Prishtinë, 15 tetor – Ka tre vjet që konkursi “Biber” është bërë adresë për tregime që kanë të bëjnë me pajtimin e popujve në ish-Jugosllavi, të përbashkëtat, ballafaqimin me të kaluarën e mbi të gjitha thirrjen për paqe. Në edicionin e tretë, 121 tregime që ishin në garë për tri çmimet e para kanë shkuar përtej pajtimit. Tema e edicionit të tretë kishte më shumë elemente.
Të hënën ekipi i këtij konkursi – në të cilin marrin pjesë autorë që shkruajnë në gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, boshnjake, kroate e malazeze – ka njoftuar për fituesit.
Çmimin e parë e ka marrë tregimi “Glava” apo në shqip “Koka” e Monika Herceg nga Petrinja e Kroacisë, të dytin e ka marrë po ashtu autori kroat, Ante Storiq nga Shibeniku me tregimin “Lito” (Vera), përderisa çmimi i tretë është ndarë për “Mačetom ćeš me, mačetom ću te” (“Po më qëllove me shpatë, me shpatë do të të qëlloj”) i Tamara Kovaçeviqit nga Lubjana.
Në deklaratën e jurisë, në përbërje të Rumena Buzharovska, shkrimtare nga Shkupi, Shkëlzen Maliqi, kritik nga Prishtina dhe Lejla Kallamujiq, shkrimtare nga Sarajeva, ku janë bërë të ditur fituesit, është shkruar se tregimet e shpërblyera shquhen për nga struktura efiçiente narrative, sofistikimet stilistike dhe saktësia gjuhësore.
Qerim Ondozi, nga ekipi i “Biber”, ka thënë se konkursi i sivjetmë nuk ka qenë i kufizuar në temë, mirëpo ka përfshirë gjithçka që është e përbashkët në këtë rajon apo hapësirë gjeografike.
Konkursi “Biber” ka qenë i hapur nga janari deri në qershor të këtij viti. Gjithsej në konkurs ishin dërguar 464 tregime prej të cilëve janë përzgjedhur 121 sosh. Sipas Ondozit, pjesëmarrja e tregimeve të shkruara në gjuhën shqipe është akoma e vogël.
Në përmbledhjen “Biber 3”, në shqip do të përfshihen tregimet e autorëve Besa Kalaja, Afrim Demiri e Imer Topanica.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")