Kulturë

“Art without limit” me 50 filma për shpresën e fuqinë

: Ekrani i festivalit sivjet është ndezur me rrëfimin e Sara Bulliqit

Ekrani i festivalit sivjet është ndezur me rrëfimin e Sara Bulliqit

Tregimet e personazheve janë universale dhe nëpërmjet ekranit të kinemasë “Armata” synojnë të ndriçojnë shpresën dhe fuqinë e personave me nevoja të veçanta. I tillë është rrëfimi i futbollistes Sara Bulliqi në dokumentarin e shkurtër, që emërtohet sipas emrit të saj. Festivali “Art without limit” sivjet në Prishtinë bashkon 50 rrëfime nga i gjithë globi. Janë pasqyrime të përditshmërisë, sfidave e mbi të gjitha shpresës

Festivali “Art without limit” u dedikohet personave me nevoja të veçanta dhe përherë i tillë mbetet për nga tematika. Këtë e kanë vulosur organizatorët e ngjarjes në edicionin e gjashtë. Edhe me programin e tyre. Me 50 filma sjellin rrëfime nga e gjithë bota. Tregimet e personazheve janë universale dhe nëpërmjet ekranit të kinemasë “Armata” synojnë të ndriçojnë shpresën dhe fuqinë e personave me nevoja të veçanta. I tillë është rrëfimi i futbollistes Sara Bulliqi në dokumentarin e shkurtër, që emërtohet sipas emrit të saj.

Introja e festivalit sivjet ka qenë një klip nga lojërat paraolimpike “Rio 2016”. Titulluar “We’re the Superhumans!” aty paraqiten muzikantë që luajnë në instrumente, valltarë, sportistë e atletë me nevoja të veçanta, të cilët kanë zhvilluar karrierë përtej sfidave me të cilat janë përballur gjithë jetën. Si dëshmi që vetë këta nuk kufizohen dhe duket ironi t’u referohesh me termin “persona me aftësi të kufizuara”. Sepse aktivizmi i tyre, përpjekjet gjatë gjithë jetës, rezistenca ndaj paragjykimeve i çliron ata nga të qenit i tillë.

Referenca e sivjetme e gjithë kësaj është sportistja Sara Bulliqi. Rrëfimi i jetës së saj është kornizuar në dokumentarin e shkurtër “Sara” të punuar nga festivali ndërkombëtar i filmit “Art without limit”.

Siç rrëfen nëna e saj, Vlera Krasniqi-Bulliqi, Sara u lind më 5 qershor të 2009-s. Ajo tregon se kishte lindur pa njërën dorë, ndonëse nuk i ishte thënë asnjëherë kjo, pavarësisht kontrolleve gjinekologjike. Lindja asisoj e së bijës ishte një lloj tronditje, por shprehet se ajo ishte e veçantë që në fillim. Vetë Sara kujton se përherë ishte me protezë, gjatë gjithë jetës.

Me gjykime të vërteta ishte përballur në vitin e parë të shkollës së mesme. Ka provuar shumë lloje sportesh në të cilat ka rezultuar suksesshëm, e aktualisht luan futboll. Tregon se nuk dorëzohet, se është më e guximshme dhe më e vendosur se kurrë. Në fund drejtohet me mesazhin: “Edhe ti mund t’ia dalësh”. Kjo është edhe motoja e përhershme e festivalit.

Tejet e emocionuar shfaqet Sara Bulliqi gjersa shpalos rrëfimin. Por këto emocione nuk i përcjell projekti i cili mbivendos efekte në pamjet arkivore dhe duke kapërcyer nga një emocion i gëzuar tek ai i hidhur. Këngët me elemente patriotike në sekuencat ku ajo shfaqet duke luajtur futboll krijojnë një lloj katrahure të rrëfimit të saj si një lloj potpurie këngësh brenda materialit 14-minutësh.

Sara në skenë ka falënderuar të gjithë ekipin për realizimin e filmit të shkurtër, familjen dhe shoqërinë për përkrahjen. E nëna e saj, Vlera Krasniqi-Bulliqi, që është edhe personazh në film, ka thënë se për 16 vjet jetë, Sara është rrëzuar 16 mijë herë dhe po aq herë është ngritur.

“Iu kisha lutur të gjithë atyre që kanë mundësi, që të bëhen urë për të gjithë ata të cilët në këtë det të jetës nuk mund të notojnë si ne të tjerët. Bëhuni urë, të mos ndihen ndryshe nga ne, por të jenë edhe më të fortë se ne, sepse, në realitet, neve si prindër, Sara na ka mësuar më shumë sesa vetë jeta”, është shprehur ajo.

Drejtoresha e festivalit “Art without limit”, Ganimete Sava, ka kujtuar se si ishte njohur me Sarën dhe tregimin e saj.

“Në vitin 2014 kemi shkuar të jetojmë te banesa jonë e re dhe duke kaluar te hyrja e pashë Sarën. Ka qenë katër vjeçe, ishte ulur te shkallët dhe në ato momente ia pashë edhe dorën. U ula pranë saj, i thashë ‘Si e ke emrin?’, më tha ‘Sara’. E pyeta për t’u bërë shoqe, sepse edhe unë e kam këmbën protezë, ndërsa ti ke dorën dhe se ne jemi vajzat më të bukura të qytetit. Nga ai moment jam inspiruar, sidomos edhe nga Vlera se si i ka rritur vajzat, jo veç Sarën. Kam pasur qejf që Sarën ta portretizojmë dhe ta sjellim gjithë fuqinë dhe historinë e saj në film”, ka kujtuar Sava.

