Kulturë

Arti i blerë nga shteti tejkalon milionëshin në vitin e tretë

“Kësti” i tretë i blerjes së veprave të artit më qëllim të pasurimit të fondit të Galerisë Kombëtare të Kosovës për sivjet është 400 mijë euro prej një milion e 50 mijë euro që Qeveria kishte ndarë në mars të vitit 2022. Për këtë vit blerjet nuk janë bërë ende. Alisa Gojani-Berisha, zëvendësuese e drejtorit në institucionin më të lartë të artit pamor në vend, ka thënë se Këshilli Drejtues i GKK-së është në proces të formimit të një komisioni profesional, i cili fillimisht do të bëjë një hulumtim mbi fondin shtetëror të veprave të artit në GKK. “Pastaj bazuar nga nevojat e pasurimit kronologjik të koleksionit do të plotësojë ato me blerjen direkte, që do të paraprijë me vizita në studio nga komisioni për përzgjedhjen e veprave”, ka thënë ajo

Shteti sivjet ka hyrë në vitin e tretë të procesit të blerjes së veprave të artit kur edhe pritet që të kalohet shuma prej mbi një milioni euro e investimit në koleksionin publik. Me dy thirrje publike e blerje nëpërmjet vizitave direkte në studio, koleksioni publik është pasuruar me 148 vepra të reja. Prej pas luftës së fundit, kjo është ndërmarrja e vetme sa i përket kësaj çështjeje.

Telashet e kishin përcjellë këtë iniciativë qysh në tentativën e parë. Por kanë ndryshuar rrethanat, pasi politika ka vendosur të dëgjojë profesionistët.

Sipas Ministrisë së Kulturës, gjatë tre vjetëve të fundit është shënuar pikë kthyese për koleksionimin e artit pas ndarjes së buxhetit prej një milioni eurosh nga Qeveria e Kosovës për blerje të veprave. Bëhet fjalë për një milion e 50 mijë euro që Qeveria kishte ndarë në mars të vitit 2022.

“Në vitet 2022 dhe 2023, Galeria Kombëtare e Kosovës ka pasuruar Fondin me 148 vepra të reja nga artistët vendës. Për më tepër, koleksioni është plotësuar me 120 punime nga koleksioni i Hotelit Grand, duke përfshirë këtu disa nga artistët më të njohur në vend si dhe me 75 vepra të reja nga artistë të përzgjedhur të cilët morën pjesë në Bienalen Nomade Evropiane, ‘Manifesta 14’, e organizuar në Prishtinë”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së. Sipas institucionit më të lartë kulturor në vend përmes blerjeve direkte të cilat janë menaxhuar nga stafi i GKK-së, “koleksioni pati moment transformues në historinë e tij duke u pasuruar me vepra të rëndësishme nga shtatë artiste të njohura”. Vjet GKK-ja ka blerë vepra nga Alije Vokshi, Violeta Xhaferi, Valbona Zherka, Lala Meredith-Vula, Feriha Rada, Hyrije Krypa dhe Zake Prelvukaj.

“Kjo nismë shënon ndryshim thelbësor në historitë mbizotëruese të artit në vend, duke korrigjuar neglizhencën ndaj artisteve gra brenda historisë së artit dhe institucionit”, shkruhet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës.

Në gusht të vitit 2022, Ministria e Kulturës nëpërmjet një thirrjeje publike kishte blerë 80 vepra me 300 mijë euro ku çmimi për një deri në 10 mijë euro. kurse vjet nëpërmjet një thirrjeje publike qenë blerë mbi 60 vepra arti me 190 mijë euro. Por Juria kishte kërkuar një qasje tjetër.

Por në tetor të vitit të kaluar juria kishte vlerësuar se Ministria e Kulturës duhej të mendonte përtej koleksionimit si mjet për të arritur qëllimin. Sa i përket fokusit te veprat e viteve të fundit, sipas jurisë, ky zgjerim shihet si një mundësi për ta bërë koleksionin më të larmishëm, për të adresuar boshllëqet ekzistuese dhe për të prezantuar narrativa të reja që forcojnë veprat historike brenda koleksionit kombëtar.

“Juria ka vënë në dukje se një numër i madh i artistëve nuk kanë dorëzuar punët e tyre më të mira në propozime, gjë që paraqiti vështirësi në procesin e përzgjedhjes”, kishte shkruar juria në raport. Shkurt, ideja e jurisë ishte që të bëhet një studim i brendshëm se si mund të pasurohet koleksioni publik e më pas të bëhen vizita në studio direkt. Pra shteti të zgjedhë çfarë do të blejë nga më e mira e artistëve, e jo ata të dërgojnë vepra “periferike” në konkurs publik. Çmimet qenë muhabet në vete, pasi juria kishte konsideruar se duhet dalluar çmimet kur blen shteti, pasi për një artist pos përfitim është edhe më domethënës së institucionet publike të jenë pronare të veprave.

