Kulturë

“Armend Xhaferi trio” në kapërcim sublim me jazz e tinguj folklori

Kombinimi i muzikës jazz me elemente folklori vjen shumë natyrshëm në kompozimet e kitaristit Armend Xhaferi. “Një festë më ndryshe” është çdoherë kur ai performon, e këtë disi e dëshmon edhe po kjo fjali e shkruar në anglisht në fanellën që ka veshur Xhaferi të enjten mbrëma në koncertin me trion e tij. Poshtë shkrimit, figura e tigrit ndriçohet nga ngjyrat e skenës, që herë ishte e kaltër për t’u transformuar në të kuqe. Njashtu, pahetueshëm shkrihen edhe tingujt, shkruan sot Koha Ditore.

Në teatrin “Oda” ai performoi së bashku me miqtë e tij, kontrabasistin Kiril Tufekcievski dhe bateristin Viktor Filipovski. Për dyshen e muzikantëve nga Shkupi, skena e Prishtinës e bashkëpunimi me muzikantë nga Kosova s’janë të panjohura.

Pas çdo pike “Armend Xhaferi trio” pranoi duartrokitje. Nuk munguan as gjatë interpretimit kur trioja është në harmoni për kompozicione të komplikuara që marrin miratim me thirrjet “bravo”.

Xhaferi ka mbajtur edhe interaktivitetin me publikun. Tek ndizte mikrofonin për t’i falënderuar të pranishmit, ka treguar se çfarë do të luajnë.

“Faleminderit që keni ardhur, shpresoj që t’ju pëlqejë programi!”, ka thënë ai krejt në fillim të koncertit. E gjatë tij ishte fjalëpakë, aty-këtu tregonte ndonjë titull të veprës, e pjesa tjetër mbulohej me tinguj.

Trioja e publiku gjatë koncertit krijuan një raport të afërt e kur Xhaferi paralajmëroi pikën e fundit u përball me “protestën” e adhuruesve që nata të zgjaste edhe më.

“Është mjaft për këtë herë, por do të shihemi përsëri”, ka qenë përgjigjja e kitaristit.

Armend Xhaferi në koncert shpalosi kreativitetin e tij përmes kompozimeve të tij origjinale, por edhe kompozimeve të tjera në një format të bukur e interesant së bashku me dy miqtë e tij.

“Gjysma e këngëve janë kompozime të vjetra të miat, disa janë këngë të reja e që sonte për herë të parë i kam provuar se si po tingëllojnë, por edhe të tjera që i kam marrë. Kryesisht kombinim i muzikës jazz me disa elemente të folklorit”, ka thënë ai pas koncertit. Ky kombinim që sjell Xhafa në kompozimet e tij është edhe pjesa që ai e ka mjeshtëruar, por nga modestia ka thënë se nuk është mjeshtër. Mirëpo, ka potencuar se ka rreth 20 vjet që “lufton” në këtë drejtim.