Me një qasje minimaliste, lidhja e brishtë midis prindit dhe fëmijës zbërthehet përballë brutalitetit të dimrit. Filmi i shkurtër “Bark” me titull origjinal “Lavež”, produksion i Malit të Zi, është ulërima e njeriut përballë ashpërsisë. Dimri shndërrohet në personazh të tretë, rrëfimi ka qasje të thellë si kontrast i ftohtësisë edhe kur babai braktis të birin
Është historia e një marrëdhënieje mes një babai dhe birit të tij, të cilët udhëtojnë nëpër një “shkretëtirë” të bardhë pa fund. Djali është i plagosur, teksa babai përpiqet ta ngrejë zvarrë mbi një rrjetë të improvizuar, për ta çuar në një vend të sigurt mes për mes hapësirës së pafundme me borë, heshtjes dhe forcave të pamëshirshme të natyrës. Si një histori që tregon sakrificën dhe mbijetesën, “Bark” me skenar dhe regji nga Branislav Milatoviq për të cilin ka bashkëpunuar bashkëpunëtor Stefan Boshkoviqin, eksploron lidhjen e brishtë midis prindit dhe fëmijës përballë brutalitetit të dimrit.
Filmi i shkurtër me titull origjinal “Lavež”, produksion i Malit të Zi, është dhënë premierë kosovare të mërkurën mbrëma, në festivalin ndërkombëtar të filmit, “PriFest”. Luajnë vetëm dy aktorë: Momçillo Momo Piquriq në rolin e babait dhe Jovan Krivokapiq në rolin e të birit. Producent ekzekutiv është Filip Poleksiq, bashkautor është Stefan Boshkoviq, dhe kolona zanore është realizuar nga Milivoje Piquriq, i cili është i biri i aktorit kryesor. Producentët e filmit janë Miljan Vuçeliq, Gjorgje Vojvodiq dhe Branislav Milatoviq. “The Bark” është prodhuar nga “Bitter Frames Production” dhe bashkëprodhuar nga Radio Televizioni i Malit të Zi dhe “Montenegro Art Production”.
Para se të jepet premiera e filmit – që i ka paraprirë asaj të filmit boshnjak “The Pavilion”, nën regji të Dino Mustafiqit dhe me skenar nga Viktor Ivançiq e Emir Imamoviq Pirke – ka folur para të pranishmëve brenda sallës së kinemasë edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.
“Jam i lumtur që sonte po shfaqen për herë të parë dy filma në Kosovë. Fillimisht një film i shkurtër malazez ‘Bark’ dhe filmi boshnjak ‘The Pavilion’ me regjisor Dino Mustafiq, një bashkëprodhim origjinal me Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Jam gjithashtu i lumtur që këtu i kemi edhe regjisorin dhe kompozitorin e filmit malazez”, ka thënë ambasadori Çobaj.

Pas premierës, në lidhje me filmin ka folur për KOHËN vetë regjisori Branislav Milatoviq. Ka treguar se është ndier i nderuar për këtë premierë kosovare.
“Është një nder për mua që ky film pati shfaqje këtu, sepse është premierë kosovare dhe ky është festivali i katërt, në të cilin po jepet ky film. Është një marrëdhënie arketipe mes një babai dhe birit të tij që gjithmonë është e komplikuar, andaj është një tregim kompleks meqë babai aty e braktis të birin, por në fund edhe tregon dashurinë për të, andaj kjo histori është për këtë relacion”, ka thënë ai.
Një ditë pas premierës është mbajtur edhe një konferencë për shtyp ku kanë bashkëbiseduar për filmin regjisori dhe kompozitori, të cilët janë të vetmit që kanë qenë të pranishëm edhe gjatë premierës në natën paraprake.
“Ideja e parë për këtë film më ka ardhur nga aktori protagonist në film dhe gjithnjë kam dashur që ta tregoj një histori me këtë aktor, Momon. Kam pasur edhe një bashkëpunim tjetër me të, dhe ai më ka frymëzuar. Pas kësaj, më ka rënë në dorë një tregim meksikan dhe ky film, mund të them se është një shprehje e lirë e tregimit meksikan, veçse në një kontekst tjetër, atë të Malit të Zi”, ka thënë regjisori gjatë konferencës, duke treguar se ky film rrugëtimin e kishte nisur në Bullgari, në kuadër të edicionit të 22-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër “In the Palace” në qytezën bullgare, Pernik. Filmi është xhiruar në pjesën veriore të Malit të Zi, një zonë me male nga më të egrat në këtë shtet. Andaj zona e borës, sipas regjisorit “mund të konsiderohet si personazh i tretë i filmit”.
Duke qenë se kompozitori i filmit është edhe i biri i aktorit kryesor, mbrëmjen e së mërkurës është mbajtur një “In Memoriam” në nderim të aktorit që ka vdekur para tre muajsh. Ndërkaq, pas premierës, kompozitori Milivoje Piquriq ka thënë për KOHËN se filmi është shumë ekspresiv dhe me emocione të përziera në raportin mes dy burrave të familjes.
“Kemi kënaqësinë të jemi këtu para këtij publiku për t’i parë reagimet e tyre. Festivali është i organizuar shumë mirë, tani kemi edhe festë, gjithçka po shkon mirë. Filmi është mjaft minimalist, është shumë ekspresiv dhe me shumë emocione mes babait dhe të birit. Po mendonim se si ta vendosim muzikën aty dhe vendosëm ta lëmë muzikën vetëm në fund të filmit si një lloj dëshmie për t’ia dhënë një konkluzion emocional, pra muzika është veç në fund të filmit”, ka thënë ai.
Edhe gjatë konferencës ka ritheksuar se muzika e përdorur në film është mbetje e muzikës që nuk është përdorur në filmin paraprak kur ka bashkëpunuar me të njëjtin regjisor.
“Më parë e kemi bërë edhe një film tjetër, në të cilin ai ka qenë aktor protagonist, filmi i Branislavit edhe ai, domethënë ky është filmi i dytë që e kemi bërë bashkë. Kur e kemi bërë filmin e parë, kam kompozuar shumë tema muzikore që nuk kemi arritur t’i përfshijmë në atë film, andaj kur e bëmë të dytin, nuk ishte e qartë nëse duhej të kishte muzikë, sepse është shumë film minimalist dhe gjithçka aty: zhurmat e natyrës, frymëmarrja e rëndë e ecja nëpër borë. Menduam se si mund ta inkorporonim muzikën e vjetër në këtë filmin e ri dhe u vendos që muzika të vihej vetëm në fund të filmit, për t’ia dhënë idenë e një kulminacioni”, ka thënë ai.
Me shfaqjen e filmit “Bark” në kuadër të “PriFestit”, publiku kosovar ka pasur rastin të përjetojë një tregim të shkurtër por të fuqishëm mbi marrëdhëniet familjare dhe mbijetesën.