Frederic de Vos nga Belgjika, të cilin të gjithë e thërrasin Fre de Vos, thotë se po të vinte të jetonte në Kosovë, do të zgjidhte emrin “Mohim”. Kuptimin e fjalës e di mirë.
Ulur në shkallët e “Kino Armatës”, ku më 27 shtator ka mbajtur prezantim, si për ta konfirmuar, thotë se kjo fjalë nënkupton shprehjen e mospranimit a të kundërshtimit të diçkaje. Me kureshtje pyet nëse mund të pagëzohet kësisoj, nëse një ditë vendos të zhvendoset këtu, shkruan sot Koha Ditore.
De Vos është kurator i muzikës, më herët ka qenë edhe DJ, e sot njihet edhe si arkivues i muzikës që përfshin periudhën nga fundi i viteve ’70 deri në mes të viteve ’90. Lidhjen me fjalën shqipe “mohim” e ka të kahershme. Gërshetohet me punën që bën.
Në vitin 2014, kompania që ai udhëheq ka publikuar një album me këtë emër. Albumi ishte incizuar në Firence të Italisë në vitin 1983 nga dy shqiptarë: Florim Prishtina dhe Rezart Veseli. Fre de Vos ka vite që hulumton punën e dy shqiptarëve. Albumi “Mohimi” nuk është i vetmi i publikuar nga “Forced Nostalgia”. Ekzistojnë edhe dy të tjerë.
Gjurmëve të dyshes nga Kosova
Florim Prishtina dhe Rezart Veseli kishin regjistruar muzikë gjatë fundit të viteve ‘70 deri nga mesi i viteve ’80.
Në vitin 1984 ata kanë filluar që të përdorin emrin “Cicciolina Holocaust”. Muzikën e tyre e kanë incizuar në disa kaseta në shtëpi dhe të njëjtat ua kanë shpërndarë kryesisht miqve.
Bashkëpunimi i tyre përfundoi në vitin 1987, kur Veseli migroi në Greqi....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)