“Gjatë testimit kemi vërejtur që MKRS-ja, në kundërshtim me kufizimet buxhetore të vendosura në vendimin për thirrje publike, kishte tejkaluar buxhetin e planifikuar me rastin e vlerësimit të projekteve, si dhe kishte subvencionuar institucione tjera të paplanifikuara me buxhet”, shkruhet në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2024 të Zyrës Kombëtare të Auditimit. E, kjo është njëra prej gjetjeve të auditorëve në institucionin që ka 153 konsulentë. Sipas ZKA-së, MKRS-ja e ka subvencionuar RTK-në me 140 mijë euro për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares së futbollit, pavarësisht se RTK-ja është një medium publik dhe si i tillë financohet nga Kuvendi i Kosovës. Tejkalimi i vlerës së kontratës në vlerë prej 200 mijë eurosh, është gjetje më vete dhe ka të bëjë me spote televizive
Rritja e buxhetit për projekte prej 2.4 milionë në gati 5 milionë euro, angazhimi i 153 konsulentëve, mangësitë në proceset e rekrutimit të stafit, pozitat me ushtrues detyre në kundërshtim me ligjin e realizim i dobët i investimeve kapitale, janë disa prej gjetjeve që Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Kulturës.
Institucioni më i lartë kulturor në vend, sipas Raportit të Auditimit për vitin 2024, përballet me një sërë gjetjesh që për Zyrën Kombëtare të Auditimit përbëjnë shqetësim në menaxhimin e financave publike dhe bien në kundërshtim me ligjet në fuqi. Ministria e Kulturës është pajtuar me shumicën e konkluzioneve të auditorëve, përderisa është zotuar se do të punohet plani i veprimit në bazë të gjetjeve dhe rekomandimeve.
Rritja e buxhetit për projekte në afro 5 milionë euro
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, MKRS-ja gjatë vitit 2024 kishte rritur mbështetjen e thirrjeve për përkrahjen e skenës së pavarur kulturore mbi 100 për qind. Për bazë është marrë vendimi i datës 13.3.2024 për thirrjen publike për projekt–propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë për vitin 2024. Sipas këtij vendimi, OJQ-të dhe individët do të përkraheshin nga Departamenti i Kulturës me 2 milionë euro përderisa nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore me 400 mijë euro. Por, situata kishte ndërruar më shumë se 100 për qind.
“Gjatë testimit kemi vërejtur që MKRS-ja, në kundërshtim me kufizimet buxhetore të vendosura në vendimin për thirrje publike, kishte tejkaluar buxhetin e planifikuar me rastin e vlerësimit të projekteve, si dhe kishte subvencionuar institucione tjera të paplanifikuara me buxhet”, shkruhet në raportin e publikuar të enjten.
Auditorët kanë gjetur se nga Departamenti i Kulturës ishin përkrahur projekte në vlerë 4 milionë e 104 mijë euro, ndërsa nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore projekte në vlerë 840 mijë e 801 euro, “duke tejkaluar buxhetin e planifikuar mbi 100 për qind bazuar në thirrjen publike”.
Shuma përfundimtare ishte 4 milionë e 944 mijë e 801 euro.
Auditorët kanë hasur edhe një subvencionim të veçantë në këtë rast.
“MKRS-ja ka subvencionuar Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) në vlerë 140,000 € për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares së futbollit, pavarësisht se RTK është një medium publik dhe si i tillë financohet nga Kuvendi i Kosovës”, shkruhet në Raport. MKRS-ja nuk është pajtuar me këto gjetje.
Sipas Raportit, është arsyetuar se në konkurs ka pasur projekte kualitative.
