Shfaqja e baletit nga kantata skenike “Carmina Burana” e Carl Orff ka qenë debutimi i suksesshëm i Baletit Kombëtar të Kosovës në teatrin magjepsës “Malibran” të qytetit ishullor, Venecie. Duartokitjet e ovacionet kanë qenë shenja e konfirmimi i një paraqitjeje të suksesshme të cilën e synon edhe sonte e (hënë) në qytetin tjetër italian, Potenza
Takimi i parë i Baletit Kombëtar të Kosovës me publikun venecian ka qenë mbresëlënës. Shfaqja e baletit nga kantata skenike “Carmina Burana” e Carl Orff ka qenë debutimi i suksesshëm në teatrin magjepsës “Malibran” të qytetit ishullor. Duartrokitjet e ovacionet kanë qenë shenja e konfirmimi i një paraqitjeje të suksesshme të cilën e synon edhe sonte (e hënë) në qytetin tjetër italian, Potenza.
Në skenën e fundit ku lëvizjet e balerinëve janë në sinkron, nën ritmet e së famshmes “O fortuna” nga kantata skenike “Carmina Burana” e gjermanit Carl Orff, njëra balerinë shkëputet duke ecur mbi supet e performuesve. Gjersa lëvizjet e njëtrajtshme vazhdojnë, ajo “fik” dritën përballë saj por trupa e dukshme në skenë vazhdon lojën. Sipas pamjeve të publikuara nga performanca, duartrokitjet dhe brohoritjet e publikut italian shpërthejnë pak qaste para përfundimit të komplet shfaqjes. Rreth 700 veta qenë pranishëm.
Duartrokitjet vazhduan për nja katër minuta rresht gjersa trupa e Baletit përshëndetet me publikun. Edhe kjo pjesë ka qenë koreografi më vete.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se përvoja në Venecia ka qenë unike për gjithë stafin e institucionit. Ka konsideruar se performanca e së shtunës mbrëma atje ka qenë “njëra prej paraqitjeve më të rëndësishme të Baletit Kombëtar të Kosovës që nga themelimi deri sot”.
Ai ka thënë se komentet për paraqitjen e institucionit kanë qenë pozitive dhe inkurajuese.
“Shfaqja është pritur me duartrokitje dhe ovacione mbrëmë në ‘Teatro Malibran’. Gjithashtu, komentet e publikut kanë qenë tejet pozitive dhe jashtëzakonisht inkurajuese për të gjithë ekipin tonë”, ka thënë Kajtazi në një përgjigje për KOHËN.
Ka bërë me dije se midis publikut ka pasur edhe kritikë arti.
“Në shfaqje kanë qenë të pranishëm edhe kritikë të artit, të cilët sigurisht, besoj se do të shkruajnë për shfaqjen tonë të mbrëmshme. Gjithsesi, po e përsëris, disponimi i publikut ka qenë jashtëzakonisht i mirë dhe kompliment dhënës për punën tonë”, ka thënë Kajtazi.
Në incizimet e publikuara në rrjete sociale, shihet se salla e teatrit me 900 ulëse ka qenë e mbushur thuajse plot.
Në udhëtime të tilla, Baleti Kombëtar i shijon kushtet e tilla të cilat në Kosovë nuk i ofrohen. Për shfaqje, prej mbylljes së Teatrit Kombëtar për renovime në fillim të korrikut më 2022, improvizon përherë jo veç për shfaqje. Për to, nga hapësira e atij që me mbylljen e teatrit është kthyer në Amfiteatër të Teatrit Kombëtar zhvendoset në Atelienë e Pallatit të Rinisë e në një sallë private për produksione më të mëdha.
E teatri “Malibran” i dekoruar me bollëk, i përbërë nga pesë kate me nga tridhjetë korridore në secilën dhe me hapësirë të bollshme, nuk ka qenë përvojë unike vetëm për të interpretuarit në një hapësirë të mahnitshme e madhështore për nga estetika. Aty janë kushtet të cilat janë mungesë e përhershme për Baletin në skenë e në prapaskenë. Edhe për përgatitjet e shfaqjeve.
