Kulturë

Artisti i lirisë në mbretërinë abstrakte

Dekorimet me piktura në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë ishin bërë nga Haxhi Et’hem beu në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Tani këto piktura murale, që kanë afro 190 vjet histori, po restaurohen me kujdes e delikatesë nga duart e Adrian Çenes.

Mjeshtërinë e tij prej restauruesi e ka stërholluar që nga viti 2007. Për mbi një dekadë, nga viti 2003, ai ka punuar si specialist i restaurimit të ikonave dhe pikturave murale në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Është 50-vjeçar, por në vete ka një univers të përthellë artisti. Çene është prej atyre që nuk e çan kokën fort si i interpretohet një vepër. E rrjedhimisht nuk gjakon që atë ta ngarkojë me kuptimësi e mesazhe.

“Nuk më intereson fare ana sociale dhe ideologjike”, thotë ai në rrëfimin për “Kohën Ditore”.

Më 18 tetor ai ishte në Prishtinë bashkë me dy koleget e tij artiste, Brikena Bërdo dhe Albana Shoshi, për ekspozitën “Post-Avangarda Lindore”.

Kërkimi i formave estetike

Në 18 pikturat e ekspozuara në sallën e Galerisë së Ministrisë së Kulturës reflektohej një psikologji e një brezi artistësh që jetuan në ndërmjetësen kohore mes epokës së komunizmit dhe asaj të demokracisë. Sipas kuratores Suzana Varvarica-Kuka, ideja e titullit ngacmues të ekspozitës ishte edhe të provokonte njëfarë vramendjeje sesi arti i vendeve të ish-bllokut komunist u kundërqëndron sfidave estetike të artit perëndimor... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)