“MKRS pasi ka krijuar kushtet financiare, duke proceduar në tërësi disponueshmërinë e mjeteve brenda kodeve përkatëse për mbështetjen e skenës së pavarur kulturore, përmes plotësim–ndryshimit të vendimeve ka aprovuar buxhetin e ri për mbështetjen. Rrjedhimisht buxheti i mbështetjes nuk është tejkaluar, por mbi bazën e vlerësimit të komisioneve profesionale të MKRS-së është ndryshuar”, shkruhet në komentin MKRS-së. Por, auditorët s’kanë hequr dorë nga konstatimi i tyre me arsyetimin se “nuk është ofruar ndonjë dëshmi sa i përket kërkesës për buxhet shtesë dhe aprovimeve përkatëse”.
Raporti sqaron se MKRS-ja kishte ekzekutuar pagesa në kategori ekonomike joadekuate, në vlerë prej 662 mijë e 412 eurosh. Auditorët kanë gjetur se pagesa në vlerë prej 631 mijë e 66 eurosh përmes vendimeve gjyqësore për “shpenzime të organizimit të eventeve, dizajne dhe shtypja e materialeve promovuese” ishte ekzekutuar nga kategoria e investimeve kapitale, derisa shpenzimi përkatës për nga natyra i takonte kategorisë së mallrave dhe shërbimeve.
Te kjo gjetje figurojnë edhe pagesat në vlerë prej 395 mijë e 596 eurosh të ekzekutuara përmes vendimeve gjyqësore për investime kapitale. Në këtë rast figuron edhe kontrata për “Furnizim me pajisje pune dhe materiale të nevojshme për restaurim-konservimin e artefakteve dhe kabineteve për Muzeun Kombëtar të Kosovës. Auditorët kanë gjetur se pagesa për pajisje në vlerë 18 mijë e 350 euro, e paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, për nga natyra i takonte kategorisë së investimeve kapitale. Për këtë gjetje, sipas Raportit, është pajtuar edhe MKRS-ja.
Tejkalim i afateve ligjore me ushtrues detyre
Ministria e Kulturës nuk e respekton as përcaktimin ligjor se mbi një vit s’mund të mbahet një pozitë me ushtrues detyre. Ky është përcaktim i Ligjit për zyrtarët publikë. Auditorët kanë gjetur se MKRS-ja gjatë kohës së auditimit kishte të caktuar me vendim 49 zyrtarë ushtrues detyre, prej të cilëve 28 raste në MKRS, 14 raste në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe shtatë raste në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
“Po ashtu, në 11 raste kemi vërejtur se pozitat e rregullta të punës mbaheshin me ushtrues detyre më gjatë se afati i paraparë ligjor prej dymbëdhjetë (12) muaj si në vijim: 7 në Ministri, 1 në ASHAK, 2 në BKK dhe një në AMMKM”, shkruhet në Raport. Kjo gjetje është pranuar dhe nuk është kontestuar nga MKRS-ja.
Vonesa në mbyllje avancash për udhëtime zyrtare
Auditorët kanë hasur edhe në vonesa në pagesën e obligimeve të papaguara. Raporti nxjerr në pah se në tetë (8) faturat në vlerë prej 165 mijë e 52 eurosh nuk janë paguar në afatin e paraparë ligjor. Është konstatuar se vonesat variojnë nga 11 deri 179 ditë kalendarike. Vonesa në mbylljen e avancave për udhëtime zyrtare është një tjetër shkelje.
Auditorët kanë gjetur se te pasqyrat financiare vjetore vetë MKRS-ja kishte raportuar avance të paarsyetuara për udhëtime zyrtare në vlerë prej 40 mijë e 984 eurosh.
“Nga kjo shumë vlera prej 19 mijë e 590 eurosh ishin avance të pambyllura nga vitet paraprake (2010-2023), përderisa avance të pambyllura për vitin 2024 ishin në vlerë prej 21 mijë e 394 eurosh, të cilat kishin kaluar afatin ligjor prej 15 ditëve”, shkruhet në Raport. Edhe këtë gjetje MKRS-ja nuk e ka kundërshtuar.
