Veprat artistike kanë qenë historikisht mjet i fuqishëm për të dokumentuar traumat shoqërore. Në rastin e Kosovës, ndonëse ekzistojnë vepra të rëndësishme letrare e filmike që trajtojnë luftën, ato ngjajnë të pakrahasueshme me përmasat e ngjarjes. Fill pas luftës, jo rrallë hasej në refuzim të përballjes me traumën. “Sikur u krijua një lloj pakti i heshtur që duhet të gjejmë tema të tjera, më universale dhe të largohemi nga temat e luftës, gjë që na solli në një periudhë ku ne gati kishim harruar që në Kosovë kishte luftë”, ka thënë dramaturgu Arian Krasniqi. Studiuesja Blerina Rogova-Gaxha ka zbërthyer shembullin e saj të refuzimit të temës së luftës dhe rikthimin tek ajo, pas një çerekshekulli
Historia jo e largët e Kosovës nuk trajtohet mjaftueshëm në art. Një çerekshekull pas e edhe në vitet e para kur kujtesa kolektive ishte shumë e freskët, në format e ndryshme të artit, ajo qe refuzuar e gati edhe harruar. Ky ka qenë njëri prej konstatimeve në panelin e diskutimit në temën “Interpretimi i luftës përmes artit: Duke kujtuar Kosovën” në ditën e tretë të edicionit të dytë të konferencës shkencore ndërkombëtare me titull “Nga lufta te rimëkëmbja: Një qasje multidisiplinare ndaj traumës së luftës në Kosovë”.
Në kinemanë “Armata” në Prishtinë, midis ngjarjesh të tjera që kthejnë kujtesën kolektive në luftën e fundit në Kosovë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në ngjarjen e organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, është trajtuar edhe aspekti i heshtjes së artit për të trajtuar temat e luftës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë format e ndryshme të artit, qoftë letërsi, film, teatër, arte pamore, vërehet shpesh lënie anash e temës së luftës, ani pse në dukje lufta ka qenë e pranishme në trajtime artistike. Në konferencë është thënë se ajo nganjëherë është edhe e pjesshme. Megjithatë nuk është e mangët. Jo më larg se pikërisht më 17 shkurt, në kuadër të koncertit të Filharmonisë së Kosovës, me të cilin institucioni shtetëror muzikor festoi 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, krimet serbe janë përkthyer në art muzikor me veprën “Nunquam Iterum – Lamenti i Nënës” e Valton Beqirit.
Arti ka qenë historikisht mjet i fuqishëm për të dokumentuar traumat shoqërore. Në rastin e Kosovës, ndonëse ekzistojnë vepra të rëndësishme letrare e filmike që trajtojnë luftën, ato ngjajnë të pakrahasueshme me përmasat e ngjarjes.
Shumë krijues zgjedhin tema më universale ose më pak të ndjeshme, mbase edhe për t’iu shmangur lodhjes emocionale nëpër të cilën ka kaluar populli. Synon që publikut të tillë t’i sjellë tematika më zbavitëse. Temat universale, sipas dramaturgut Arian Krasniqi, zgjidheshin para atyre aktuale në atë kohë, edhe kur ai, në vitin 1999, ishte student i vitit të parë në Fakultetin e Arteve në drejtimin Dramaturgji dhe Skenar.
“Ne si studentë ngurronim të trajtonim temat e luftës në skenarët tanë, në dramat tona. Ka qenë energjia e përgjithshme që sado ballafaqohesh me dhimbje, humbje, trauma dhe nevojën individuale e kolektive për t’i kaluar apo refuzuar. Këtë ndjenjë refuzimi për të trajtuar temat e luftës e ndieja edhe unë atëherë si student i vitit të parë në Fakultetin e Arteve për Dramaturgji dhe Skenar”, është shprehur Krasniqi.
Sipas tij, kjo situatë kishte zgjatur deri në pikën kur gati u harrua se në Kosovë kishte pasur luftë.
“Vitet kalonin dhe gjithnjë e më pak në Kosovë prodhoheshin filma për luftën dhe gjithnjë e më pak realizoheshin shfaqje me tema për luftën. Sikur u krijua një lloj pakti i heshtur që duhet të gjejmë tema të tjera, më universale dhe të largohemi nga temat e luftës, gjë që na solli në një periudhë ku ne gati kishim harruar që në Kosovë kishte luftë”, ka vazhduar ai.
Sipas Krasniqit, dimensionet e ndikimit të filmit dhe të teatrit janë shumë të mëdha në tematika të luftës krahasuar me format e tjera artistike.
“Të gjitha llojet e format e shprehjes artistike e kanë një rol të rëndësishëm në këto tema, të ndërlidhura në formë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me luftën, mirëpo janë disa forma të shprehjes artistike që mund të kenë ndikim më të madh te publiku, e këto janë teatri dhe filmi. Sepse lidhen me vizualitetin, pra me shfaqjen dhe me aftësinë konkurruese vizuale për të qenë më komunikues me audiencën. Në asnjë moment nuk kam ndonjë synim ta mohoj rolin që mund ta ketë letërsia ose një formë tjetër arti”, ka thënë Krasniqi.
