Festivali i Arkitekturës në Kosovës ka hapur tashmë kapitullin e 14-të, “Qyteti pas: Dizajnimi në kohë të krizave”, është tema, Palestina është në qendër, shumica e ligjëratave fokusohen tek ajo dhe ka arkitektë që vijnë nga ato anë. “Ne duhet ta promovojmë ripërdorimin e materialeve dhe ta kuptojmë atë si një arkitekturë të vazhdimësisë, ku ripërdorimi nuk kufizohet vetëm te materiali, por përfshin edhe dimensionin hapësinor, historik dhe kulturor”, ka qenë përkufizimi që e ka bërë Clara Vale, profesoreshë në Universitetin e Portos
Vigjilencë Islami
Nëse arkitektura mund ta shpëtojë botën, është një çështje e kahershme, pa një përgjigje të prerë që shtrohet qoftë edhe për ta hapur diskutimin. Si pyetje konkrete është shfaqur në ekranin e madh të “Kino Armatës” në Prishtinë, të enjten mbrëma, tek po prezantonte arkitekti italian, Pierluigi Turco.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE, ajo i shkon për shtat Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, i cili ka vite që është shndërruar në pikëtakim arkitektësh dhe jo vetëm, teksa prek tema aktuale, propozon zgjidhje dhe shërben si një platformë e hapur diskutimi midis emrave të shquar nga të katër anët e botës dhe sjell për të rinjtë në Kosovë punëtori e trajnime konkrete në këtë fushë. Pyetja që shtron Turco është e përshtatshme veçmas në edicionin e sivjetmë të kësaj ngjarjeje.
Festivali i Arkitekturës në Kosovë ka hapur tashmë kapitullin e 14-të, “Qyteti pas: Dizajnimi në kohë të krizave”, është tema, Palestina është në qendër, shumica e ligjëratave fokusohen tek ajo dhe ka arkitektë që vijnë nga ato anë.
Një shëtitje në Prizren për mysafirët pjesëmarrës në fillim të javës ka qenë “introja” e rrugëtimit të Festivalit, një ditë më pas janë hapur punëtoritë, e të mërkurën mbrëma ka nisur seria e ligjëratave, njëri prej segmenteve kryesore.
“Festivali ka filluar me tri punëtori, ku të gjitha punëtoritë kanë për fokus Palestinën. Njëra nga punëtoritë është hands-on me materiale të ndërtimit dhe është e titulluar ‘Hands as tools’ apo ‘Duart si vegla’, dhe dy të punëtoritë e tjera janë teorike. Për bazë e kanë marrë Hebronin në West Bank, Gazën dhe Jerusalemi. Të gjitha punëtoritë këtë vit i kemi të lidhura me territoret e Palestinës”, ka thënë Bekim Ramku, drejtor i Festivalit.
“City After: Design in the Age of Crises” si temë e sivjetme, është një lloj shkëmbimi përvojash midis pjesëmarrësve, por nuk ndalet me kaq.
“Ligjërues kemi edhe të LINA-s, arkitektë të rinj që kanë fituar bursën e LINA-s që kanë ardhur të ligjërojnë në Prishtinë të mbajnë punëtori, të cilat i kemi bërë në ekipe bashkë me arkitektë të rinj palestinezë, me një bursë që kemi hapur ne si Festival për të sjellë arkitektë të rinj palestinezë në Kosovë, për të ligjëruar, për të mbajtur punëtori, por edhe për të nxjerrë mësime edhe prej Kosovës për vendet e tyre”, ka thënë ai.
LINA (Learning, Interacting, Networking in Architecure) është një rrjet që lidh institucione të rëndësishme me profesionistë të rinj dhe studiues të fushës së arkitekturës, të cilët punojnë në ndërthurjen mes arkitekturës dhe fushave të tjera që lidhen me kulturën hapësinore. Qëllimi i saj është të promovojë talentet e reja në arkitekturë.
