Kulturë

Anulimi i koncertit të Filharmonisë së Munich-ut shkaku i dirigjentit izraelit, ndez debatin mbi kulturën e politikën

Lahav Shani

Që prej vitit 2016, Shani është edhe dirigjent kryesor i Filarmonisë së Roterdamit. Ndërkohë që tashmë drejton koncerte me Filarmoninë e Munichut, ai do të marrë zyrtarisht rolin e dirigjentit kryesor të saj në shtator 2026. Megjithatë, ai do të mbetet drejtor i Filharmonisë së Izraelit

Për Festivalin e Flanders në Ghent, dirigjenti izraelit Lahav Shani nuk ishte distancuar mjaftueshëm nga veprimet e qeverisë së Izraelit. Mbi këtë arsyetim organizatorët kanë anuluar koncertin e Filharmonisë së Munich-ut. Kjo ka bërë që të ndizet debati. Shumë politikanë gjermanë dhe ekspertë të antisemitizmit e kanë dënuar shpejt vendimin e festivalit. Ministri Federal gjerman i Kulturës, Wolfram Weimer, e quajti këtë veprim “një precedent të rrezikshëm”, duke e përshkruar si “antisemitizëm të pastër dhe një sulm ndaj themeleve të kulturës sonë”

Organizatorët e Festivalit të Flanders në Ghent ishin të hapur për arsyet që quan te vendimi që të anulojnë një koncert të planifikuar të Filharmonisë së Munich-ut: shkaku, siç thanë ata, ishte se dirigjenti izraelit Lahav Shani nuk ishte distancuar mjaftueshëm nga veprimet e qeverisë së Izraelit.
Duke anuluar ngjarjen, organizatorët pretendojnë se donin “të ruanin qetësinë e festivalit” dhe theksuan se “bindja më e thellë e tyre është se muzika duhet të jetë burim ndërlidhjeje dhe pajtimi”.
Por në vend të qetësisë, ky vendim ka shkaktuar një valë zemërimi, sidomos në Gjermani.
Shumë politikanë gjermanë dhe ekspertë të antisemitizmit e kanë dënuar shpejt vendimin e festivalit. Ministri federal gjerman i Kulturës, Wolfram Weimer, e quajti këtë veprim “një precedent të rrezikshëm”, duke e përshkruar si “antisemitizëm të pastër dhe një sulm ndaj themeleve të kulturës sonë”.

Komisioneri gjerman për antisemitizmin, Felix Klein, gjithashtu e kritikoi ashpër vendimin, duke i thënë agjencisë gjermane të lajmeve DPA: “Unë e konsideroj anulimin, bazuar në arsyet e dhëna, si një akt krejtësisht të papranueshëm dhe thellësisht antisemit”.

Ish-presidentja e Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Charlotte Knobloch, e quajti anulimin një nga “shembujt më flagrantë të urrejtjes ndaj hebrenjve sot”. Ajo theksoi: “Kushdo që nuk dëgjon jehonën historike në këtë situatë, po i bën veshët e shurdhët” duke iu referuar bojkotit antihebraik gjatë nazizmit.

Ndërkohë institucione të tjera evropiane ku Filarmonia e Munichut dhe Shani do të performonin në të njëjtën javë, kanë thënë se nuk do të ndiqnin shembullin e Ghentit. Filarmonia e Luksemburgut deklaroi se “ne vazhdojmë të punojmë me artistë nga e gjithë bota dhe nuk duam të lidhemi me bojkotime individësh bazuar në kombësi, pasi nuk besojmë se të gjithë artistët mbështesin ose lidhen me politikat e qeverive të tyre”.

Koncerti i Shanit në Paris me Filarmoninë e Munichut, në Teatrin e Champs-Élysées më 16 shtator, gjithashtu do të mbahet sipas planit.

Lahav Shani, i lindur në Tel-Aviv në vitin 1989, konsiderohet një nga yjet më të shndritshëm të muzikës klasike. Ai është dirigjent, pianist dhe kontrabasist, dhe në vitin 2019 pasoi Zubin Mehtan si drejtor i Orkestrës Filharmonike të Izraelit.

Që prej vitit 2016, Shani është edhe dirigjent kryesor i Filarmonisë së Roterdamit. Ndërkohë që tashmë drejton koncerte me Filarmoninë e Munichut, ai do të marrë zyrtarisht rolin e dirigjentit kryesor të saj në shtator 2026. Megjithatë, ai do të mbetet drejtor i Filharmonisë së Izraelit.
Pjesën më të madhe të karrierës, Shani ka qenë i kujdesshëm për të mos dhënë deklarata politike. Në një ese të vitit 2024 për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ai shpjegoi se, si dirigjent i një orkestre me muzikantë me origjina dhe mendime të ndryshme, nuk e shihte të drejtë të fliste në emër të njërës palë.