“Teatri ‘Malibran’, është një teatër fantastik që i ofron të gjitha kushtet për një trupë artistike. Balerinët, por edhe ekipi teknik-artistik, kanë pasur kushtet që i meritojnë t’i kenë edhe në Prishtinë”, është shprehur udhëheqësi i institucionit të Baletit, Sinan Kajtazi nga qyteti italian Potenza ku të hënën baleti “Carmina Burana” do të ketë një tjetër shfaqje pas asaj në Venecia.
“Ne kemi qëndruar tri ditë në Venecia dhe sot në mëngjes kemi udhëtuar drejt qytetit Potenza, ku BKK do të shfaqet edhe në këtë qytet me po të njëjtën shfaqje, ‘Carmina Burana’ me koreografi nga Toni Candeloro”, ka bërë me dije Kajtazi.
Teatri “Malibran”, ku ka interpretuar BKK-ja, është përuruar në vitin 1678 me premierën e operës
“Vespasiano” të Carlo Pallavicinos. Sipas shënimeve, atëkohë shpejt u bë i njohur si teatri më i madh, më i bukur dhe më i pasur në qytet. Në vitin 1834 u restaurua, ndërsa tre vjet më pas ndryshoi emrin në “Teatro Malibran”, për nder të këngëtares së famshme spanjolle, mexosopranos Maria Malibran.
Ndër vite, teatri u shit, iu ndryshua pamja, u mbyll deri në vitin 1992, kur komuna e Venecias e bleu.
Pas gati një dekade punimesh aty, në maj të 2001-tës u hap si teatër me 900 ulëse, duke vazhduar traditën e institucionit edhe sot.
Aty zhvillon veprimtarinë festivali “Venezia in Danza” në kuadër të programit të të cilit është ngjitur në skenën e tij trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, e që në program ka edhe institucione prestigjioze si Baleti i Romës, që shfaq baletin “Romeo dhe Zhulieta” nga koreografi dhe regjisori Fabrizio Monteverde më 6 dhe 7 dhjetor.
Festivali shquhet për aftësinë për të bashkuar gjuhë, estetikë dhe vizione të ndryshme në dialog midis traditës dhe inovacionit.
Aty institucioni shtetëror i baletit është prezantuar për të parën herë në qytetin e kanaleve, me performancën nga “Carmina Burana”, ku lëvizjet e baletit janë abstrakte, por vajtojnë e festojnë fatin e njeriut që përherë ndryshon.
Sot (e hënë) në orën 20:30 në kino-teatrin “Don Bosco”, publiku italian do të mund ta përjetojë rrëfimin e njëjtë nga institucioni shtetëror i vallëzimit i Kosovës në qytetin në pjesën jugore të Gadishullit Apenin.
“Është hera e parë për Baletin Kombëtar të Kosovës paraqitja në Venecia. Nga ajo që kemi marrë mbrëmë nga publiku venecian, balerinët tanë janë jashtëzakonisht të motivuar edhe për shfaqjen e nesërme në Potenza, e cila po ashtu është tejet e rëndësishme për institucionin tonë”, ka thënë udhëheqësi i TKK-së, Sinan Kajtazi.
Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez, Toshio Yanagisawa, me koreografi origjinale të Toni Candeloros, me përfshirjen e solistëve ndërkombëtarë dhe një trupe të gjerë artistësh vendas, kantata skenike “Carmina Burana” e kompozitorit gjerman, Carl Orff, qe sjellë në Prishtinë në fundqershorin e këtij viti.
Në këtë produksion, Baleti Kombëtar i Kosovës qe pjesë e një spektakli të muzikës klasike e projekti madhështor si produkt i bashkimit të tri institucioneve shtetërore, së bashku me Filharmonisë dhe Operën së Kosovës. Kantata skenike “Carmina Burana” e Carl Orff u soll e plotë, bashkë me vallëzim klasik si peizazh abstrakt i veprës me lëvizje nga koreografi e balerini i shquar italian, Toni Candeloro.