Kulturë

Arti prej xhami në laboratorin e specieve nga një botë tjetër

Një univers i qelqtë. Si në kaleidoskop brenda tij shfaqen e rishfaqen “gjallesa” fantastike aq sa humbasin edhe kufijtë mes reales dhe surreales. Por “krijimi” i specieve të tilla nuk është as nekromanci mesjetare dhe as alkimi për të gjetur pavdekësinë. Diçka më e bukur sesa kaq është arti i një mjeshtri të rryer danez.

Në titërr të një ultësire të butë, aty ku një gadishull formon Gjirin e Ebeltoftit – në fshatin e qetë të Handrupit – Steffen Dan merr e jep mbi veglarinë e tij. Në studio ndodhet kudhra, lloj-lloj darësh të varur në mure, si dhe një flakëhedhëse. Me një lloz hekuri ai nxjerr nga furrnalta një masë të shkrirë që shpejt e derdh brenda një matrice, shkruan KOHA.

Është një zeje që e stërhollon tash e 30 vjet. Por ajo çfarë del nuk është një qelqurinë e thjeshtë. Artisti 59-vjeçar nga Danimarka, Steffen Dam, ka përjetësuar një botë thuajse fantastike, gati-gati një “laborator” qeniesh inekzistente nga deti.

Kavanozat e mistereve

“Kavanozat e mia nuk përmbajnë asgjë nga ajo që gjëllin në oqean, speciet e mia janë të gjasshme, por jo nga kjo botë, bimët e mia mund të gjenden në grumbujt e mi të përzier e lulet e mia ende janë pa emër”, është përshkrimi në vetën e parë që Dam ka afishuar në faqen e vet.

Në vitin 1982, pas një periudhe katërvjeçare si “shegert” në inxhinierinë teknike, Dam do të bëhej vegëlpunues i kualifikuar. Si i tillë kishte nisur punën në një kompani plastike, por mjeshtëria e tij nuk ishte veç te zhdërvjelltësia dhe finesa e duarve të tij. Me të ishte blatuar edhe një pasion që qelqin do ta latonte në art. I ka të freskëta në kujtesë ditët kur si fëmijë ulej në prehrin e gjyshit për të lexuar libra mbi historinë e natyrës. Vëllime të tëra shtriheshin radhë-radhë në librarinë e gjyshit me tituj nga biologjia, shkencat natyrore, flora e fauna.