Kulturë

Baleti brenda javës lavdërohet nga Qeveria dhe i ndërrohet drejtuesi

Sinan Kajtazi

Sinan Kajtazi më 28 nëntor 2025 në teatrin “Malibran” në Venecie duke shikuar provat e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës për shfaqjen “Carmina Burana” që u luajt para një audience prej 700 vetash në qytetin italian (Foto: Arben Llapashtica)

Solisti i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili për më shumë se tre vjet ka mbajtur pozitën e drejtuesit të institucionit, të hënën është liruar nga kjo detyrë. Për tre vjet ishte drejtor e prej prillit të këtij viti ushtrues detyre i drejtorit. Të hënën pak para përfundimit të orarit të punës Kajtazi ka pranuar vendimin e ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, për zëvendësimin e tij. Ky vendim vjen një javë pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë lëvduar publikisht BKK-në për sukseset e paraqitjes në dy qytete italiane

 “Urime Baletit Kombëtar të Kosovës për këtë arritje të jashtëzakonshme”, kishte shkruar midis të tjerash kryeministri në detyrë, Albin Kurti para një jave kur BKK-ja u prezantua në Venecie e më pas në Potenza të Italisë.

“Përgëzime gjithë ekipit të Baletit Kombëtar të Kosovës për prezantimin dinjitoz që i dhanë vendit tonë sonte”, shkruante midis të tjerash në rrjete sociale, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi BKK-ja dha shfaqjen “Carmina Burana” në dy qytetet italiane. Por ministri Hajrulla Çeku të hënën ka nënshkruar një dokument nëpërmjet të cilit ka larguar nga detyra drejtuesin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi. Solisti i BKK-së për dy dekada, i cili për më shumë se tre vjet ka udhëhequr me institucionin, të hënë pak para përfundimit të orarit të punës ka pranuar vendimin e ministrit në detyrë Çeku, ku ka marrë vesh se s’është më drejtues i institucionit. Në pikën e parë të vendimit, caktohet ushtrues detyre i drejtorit të BKK-së balerini Kreshnik Musolli, kurse në pikën e katërt shfuqizohet vendimi i datës 1 prill të këtij viti nëpërmjet të cilit – pas tre vjetësh mandat prej drejtori – Sinan Kajtazi ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit të BKK-së. 

Për Kajtazin ky vendim ishte i papritur.

“Për këtë periudhë nuk kam qenë i informuar apo paralajmëruar për ndonjë ndryshim, ndaj vendimi i sotëm ka ardhur krejt papritur. Megjithatë, pavarësisht mënyrës së komunikimit, vendimin e pranoj si pjesë të realitetit institucional”, ka shkruar Kajtazi në njoftimin për shkarkimin e tij. Ka shkruar se puna e tij në krye të BKK-së ka qenë periudha më nderuese e karrierës. 

“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku me balerinët e BKK-së dhe stafin, nga 25 marsi 2022 e deri sot. Këto vite ishin plot sfida, por edhe plot arritje — nga kremtimi i 50-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës e deri te paraqitjet tona të fundit në Itali, një sukses i madh për kulturën tonë kombëtare. Dhe po, më e pakta që kam pritur në këtë rast, edhe përkundër vendimit për lirimin nga detyra, ka qenë një telefonatë mirënjohjeje nga ministri Çeku për këto suksese të BKK-së gjatë mandatit tim. Megjithatë, besoj fuqishëm se ky vendim nuk ka qenë vullneti dhe as dëshira e tij”, ka shkruar ai. Ka falënderuar balerinët e BKK-së që sipas tij, me disiplinë, pasion dhe profesionalizëm të admirueshëm kanë punuar gjatë gjithë kësaj periudhe. 

“Jam shumë i lumtur që gjatë kohës sa kam shërbyer në krye të BKK-së, kemi arritur ta ruajmë frymën e pasionit dhe dashurinë për punën, të cilën në mënyrë të jashtëzakonshme na e ka mësuar profesori Ahmet Brahimaj. Misioni im ka qenë që Baleti Kombëtar i Kosovës të avancojë, të rritet dhe të përfaqësojë vendin tonë me dinjitet brenda dhe jashtë kufijve. Jam mirënjohës për çdo mbështetje, bashkëpunim dhe çdo moment të bukur që kam përjetuar në këtë udhëtim”, ka shkruar ai. 

Ka bërë të ditur edhe një gjë. 

