Kultura është një reflektim i shoqërisë që e trashëgon dhe vetë pasqyra për të. Në këtë pjesë të kulturës (në kuptimin e saj universal) unë e reflektoj vëzhgimin tim, i lindur nga një vepër arti që krijova më 2024, një përvojë e tërë. Kjo vepër është një instalacion skulptural specifik për vendin, me titullin “E tashmja e kaluar”, i cili vendos të kaluarën politike të Shqipërisë si një shfaqje traumatike në trashëgiminë tonë kulturore: shfuqizimin e kolektivitetit, me frikën ndaj të tjerëve. Në këtë artikull, po ndaj një pjesë të vëzhgimit tim mbi një element të trashëguar kulturor. Mendime që lindën gjatë krijimit të veprës dhe përtej saj, proces ky që është konceptuar posaçërisht për ish-burgun politik të Spaçit në Mirditë, Shqipëri
(Meer.com) – Thonë se njerëzit kanë filluar marrëdhënie të gërshetuara përmes tokës, ushqyerjes dhe cikleve të përbashkëta. Dalëngadalë, komunitetet janë ngritur rreth ritmeve të bujqësisë, duke marrë kuptim nga dheu dhe nga njëri-tjetri. Me kalimin e kohës, këto arritje të hershme kanë bërë që të ngrihen shtëpi, pastaj qyteza, rrugë që kanë rrjetëzuar lëvizjet dhe dëshirat e tyre. Kanë marrë formë mbretëritë, disa me qëllim mbrojtjeje, disa për dominim. Më pas arritën të bëheshin perandori, duke pushtuar toka, duke u përplasur për pavarësi, të etur për të lënë gjurmë në botë.
Në thelb, këto perandori shpesh kishin të bënin më shumë me forcën dhe dominimin, sesa me qeverisjen: mite të orkestruara të pushtetit. Zgjerimi i tyre nuk ishte vetëm territorial, por edhe simbolik.
Gjatë gjithë kësaj historie, të ndërthurur me brutalitetin dhe shkëlqimin e saj, njerëzimi krijoi art, muzikë, rituale, letërsi, fe, ligje dhe institucione. Këto nuk lindën vetëm si shprehje të jetës, por edhe si arkitektura besimi për të dominuar.
Gjatë gjithë kësaj historie, të ndërthurur me brutalitetin dhe shkëlqimin e saj, njerëzimi krijoi art, muzikë, rituale, letërsi, fe, ligje dhe institucione. Këto nuk lindën vetëm si shprehje të jetës, por edhe si arkitektura besimi për të dominuar.
Në çdo akt fisnik, hijet qëndronin pranë. Dhe brenda çdo dhune, jehona e zgjuarsisë ose e një bukurie të papritur ndonjëherë mbijetonte. Me sa duket, asgjë nuk ishte plotësisht e pastër apo plotësisht e korruptuar. Ajo që pasoi ishte ndërtimi i sistemeve të shkallëve dhe teksturave të ndryshme — të projektuara për të administruar, për të kujtuar dhe për të përjetësuar: qytete, kombe, rend global, mjete të rendit dhe gjuhë të kontrollit.
Megjithatë, nën të gjitha këto, mbetet një fill i qëndrueshëm: ndërtimi i kujtesës. Qoftë i vetëdijshëm apo jo, kjo përpjekje kolektive nuk u ndal kurrë, për të përcaktuar kush ishim, kush jemi dhe kush mund të bëhemi.
Pikërisht këtu, në shtresëzimet midis asaj që kujtohet dhe asaj që varroset, i vendos mendimet e mia në lidhje me përvojën që pata në vitet 2023–2024. Sepse ajo që formëson botën, nuk është vetëm ajo që ndërtojmë, por edhe mënyra se si kujtojmë, veçanërisht botën e tashme.
Deri më tani, nën sipërfaqe, ngrihet një tjetër ndërtim njerëzor: kultura.
Kultura nuk është as plotësisht e mirë, as plotësisht e keqe; ajo i përmban të dyja. Sepse janë e mira dhe e keqja e njerëzimit që e formësojnë kulturën. Prandaj, kultura është një reflektim i shoqërisë që e trashëgon dhe vetë pasqyra për të.
