit janë thirrur për ta parë ekspozitën “Nga dorëshkrimi te digjitalja”, që dokumenton transformimin e institucionit nga forma tradicionale drejt modelit bashkëkohor. Mbi xhamat e mbajtëseve është vendosur nga një ekran që paraqet versionin e digjitalizuar të materialit që gjendet brenda xhamave, duke ofruar kështu qasje të lehtë në materiale që do të ishte e vështirë të arriheshin si kopje fizike, marrë parasysh vjetërsinë dhe ndërhyrjet restauruese të tyre. Ekspozita është kuruar nga Bedrije Mekolli, udhëheqëse e Divizionit të Koleksioneve të Veçanta në Bibliotekën Kombëtare.