Kulturë

Anulohet ankandi me eksponate të Holokaustit pas reagimeve të forta

Ankandi

Duke përshëndetur anulimin, ministri gjerman i Kulturës, Wolfram Weimer, ka thënë se ai priste që të ndërmerreshin hapa për të parandaluar ankande të tilla në të ardhmen. “Dokumentet ose raportet e ekspertëve të prokurorëve nazistë që u ofruan në ankand nuk janë për koleksione private”, ka thënë ai

Një ankand i gjësendeve dhe dokumenteve nga viktimat e Holokaustit u anulua të dielën, një ditë para se të zhvillohej në Neuss, një qytet pranë Düsseldorfit në Gjermaninë perëndimore.

Kreu i shtëpisë së ankandit e konfirmoi anulimin për Nathanael Liminski, një zyrtar të lartë në qeverinë rajonale të shtetit North Rhine-Westphalia, tregoi një zëdhënës i Liminskit.

Para anulimit, Këshilli Ndërkombëtar i Auschwitz (IAC) kishte bërë thirrje që shtëpia e ankandit “Felzmann” të mos e mbante ngjarjen.

Nënpresidenti ekzekutiv i IAC Christoph Heubner e quajti ankandin “cinik dhe të paturpshëm”.
Heubner ka thënë në një deklaratë se historia e të mbijetuarve të Holokaustit “po shfrytëzohej për fitim komercial.”

“Dokumentet që lidhen me persekutimin dhe Holokaustin u përkasin familjeve të atyre që u përndoqën”, ka thënë ai. “Ato duhet të ekspozohen në muze ose në ekspozita në memoriale përkujtimore dhe jo të degradohen në objekte tregtie”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Radoslaw Sikorski, e quajti gjithashtu ankandin “ofendues”. Në një postim në “X”, ai shkroi se ai dhe ministri i Punëve të  Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, “u pajtuan se një skandal i tillë duhet të parandalohet” dhe më vonë shkroi se ishte i kënaqur të dëgjonte se ankandi ishte anuluar.

Wadephul kishte kritikuar gjithashtu shitjen e planifikuar.

“Diçka e tillë është thjesht e papranueshme, dhe duhet të jetë e qartë që kemi një detyrim etik ndaj viktimave për të parandaluar të tilla ngjarje”, është shprehur ai. 

Duke përshëndetur anulimin, ministri gjerman i Kulturës, Wolfram Weimer, ka thënë se ai priste që të ndërmerreshin hapa për të parandaluar ankande të tilla në të ardhmen.

“Dokumentet ose raportet e ekspertëve të prokurorëve nazistë që u ofruan në ankand nuk janë për koleksione private”, ka thënë ai. “Këto dokumente historike të vuajtjes dhe krimit u përkasin memorialeve, muzeve dhe institucioneve kërkimore”. 

Në një listim që është hequr nga faqja e saj, Felzmann kishte përshkruar një sasi dokumentesh në ankandin e titulluar “System of Terror Vol II,” me objekte që datonin nga viti 1933 deri në vitin 1945.
Ndër objektet e ndryshme ishin dokumente naziste mbi një sterilizim të detyruar të kryer në kampin e përqendrimit Dachau.

Ankandi do të përfshinte gjithashtu të dhëna të kompanive të shitura me forcë nazistëve, si dhe dokumente identifikimi dhe pasaporta të hebrenjve që arritën të shpëtonin përndjekjen duke u arratisur në Kili dhe Argjentinë. Ai përmbante “Dikumnt të shpëtimit të jetës” si një formular lirimi për një të burgosur që arriti të largohej nga kampi i përqendrimit Mauthausen.

Ndër objektet më personale, shtëpia e ankandit po përgatitej për nxjerrjen në shitje të tre ditarëve të një hebreu polak anonim që mbijetoi luftën në Poloni.

Në mënyrë të diskutueshme, ankandi kishte planifikuar të përfshinte edhe Stars of David të konsumuar nga kampi i përqendrimit Buchenwald si edhe një Yll të Davidit.