Pikërisht Alisa Kutsenkos nga ky rrjet i ka takuar ta hapë serinë e ligjëratave të mërkurën pasdite në “Kino Armatë”. “Health Factories” ose “Fabrikat e shëndetit”, ka qenë tema e ligjëratës së artistes nga Ukraina me vendqëndrim në Londër, e përzgjedhur nga platforma e arkitekturës “LINA”. Siç e ka përshkruar Festivali, puna e saj eksploron botët e ndërtuara dhe mënyrën se si realiteti ndërtohet, kontrollohet dhe ndërmjetësohet. Duke vepruar në ndërthurjen e arkitekturës dhe imazhit në lëvizje, ajo rikompozon fragmente të këtyre botëve në vendosje të reja që zbulojnë strukturat e tyre të fshehura. Kutsenko e ka përqendruar ligjëratën e saj në mënyrën se si perceptimi, hapësira dhe banimi ndërtojnë kuptimin e realitetit. Duke u mbështetur në teori filozofike të Maurice Merleau-Pontyt, Henri Bergsonit dhe Martin Heideggerit, si dhe shembuj nga historia e arkitekturës si “Ring of Brodgar” që është një rreth guri neolitik në Orkney, Skoci, ajo ka shqyrtuar se si njerëzit e përjetojnë dhe e materializojnë hapësirën, si dhe se si këto procese ndikojnë në marrëdhënien midis njeriut, peizazhit dhe mjedisit.
“Për ta kuptuar ‘Ring of Brodgar’, mund ta shqyrtojmë perceptimin, hapësirën dhe banimin si tri përbërës të një vargu të ndërlidhur të veprimtarisë njerëzore. Në kuadrin filozofik të Maurice Merleau-Pontyt, vetëdija ka një cilësi transcendentale, që ekziston përtej kufijve të ndërmjetëm. Termi ‘transcendental’ i referohet zgjerimit të perceptimit përtej kontrollit dhe përtej kufijve të përfaqësimeve individuale mendore”, ka thënë ajo.
Walaa Hajali, e përzgjedhur gjithashtu nga platforma e arkitekturës “LINA” e ka nisur ligjëratën e saj me analizën e marrëdhënies midis lumit Barada dhe qytetit të Damaskut, duke treguar se si lumi është transformuar nga një burim jete në një hapësirë të ndotur dhe të kontrolluar politikisht. “Toka”, ka qenë titulli i ligjëratës së saj në të cilën ajo ka argumentuar se degradimi i lumit nuk është rezultat i një ngjarjeje të vetme, por i një procesi të gjatë vendimmarrjesh urbane, politike dhe ushtarake. Hulumtimin e kësaj teme ajo do ta niste në kërkim të një zgjidhjeje për mungesën e ujit në Damask.
“E nisa këtë hulumtim me qëllimin për të shqyrtuar zgjidhje që lidhen me krizën ujore në zonat urbane përreth Damaskut. Megjithatë, shpejt kuptova se nuk mund të shqyrtoja në mënyrë domethënëse zgjidhje pa e kuptuar fillimisht procesin përmes të cilit lumi kishte arritur në gjendjen e tij të sotme”, ka thënë Hajali puna e së cilës “eksploron tensionet ndërmjet brishtësisë dhe qëndrueshmërisë, duke identifikuar modele që informojnë qasje të përshtatshme dhe të ndjeshme ndaj kontekstit për rimëkëmbjen urbane”.
“Me një fokus të veçantë në Siri, trajton në mënyrë kritike çështjet e rindërtimit, duke vepruar në ndërthurjen e arkitekturës, mjedisit dhe sjelljes shoqërore”, është përshkrimi për të.
Hajali në përfundim të ligjëratës ka konstatuar drejtpërdrejt idenë se degradimi i lumit është rezultat i politikave dhe planifikimit afatgjatë, e jo vetëm i luftës.