Të hënën mbrëma, në sallën e kinemasë së mbushur plot, është shpalosur programi treditor. Prezantuesja Helena Halilaj nga Shqipëria ka thënë se festivali “bart vlera me shumë forcë, me shumë zë arti për të gjithë ata që e duan artin, që dinë të bëjnë art të mirë”.

Narrativat mbi sfidat e jetës do të projektohen në ekranin e kinemasë “Armata” me porositë që sjell ngjarja unike për tri ditë. 

Drejtori artistik i festivalit “Art without limit”, Burim Haliti, ka thënë se ngjarja qëndron stoike në dedikimin e saj.

“Festivali prej fillimit ka qenë me temën e njëjtë, pra aftësinë e kufizuar, dhe nuk kemi dashur ta ndërrojmë asnjëherë dhe nuk do ta ndërrojmë asnjëherë. Të tjera festivale mund të bëhen, por kjo temë do të qëndrojë. Si fillim kemi nisur me shfaqje filmash të ndryshëm dhe më pas kemi vazhduar të hapemi me programe të tjera, siç i paraqitëm sonte. Jemi në lokacione të ndryshme nëpër Prishtinë, për fuqizimin e gruas e të tjera”, është shprehur ai për KOHËN.

Festivali e ka traditë që në çdo edicion, në natën hapëse ta sjellë një produkt të tyre që sjell rrëfimet mbi sfidat jetësore të personave me nevoja të veçanta.

“Duke e parë mungesën e filmave shqip që bëhen dhe kësaj kategorie që çdo vit të realizojmë nga një film të shkurtër dokumentar me personazhe të ndryshme që kanë dhënë shumë dhe vazhdojnë të japin shumë pa dallim, në sport, në kulturë apo të tjera. Filmi ‘Sara’ ka këtë qëllim dhe mesazh. Është motoja ‘Edhe ti mund t’ia dalësh’, të cilën nuk e ndërrojmë dhe që jep mesazhin tek i gjithë publiku që mund t’ia dalin”, ka thënë Haliti.

Edicionin e kaluar, në natën hapëse qe shfaqur premierë një dokumentar i shkurtër që shfaqte rrugëtimin e artistit të ri Akil Dashevci, pavarësisht vështirësive me probleme disleksike dhe disgrafike.

Gjatë festivalit do të shfaqen 50 filma të përzgjedhur nga e gjithë bota, përfshirë dokumentarë, dramë dhe animacione. “Steps we share” nga Alvin Qehaja është i vetmi që flet shqip në kuadër të festivalit treditor.

“Kemi pasur pak filma, çdo vit filmat shqip i sjellim në një formë pa ndonjë vlerësim të madh, pasi që janë në mungesë. Gjithmonë kemi dëshirë të kemi filma shqip, ngase filma të huaj kemi me mijëra që na vijnë dhe kjo është mënyra se si e kemi bërë. Për fat të keq, këtë vit e kemi vetëm një film që është portretizuar një personazh në Shqipëri në këtë temë. Është një film jashtëzakonisht i mirë . Unë kisha pas dëshirë që kolegët tanë regjisorë, aktorë, të punojnë filma në këtë temë, sepse gjatë vazhdës së punës që e bëjmë, kemi parë shumë personazhe që janë tepër të zellshëm në punën që e bëjmë dhe duhet t’i portretizojë dikush”, ka thënë Haliti.

Në kuadër të programit të këtij edicioni, të martën, në ditën e dytë të festivalit, do të hapet ekspozita me titull “XR: Interaction without Limits” që qëndron e hapur në qendrën “Barabar” edhe më 3 dhjetor, kur mbyllet festivali. Kjo ngjarje përshkruhet si projekt inovativ që sjell artin dhe teknologjinë “Virtual Reality” (VR) në fokus, duke fuqizuar përfshirjen dhe kreativitetin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Festivali mbyllet me ngjarjen me titull “Gratë që thyejnë kufizimet përmes artit”, do të shfaqet filmi “Aufstehen” nga Austria e më pas mbahet edhe paneli i diskutimit me temë “Dita e fuqizimit të grave: Njohja dhe ngritja e grave të margjinalizuara” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Kjo si rrjedhojë e mbështetjes së kampanjës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”.

Mbyllja e festivalit më 3 dhjetor nuk është e rastësishme. Përkon me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta dhe ngjarja përqendrohet në fuqinë e kinemasë për të rritur ndërgjegjësimin dhe kuptimin e çështjeve të nevojave të veçanta. Edicioni i sivjetmë do të mbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve. 

 Në mesin e mysafirëve të festivalit ka profesionistë të njohur të industrisë së filmit, përfshirë producentin danez Kim Magnusson, dy herë fitues i çmimit “Oscar” për film të shkurtër. Në vitin 1999 për filmin “Election Night” dhe në vitin 2014 për filmin “Helium”.

Ai është pjesë e jurisë vlerësuese, bashkë me producenten daneze të filmit, Rebecca Pruzan, si dhe aktoren Igballe Qena. Edicionin e kaluar mysafir i festivalit ishte regjisori anglez, Peter MacDonald. Prania e tij në festival qe konsideruar si moment i rëndësishëm i ngjarjes. E ai është kthyer për të shijuar edhe edicionin e sivjetmë.

Edhe në programin e edicionit të kaluar kanë qenë 50 filma që vinin nga e gjithë bota. Në programin artistik ishin përfshirë poezi për vështirësitë e jetës e sfidat përgjatë saj. Halil Mehaj pati kumtuar vargjet poetike si rrëfim personal. Ai tregonte se njeriu mund të jetë i verbër për nga të parët, por jo edhe në shpirt. E pianistja Marigona Hamiti, që ka pengesa në të parë, pati dëshmuar se muzika ndihet e përjetohet dhe se pasioni shkon përtej vështirësive.