“Nga sot përfundon angazhimi im aktiv me BKK-në. Do të jem gjithmonë fans, mbështetës dhe ruajtës i historisë së baletit tonë kombëtar”, ka shkruar ai. Kajtazi i takon gjeneratës së parë të fëmijëve që kanë shkuar në shkollim për balet në Kosovën e pasluftës. Po ashtu i takon gjeneratës së parë të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, institucion që u rithemelua pas më shumë se një dekade shkaku i masave të dhunshme të viteve ’90. Nga viti 2003 Kajtazi ka qenë i angazhuar në BKK. Më 2005 është punësuar si balerin i rregullt. Gjithnjë ka qenë solist i këtij institucioni në shfaqjet më të mëdha dhe më me peshë që janë përgatitur. Numëron mbi 50 role si solist. Ka qenë solist i dalluar edhe në nivel rajoni. Në vitin 2008 Kajtazi po si solist do të interpretonte në teatrin me nam botëror “La Mama” në New York. Qe solist në projektin vjetor të këtij teatri, mjuzikëllin “The Raven.” Gjatë qëndrimit për gjashtë javë në New York qe paraqitur para publikut të kësaj shfaqjeje 13 herë. Për këtë shfaqje e po ashtu edhe për lojën e Kajtazit në këtë projekt kishte raportuar edhe prestigjiozja “The New York Times”. Balerini nga Kosova do ta merrte ofertën për të qëndruar në këtë metropol e për ta zhvilluar atje karrierën. Por Kajtazi kishte vendosur që të mos e linte BKK-në. 

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN në mbrëmjen e së hënës ka thënë se ajo që e gëzon më së shumti janë arritjet e BKK-së gjatë kohës sa ishte balerin e po ashtu edhe drejtues i këtij institucioni. 
“E rëndësishme është që BKK-ja të ecë para dhe të vazhdojë të ofrojë shfaqje me nivel të lartë për publikun tonë që s’ka munguar asnjëherë e po ashtu të përfaqësojë vendin dinjitetshëm jashtë Kosovës”, ka thënë Kajtazi. Ka përsëritur se për të vendimi i ministrit në detyrë Hajrulla Çeku ishte i papritshëm. Nën drejtimin e Kajtazit BKK-ja ka interpretuar në disa shtete evropiane, në Kore të Jugut e po ashtu në New York. Para një jave balerinët janë kthyer nga Italia. Kanë interpretuar shfaqjen “Carmina Burana” me koreografi të Toni Candeloro në tetarin “Malibran” në Venecie para rreth 700 vetave në publik. Të njëjtën e kanë luajtur edhe në Potenza të Italisë. Për këtë BKK-ja është përgëzuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, e po ashtu edhe nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. 
“Nën drejtimin e koreografit të famshëm Toni Candeloro dhe asistentes së tij, Antonietta Buccolieri, Baleti Kombëtar i Kosovës ka mahnitur publikun italian këtë javë me dy shfaqje fantastike, njërën në Teatro Malibran të Venecias dhe tjetrën në Cineteatro Don Bosco të Potencas”, ka shkruar kryeministri Kurti në rrjete sociale për këtë prezantim. Kurse ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, e kishte vlerësuar si paraqitje të shkëlqyer të Baletit Kombëtar të Kosovës paraqitjen në Venecie. 

“Sonte, në skenën historike të Teatro Malibran, Baleti Kombëtar i Kosovës interpretoi ‘Carmina Burana’ nën koreografinë e maestros italian Toni Candeloro, një performancë që na mbushi me krenari. Publiku ndërkombëtar i priti balerinat dhe balerinët tanë me duartrokitje të gjata, duke vlerësuar përkushtimin dhe nivelin e tyre artistik. Kjo shfaqje është një pasqyrim i potencialit të artit tonë dhe i punës së palodhur të trupës së baletit”, do të shkruante Çeku para një jave. Në mbrëmjen e së hënës, KOHA ka pyetur ministrin në detyrë Çeku për arsyen e shkarkimit të Kajtazit, por ai s’ka kthyer përgjigje.  
Prej korrikut të vitit 2022, BKK-ja ka ngelur pa shtëpi shkaku i mbylljes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për restaurim. Provat e ushtrimet balerinët çdo ditë i mbajnë në ambientet e ansamblit “Shota”, kurse shfaqjet i japin në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë që shfrytëzohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës. KOHA disa herë ka raportuar për sfidat e këtij institucioni. 

Sinan Kajtazi për herë të parë ishte zgjedhur drejtor i BKK-së në qershor të vitit 2018, pas pensionimit të ish-drejtorit, tash të ndjerit Ahmet Brahimaj. Por një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që ai të mos qëndronte më shumë se 12 ditë në këtë pozitë. AKK-ja kishte konstatuar se ai nuk mund ta mbajë pozitën pa kaluar dy vjet prej largimit nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni. Kajtazi qe rizgjedhur drejtor me mandat trevjeçar në ditën e fundit të shkurtit të vitit 2022.