Trashëgimia kulturore dhe arti
Në këtë pjesë të kulturës (në kuptimin e saj universal) unë e reflektoj vëzhgimin tim, i lindur nga një vepër arti që krijova më 2024, një përvojë e tërë. Kjo vepër është një instalacion skulptural specifik për vendin, me titullin “E tashmja e kaluar”, i cili vendos të kaluarën politike të Shqipërisë si një shfaqje traumatike në trashëgiminë tonë kulturore: shfuqizimin e kolektivitetit, me frikën ndaj të tjerëve.
Në këtë artikull, po ndaj një pjesë të vëzhgimit tim mbi një element të trashëguar kulturor. Mendime që lindën gjatë krijimit të veprës dhe përtej saj, proces ky që është konceptuar posaçërisht për ish-burgun politik të Spaçit në Mirditë, Shqipëri. Gjatë gjithë procesit të kërkimit që çoi te vepra, u ndesha me shkrimet e Jurgen Straubit. Sipas Straubit, përmirësimi i vazhdueshëm i kujtesës kolektive duhet të hedhë dritë mbi kohën dhe të hapë rrugë për zhvillimin e së ardhmes. Së paku, ky proces na lejon të rizbulojmë mundësi të humbura duke stabilizuar fuqinë e veprimit njerëzor. Vepra e tij solli qartësi dhe forcë në kërkimin tim. Duke e ditur se sa i ngushtë është peizazhi politik shqiptar, nevojitet frymëzim për ta kundërshtuar mendësinë e tashme.
Gjatë procesit të rikuperimit të asaj që ishte humbur, gjeta hapësirë për të ushqyer krijimin e veprës artistike — duke e perceptuar veprën si një akt të veprimit përmes artit vizual.
Në trashëgiminë kulturore, ekzistojnë fijet e së tashmes që mund të zbulojnë arkitekturën e përpjekjeve tona kolektive. Trashëgimia kulturore funksionon si një laborator i kujtesës kolektive: përjetëson fragmentet e historisë, përpunon nuancat kulturore dhe ruan gjurmët e së shkuarës. Megjithatë, përmes kulturës, arti bëhet një katalizator, një valë alkimike që energjizon proceset e trajtimit shoqëror, shërimit dhe thellimit të njohurive gjeneracionale për atë që ka ndodhur më parë.

Arti si veprim kulturor
Çfarë nënkuptoj me artin si veprim kulturor? Vepra artistike dhe ekspozita që u zhvillua në ish-burgun politik lindën nga nevoja për të ndërmarrë hapa të sinqertë në përballimin e aspekteve të së kaluarës sonë traumatike, që ekziston, aktualisht, në pavetëdijen kolektive, duke nxjerrë në pah frikën dhe mosbesimin midis shokëve shqiptarë. Në fakt, këta dy përbërës kanë qenë një çështje që ka fragmentuar progresin tonë kolektiv, duke e shtyrë gjeneratën e re drejt kufirit të mospërkujdesjes për hapësirën e përbashkët të jetesës.
Nëse vështrohet ndryshe, kultura duket sikur rritet vetë, në një mënyrë që ka jetën e vet të shkëputur nga shoqëria, por megjithatë e ndikuar nga interesa të ngushta ego-individualiste. Ajo që lind nga ky fenomen është një dominim politik i errët, i vendosur mbi vendimmarrjen shoqërore. Në fund, peizazhi kulturor ushqehet nga komanda e një personi, duke lindur kultin e individit, që na kthen te ngjarjet imperialiste dhe diktatoriale.

Pavarësisht lidhjes emocionale me kulturën, ajo në fund përfaqëson këtë aspekt të errët, duke shënuar përparimin e shoqërisë shqiptare, madje edhe pas rënies së diktaturës më 1991. Në këtë kuptim, “E tashmja e kaluar” është një veprim kulturor, sepse përfshin përpunimin e këtyre shenjave të dhimbshme të lëna nga e kaluara. Ajo mundëson rikuperimin e mundësive të humbura dhe vendosjen e pajtimit emocional dhe psikologjik në të tashmen.
Vepra artistike është krijuar duke integruar katër fusha kryesore – historinë, teorinë, psikologjinë dhe simbolizmin – me qëllim të kujtimit në mënyrë të vetëdijshme të ngjarjeve të së kaluarës: (1) ekzistenca e trashëgimisë kulturore, (2) gjurmët e së shkuarës, (3) transmetimi ndërgjeneracional, dhe (4) arti në thyerjen e kultit të individit.
Vijon nesër
Marrë nga meer.com. Përktheu: Sinan Berisha