“Barada paraqet një sërë gjendjesh urbane përgjatë rrugëtimit të tij nëpër Damask, duke pasqyruar njëkohësisht brishtësinë ekologjike dhe qeverisjen urbane. Dhe mendoj se historia e lumit Barada tregon se si frika ndërtohet dhe ngulitet në logjika që i japin përparësi sigurisë dhe mbi të gjitha, sigurisë qendrore, duke e zhvendosur rrezikun te të tjerët dhe njëkohësisht duke neglizhuar ndikimin e vendimeve afatshkurtra në vazhdimësinë e lumit me kalimin e kohës. Megjithatë, një qasje e arkitekturës së kujdesit e kundërshton këtë logjikë duke i trajtuar lumenjtë si infrastruktura të gjalla”, ka thënë ajo.
“Nothing New: Circurarity in Architectural Education and Practice”, ka qenë tema e Clara Vales, profesoreshë në Universitetin e Portos, duke sjellë shembull konkret të reflektimit mbi rindërtimin pas krizave. Ka marrë si shembull tërmetin e Lisbonës të vitit 1755.
“Më 1 nëntor 1755, Lisbona u godit nga një prej fatkeqësive natyrore më të mëdha në historinë e Evropës: një tërmet, i ndjekur nga një cunami dhe më pas nga zjarre. Tërmeti i Lisbonës ngre të njëjtën pyetje që trajton edhe ky Festival: çfarë ndodh pas shkatërrimit? Shumica e njerëzve do të mendonin se përgjigjja ishte: ta ndërtojmë qytetin sërish. Por kjo nuk është plotësisht e vërtetë.
Shkalla e madhe e rindërtimit ishte gjithashtu një mundësi për të rishqyrtuar hierarkinë urbane, hapësirat publike, ndërtimin antisizmik, qeverisjen dhe infrastrukturën”, ka thënë ajo. Sipas saj, arkitektura e së ardhmes nuk duhet të mbështetet te prodhimi i vazhdueshëm i materialeve të reja, por te ripërdorimi, restaurimi dhe mësimi nga teknikat tradicionale të ndërtimit. Sipas saj, rindërtimi nuk është vetëm ndërtim i ri, por edhe vazhdimësi materiale, kulturore dhe historike.
“Ne duhet të promovojmë ripërdorimin e materialeve dhe ta kuptojmë atë si një arkitekturë të vazhdimësisë, ku ripërdorimi nuk kufizohet vetëm te materiali, por përfshin edhe dimensionin hapësinor, historik dhe kulturor. Ky përfaqëson një nga shembujt më të plotë të ripërdorimit në arkitekturë. Në fund të fundit, materiali nuk është kurrë vetëm teknik, ai mbart edhe vlera kulturore, historike dhe hapësinore”, ka thënë Vale, një nga emrat më të shquar në këtë edicion krahas, Toma Berlandas nga Politekniku i Torinos dhe pjesëtarë të kolektivit “Architecture for Gaza”.
Ka qenë një konstatim për atë që e ka në frymën e vet edhe Festivali i Arkitekturës në Kosovë sidomos në temën “Qyteti pas: Dizajnimi në kohë të krizave”.
“Festivali synon që përveç punëtorive, të vihet në pah edhe pjesa teorike, në mënyrë që studentët dhe arkitektët e rinj të kenë mundësinë të kontribuojnë sadopak në skenën globale, domethënë në problematika siç ka qenë Ukraina, e tash Palestina”, ka thënë Bekim Ramku, drejtor i Festivalit, i cili në përmbyllje sjell edhe prezantimin e Eleanor Beaumont, redaktore e “Architectural Review” që është një nga revistat më të vjetra të arkitekturës në botë me një histori prej vitit 1896. Do të flasë se si e sheh arkitekturën në vendet e përfshira në konflikt. Sepse arkitektura përherë e shtron pyetjen “nëse mund ta shpëtojë botën”.