Por kjo ndryshoi në mars 2023, kur protesta masive kundër reformave gjyqësore të qeverisë së Benjamin Netanyahut u dëgjuan jashtë sallës së koncertit në Tel-Aviv ku ai po performonte. Atë natë Shani shprehu publikisht shqetësimin për të ardhmen e demokracisë izraelite.
Ai shkroi gjithashtu për tronditjen që ndjeu kur kuptoi se hebrenjtë nuk mund të ndiheshin të sigurt as në Izrael pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, një frikë që ndahet nga shumë hebrenj në mbarë botën. Megjithatë, ai shpresonte “që nga të dyja palët të dalin së shpejti njerëz të guximshëm, që mendojnë për të ardhmen dhe guxojnë të ndërmarrin hapa të vështirë drejt paqes”.

Festivali i Ghentit pranoi se “Lahav Shani është shprehur disa herë në favor të paqes dhe pajtimit”, por argumentoi se kjo nuk mjafton “duke pasur parasysh rolin e tij si dirigjent i Filharmonisë së Izraelit.”
PEN Berlin, dega lokale e shoqatës ndërkombëtare të shkrimtarëve për lirinë e shprehjes, nuk pajtohet. Zëdhënësja Thea Dorn ka thënë: “Liria e shprehjes nuk është vetëm e drejta për të shprehur lirshëm mendimin pa frikë ndëshkimi; ajo përfshin edhe të drejtën për të mos u detyruar të shprehësh bindje. Detyrimi për të rrëfyer është tipar i regjimeve autoritare dhe sidomos totalitare”.
Debati mbi Shanin ka sjellë krahasime me dirigjentin rus Valery Gergiev, i cili u shkarkua nga Filharmonia e Munich-ut në mars 2022 pasi refuzoi të dënonte pushtimin rus të Ukrainës. Por pianisti hebre Igor Levit hodhi poshtë këtë krahasim: “Valery Gergiev ka qenë për vite të tëra një mbështetës i hapur, bashkëpunëtor dhe përfitues i diktatorit imperialist rus. Krahasimi i këtij njeriu me Lahav Shanin — një dirigjent që u gjend në këtë situatë vetëm sepse është hebre izraelit — është, sipas meje, një shenjë varfërie intelektuale”, ka deklaruar Levit për “Tagesschau”.

Megjithatë, PEN Berlin vuri në dukje disa ngjashmëri: “Akuzat ndaj të dyve nuk kanë të bëjnë me atë që kanë thënë, por me atë që nuk kanë thënë. ‘Cancel culture’ dhe detyrimi për qëndrim politik duhen refuzuar, dhe jo vetëm kur përputhen me konceptin ideologjik të dikujt”, ka thënë Dorn.

Çështja Shani është pjesë e një debati më të gjerë ndërkombëtar. Shumë figura publike hezitojnë të shprehen për konfliktin izraelito-palestinez  si për shkak të kompleksitetit, ashtu edhe nga frika se kritika ndaj Izraelit mund të ketë pasoja profesionale.

Në Gjermani janë shtuar rastet e anulimit të artistëve dhe intelektualëve që janë parë si tepër kritikë ndaj politikave të Izraelit. Kjo praktikë ka prekur edhe një numër të madh zërash hebrenj.
Shkrimtarja hebreo-austriake, Eva Menasse, është një kundërshtare e fortë e këtyre bojkotimeve. Ajo tha për DW: “Bojkotet kulturore janë gjithmonë të gabuara.” Sipas saj, ato përdoren nga grupe të ndryshme për të forcuar qëndrimet e tyre morale, por vetëm largojnë vëmendjen nga hapat politikë që duhen ndërmarrë.
“Mosftesa e një orkestre, a do ta ndalojë shkatërrimin monstruoz të Gazës? A do të shpëtojë një fëmijë nga uria? Jo, sigurisht që jo. Vetëm politika mund ta bëjë këtë”, shtoi ajo. “Ndërkohë bojkotet kulturore çojnë gjithmonë në më shumë polarizim dhe ndarje në shoqëri”.

Menasse ngriti edhe çështjen e standardeve të dyfishta, duke pyetur pse ata që tani dënojnë anulimin e Ghentit ishin në heshtje kur intelektualë dhe artistë hebrenj kritikë ndaj Izraelit u përjashtuan gjetkë. Ajo solli si shembull filozofin izraelito-gjerman Omri Boehm, fjalimi i të cilit për 80-vjetorin e çlirimit të kampit të Buchenwaldit u anulua pas kundërshtimeve nga ambasadori izraelit, si dhe debatin për çmimin “Hannah Arendt” dhënë gazetares Masha Gessen, e cila në një artikull për “The New Yorker” krahasoi Gazën me getot e kohës së nazistëve.

Kontraversiteti rreth anulimit të festivalit në Ghent ka treguar edhe një herë se sa shpejt kultura dhe politika ndërthuren përderisa disa e shohin bojkotin si formë legjitime proteste, të tjerët paralajmërojnë se ato shpesh thellojnë ndarjet dhe rrezikojnë të heshtin zëra të rëndësishëm. Përballimi i debateve komplekse mbi shprehjen artistike dhe përgjegjësinë politike do të mbetet një sfidë madhore për institucionet kulturore në një botë thellësisht të përçarë.