Armata e konsulentëve dhe tejkalimi 200 mijë eurosh për spote televizive
Angazhimi i konsulentëve nëpërmjet procedurave të prokurimit për mbulimin e pozitave të rregullta të punës është një tjetër gjetje e auditorëve. Raporti pasqyron se shërbimet e veçanta, të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbimet profesionale për të cilat autoriteti kontraktues ka nevojë, por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka. Auditorët kanë gjetur se gjatë vitit 2024 MKRS, duke përfshirë institucionet vartëse, kishte të angazhuar 153 konsulentë me marrëveshje për shërbime të veçanta përmes procedurave të prokurimit. Prej tyre 149 në MKRS, tre në AMKMK dhe një BKK.
“Këta persona ishin angazhuar në pozita të rregullta, si zyrtarë administrativë, ligjorë, të financave, arkivit, IT, vozitës, historian, etnologë e të tjerë. Kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve jo të duhura dhe mosaplikimit të drejtë të kërkesave ligjore”, shkruhet në Raport. MKRS-ja është pajtuar me ketë gjetje.
Tejkalimi i vlerës së kontratës për mbi 200 mijë euro është gjetje më vete. “Shërbimet e prodhimit të spoteve televizive dhe dokumentarëve për nevojat e MKRS-së”, mban titullin kontrata e lidhur midis MKRS-së dhe një konsorciumi kompanish për periudhën kohore 16.10.2023 deri më 15.10.2026. Kjo shumë ishte tejkaluar shumë më herët, përfshirë mundësinë e pagesave shtesë prej 30 për qind.
“MKRS kishte realizuar pagesa në vlerë 1 milion e 62 mijë e 93 euro. Pra, vlera e pagesave kishte tejkaluar vlerën e kontratës përfshirë (+30%) për 22 mijë e 93 euro”, shkruhet në Raport. Edhe me këtë gjetje është pajtuar MKRS-ja.
Mungesa e realizmit të projekteve kapitale
Sipas pasqyrave financiare, MKRS-ja kishte buxhet fillestar prej 88 milionë e 118 mijë e 721 eurosh për vitin 2024. Prej 6.9 milionë eurosh për paga dhe mëditje ka shpenzuar 6.7 milionë. Prej 5.1 milionë eurosh të parapara për mallra dhe shërbime, shpenzimet i kanë shkuar në 5.9 milionë euro. Si buxhet fillestar për subvencione dhe trasfere kishte 17.1 milionë. Por, shpenzimet i ka çuar në 23 milionë.
Shpenzimet në këtë kategori ishin rritur për 8.2 milionë euro. Pika më e dobët mbeten investimet kapitale dhe njëkohësisht ato sakrifikohen për shpenzime të tjera gjatë vitit. Prej 58.4 milionë eurosh, nga buxheti fillestar i investimeve kapitale MKRS-ja ka shpenzuar 26.1 milionë euro.
“Buxheti për investime kapitale në krahasim me buxhetin fillestar ishte zvogëluar për 15,308,834€, si rezultat i kërkesave për transfere dhe vendimeve të Qeverisë në vlerë 15,303,834€ dhe ndarjet nga grantet e përcaktuara të donatorëve në vlerë 5,000€. Shpenzimi i buxhetit final në këtë kategori ishte 61%. Ky nivel i ulët i realizimit ishte si rezultat i mosfillimit/zbatimit të procedurave të prokurimit për projekte kapitale, anulimit të procedurave, si dhe mosinicimit të kërkesave nga njësitë kërkuese”, shkruhet në Raport.
Pos mungesës së planifikimeve, MKRS-ja del të jetë edhe me defekte në përcaktimin e specifikave teknike kur shpall tenderë për furnizime. Sipas Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, nga mostrat e testuara në dy raste është vërejtur se specifikimet teknike kufizojnë ose favorizojnë numrin e operatorëve ekonomikë që mund të marrin pjesë. Kjo bëhet duke u përcaktuar për mjete të vetëm një prodhuesi. Edhe për këtë gjetje MKRS-ja është pajtuar.