E studiuesja e letërsisë Blerina Rogova-Gaxha, e cila mban pozitën e drejtoreshës së përgjithshme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka thënë se të trajtosh luftën, si në mënyrë institucionale a individuale, është mision më vete.
“Të shkruash për luftën, të përdorësh mediume të ndryshme të memories, siç është letërsia, apo rrëfimi, teatri, është një lloj larjeje e borxhit individual karshi borxhit të madh kolektiv. Mendoj se ne si pjesë e shoqërisë, e kemi secili për borxh të japin kontributin tonë në trajtimin apo rikujtimin e rindërtimin e luftës. E dimë që trauma dhe memoria e luftës kërkojnë një kohë historike të pushimit të qetësisë, apo të një periudhe që quhet injorim i njeriut ndaj traumës së luftës”, ka thënë Rogova-Gaxha derisa ka thënë se në shoqërinë e Kosovës ka ndodhur të refuzohet e injorohet trauma. Ka thënë se e ka bërë edhe vetë ajo në veprën e saj.
“Me apo pa dashje, gabimisht, edhe në shoqërinë e Kosovës ka ndodhur ajo që i ndodh biologjikisht një njeriu: që ta refuzojë e ta injorojë traumën. Unë vetë në letërsinë që shkruaj e kam injoruar pothuajse krejtësisht temën e luftës duke trajtuar vetëm në vija të trasha ndoshta qenien e traumatizuar të luftës sesi ai ndihet në periudhën e pasluftës. Jo aq shumë si pasojë direkte e luftës, por si pasojë e zhgënjimit të tij me realitetin e pasluftës. Kanë kaluar më shumë se njëzet vjet paslufte dhe m’u desh t’i rikthehem asaj teme, ta trajtoj temën e luftës si studiuese e letërsisë”, ka thënë ajo.
Duke iu referuar librit të saj studimor “Memorie dhe traumë – kujtesa e luftës së Kosovës 1998-1999”, ka ilustruar se si – pasi ishte thelluar në trajtimin e prezantimit të luftës në letërsinë e Bosnjës, Kroacisë e të Serbisë – kishte ndier borxh ta trajtonte këtë aspekt edhe për Kosovën.
“Fillimisht e kam nisur si projekt me pesë autorë dhe ai pastaj është zgjeruar me 40 autorë. Tek ai libër erdha pas hulumtimit të mënyrës së reprezentimit të luftës në letërsinë e Bosnjës, të Kroacisë dhe të Serbisë. Pas disa punimesh shkencore ku trajtohet një autor i Kosovës, një kroat e një boshnjak, e ndjeva si borxh që ia kam vendit dhe punës sime që ta trajtoj sesi kolegët e mi apo një gjeneratë më e vjetër i janë qasur luftës, çka reprezentojnë nga lufta. Ne e dimë që letërsia është fiksion, por letërsia e luftës gjithmonë mbështetet në fakte reale. Ta kthesh faktin në fiksion krijohet aftësi krijuese, impenjim i madh dhe njohje e situatës dhe e realitetit”, ka thënë ajo.
Në këtë panel, moderuar nga Rrezarta Ahmeti, ishte paralajmëruar të merrte pjesë edhe regjisorja Blerta Basholli, por ajo nuk ka qenë e pranishme.
Panelit i ka paraprirë shfaqja e filmit të shkurtër, “Klithma” me skenar dhe regji të Korab Lecajt, një rrëfim për një plagë të heshtur të luftës: dhunën seksuale ndaj burrave. Është një histori e cila aktualizon një temë si kjo. Edhe Lecaj ka kujtuar kur i thuhej se “ishte afër të trajtohen tema si këto, se duhet të kalojë një kohë për t’u marrë me këto tema”.

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me titull “From war to recovery: A multidisciplinary approach to Kosovo’s war trauma” (Nga lufta te rimëkëmbja: Një qasje multidisiplinare ndaj traumës së luftës në Kosovë) nisi punimet të martën në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës. Në ceremoninë e hapjes, drejtori ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, e kishte paraqitur konferencën si platformë institucionale për zhvillimin e hulumtimit mbi krimet e luftës në Kosovë.
E kryeministri Albin Kurti kishte theksuar përgjegjësinë e institucioneve publike për mbështetjen e proceseve të dokumentimit, konsolidimin e mekanizmave të drejtësisë dhe garantimin e trajtimit dinjitoz të viktimave dhe të të mbijetuarve. Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, kishte shprehur gatishmërinë e UP-së për të kontribuuar me projekte kërkimore dhe bashkëpunim institucional me Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Paneli i parë u mbajt nën temën “Të mbijetuarit dhe dëshmitarët e masakrave në Kosovë” në të cilën kanë ndarë përvojat dhe dëshmitë e tyre Bislim Zogaj, Jusuf Buzhala dhe Bekim Gashi.