Juria vjet qe në përbërje të kuratoreve Övül Durmushoğlu, kuratore, profesoreshë në “HBK Braunschëeig”, Hana Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Joanna Mytkoëska, drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Varshavë, Catherine Nichols, kuratore në “Hamburger Bahnhof” dhe Eriola Pira, kuratore dhe drejtoreshë e programeve në “Vera List Center for Art and Politics, The New School”.

Në sqarimet e stafit të GKK-së tregohet se institucioni i themeluar në vitin 1979 në pjesën e fundit të vitit, vjet ka bërë një hap drejt korrigjimit të lëshimeve historike. Është formuar një komitet brenda stafit që synonte të plotësonte boshllëqet e zbuluara brenda koleksionit si një komponent i rëndësishëm i mekanizmave të historizimit.

“Komisioni filloi një mision për të hulumtuar gra artiste që përfshin periudhën e viteve ‘70, ‘80 dhe vitet '90”, ka thënë Hana Halilaj. Sipas saj, ideologjinë strukturore patriarkale ishte e ngulitur në skenën artistike të Kosovës. Ka treguar se hulumtimi ishte realizuar në arkivin e Galerisë dhe dëshmon për kontributet e rëndësishme të shumë grave, veprat e të cilave mungojnë në koleksion.

“Tregime për luftën, zhvendosjen, mjedisin dhe çështjet gjinore ndër të tjera, të ngulitura në veprat e shtatë artisteve femra tani gjejnë një shtëpi brenda koleksionit, duke rishkruar historinë e artit të institucionit dhe duke hedhur dritë mbi kontributet e grave artiste në fushën e artit në Kosovë”, ka thënë Halilaj. GKK-ja ka bërë arsyetime për secilën nga veprat e blera nga artistet në vend.

Sivjet GKK-ja posedon buxhet prej 400 mijë euro për të blerë vepra të artit. Alisa Gojani-Berisha, zëvendësuese e drejtorit në institucionin më të lartë të artit pamor në vend ka thënë se Këshilli Drejtues i GKK-se është në proces të formimit të një komisioni profesional, i cili fillimisht do të bëjë një hulumtim mbi fondin shtetëror të veprave të artit në GKK.

“Pastaj bazuar nga nevojat e pasurimit kronologjik të koleksionit do të plotësojë ato me blerjen direkte që do të paraprijë me vizita në studio nga komisioni për përzgjedhjen e veprave”, ka thënë ajo.

Por KOHA ka raportuar disa herë se Galeria Kombëtare e Kosovës posedon mbi një mijë vepra në fundus dhe ka mungesë hapësirash, si dhe mungesë kuadrosh që t’i mirëmbajë ato. Se nuk ka kushte, u konfirmua edhe në janarin e vitit 2021, kur 125 vepra që dikur zinin vend në hotelin “Grand”, u zhvendosën aty. Edhe blerjet e viteve të kaluara e kanë dëshmuar këtë. Por sivjet synohet një restaurim i ndërtesës.

“Për vendosjen e veprave ne kemi hapësirat brenda GKK-së, dhe kemi një hapësirë tjetër që e kemi marrë në huazim ku vendosim një pjesë të koleksionit”, kishte thënë vjet në tetor ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Sipas tij, blerja e veprave të artit me vlerë prej 400 mijë eurosh për vitin 2024 do të jetë proces që do të menaxhohet krejtësisht nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Në këtë rast, ministri Çeku kishte bërë të ditur edhe një gjë.

“Studioja projektuese që ka kontraktuar MKRS-ja ka dizajnuar projektin ideor për restaurimin e GKK-së dhe duhet të shkojë për pëlqim në IKMM. Shpresoj shumë që vitin e ardhshëm të shkojmë me restaurim dhe një ndërhyrje esenciale që po trajtohet tash është zgjerimi i hapësirave të koleksionit dhe për restaurimin e veprave që janë aty”, kishte thënë ministri Çeku. Por ky proces nuk ka përfunduar ende.

Sa i përket blerjes së veprave të artit GKK-ja këtë proces e kishte ndërprerë qysh më 1989, kur edhe ish-Jugosllavia kishte nisur të merrte tatëpjetën.

Ministria e Kulturës tentativën e parë për blerje të veprave të artit e kishte bërë më 2021. Asokohe, Ministria e Kulturës 48 orë pasi kishte publikuar listën e veprave të përzgjedhura e kishte anuluar procesin pas disa reagimeve e një proteste të nja 20 vetave. Buxheti për atë thirrje prej 247 mijë eurosh, i marrë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike, kishte shkuar në suficit.