Paraprakisht në korrik të 2022-s në një letër të hapur e nënshkruar nga 34 udhëheqës hebrenj të Asociacionit Hebre të Evropës me seli në Bruksel i bëri thirrje shtëpisë së ankandeve me bazë në Maryland, “Alexander Historical Auctions”, të braktiste shitjen e një sërë objektesh naziste.
Gjësendet që nxirreshin në ankand nga ndërmjetësi përfshinin një orë ari dhe një mbajtëse karamelesh që i përkisnin Adolf Hitlerit, si dhe objekte që i përkisnin partneres së tij, Eva Braun, përfshirë një fustan dhe një jakë qeni.

Në shitje qenë gjithashtu letra higjienike të Wehrmachtit dhe pirunët, thikat dhe gotat e shampanjës së figurave të larta naziste. Gjësendi me vlerën më të lartë – ora që i përkiste Hitlerit – pritej të shitej mes 2 milionë dollarë (1 milion e 97 mijë euro) dhe 4 milionë dollarë. Shitja po zhvillohej për dy ditë.

Në letër, kryetari i Asociacionit Menachem Margolin, i bëri thirrje shtëpisë që të anulonte shitjen.

“Kjo shitje, dashur pa dashur, po bën dy gjëra: e para, po u jep mbështetje atyre që idealizojnë atë për të cilën qëndronte partia naziste. E dyta: u ofron blerësve mundësinë të argëtojnë një të ftuar apo një të dashur me një objekt që i ka përkitur një vrasësi gjenocidal dhe përkrahësve të tij”, shkruante ai.
“Shitja e këtyre objekteve është një neveri”, shtonte ai. “Ka pak ose aspak vlerë historike të qenësishme në pjesën më të madhe të gjësende të ekspozuara. Madje, njeriu mund të pyesë vetëm për motivimin e atyre që i blejnë ato”.

“Ndërsa është e qartë se mësimet e historisë duhet të mësohen – dhe artefaktet legjitime naziste u përkasin muzeve ose institucioneve të arsimit të lartë – objektet që ju po shisni qartazi nuk u përkasin këtyre vendeve”, shtonte ai.

Mindy Greenstein, zëvendëspresidente “Alexander Historical Auctions”, i kishte thënë DW-së se qëllimi i organizatës ishte ruajtja e historisë dhe se shumica e koleksionistëve të tyre i mbanin objektet e blera në koleksione private ose i dhuronin në muze të Holokaustit në mbarë botën.

“Nëse shkatërron historinë, nuk ka më prova që ajo ka ndodhur”, thoshte ajo.

Greenstein humbi pjesën më të madhe të familjes së saj hebreje, me bazë në Kiev në Ukrainë, gjatë Holokaustit. Bashkëshorti i saj është pronari i shtëpisë së ankandeve, Bill Panagopulos, babai i të cilit ishte nga një qytet në Greqi që u shkatërrua gjatë luftës.

Ajo shtonte se shumë nga koleksionistët ishin hebrenj dhe se askush në familjen e saj nuk kishte ndonjë problem me ankandet.

“Qoftë histori e mirë apo e keqe, ajo duhet të ruhet”.

Greenstein thoshte se shtëpia e ankandeve shet të gjitha llojet e artefakteve historike, por se Lufta e Dytë Botërore mbetet një temë e popullarizuar për shkak të interesit të fortë të publikut.
Në përshkrimin e saj, “Alexander Historical Auctions” e përshkruante orën si një objekt veçanërisht të rëndësishëm historik, duke kundërshtuar vlerësimin e kryetarit të Asociacionit hebre Menachem Margolin, se objektet kanë pak ose aspak vlerë historike.

“Sipas shtëpisë së ankandit: ‘Një orë dore spektakolare, e dhënë posaçërisht diktatorit nga mbështetësit e tij më të zjarrtë, nuk ka parë kurrë dritën e diellit. Është një objekt absolutisht unik dhe me rëndësi historike’”. 

Historianët besojnë se ora u konfiskua nga një ushtar francez më 4 maj 1945, kur njësia e tij u bë forca e parë aleate që mbërriti në vendstrehimin e Hitler në Berchtesgaden, në malet e Bavarisë.