Mbrëmja me shi e së hënës në Pejë ka qenë një sfond i papritur për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Animuar “Anibar”. Megjithatë, kjo nuk ishte asfare problemi për nisjen e ngjarjes që prej një dekade është bërë flamur që e vë qytetin perëndimor të Kosovës në hartën kulturore të botës.
Me edicionin e sivjetmë të zhvendosur krejtësisht në hapësirën virtuale, “Anibar” të hënën ka hapur siparin e vet të programit njëjavor në një mënyrë të veçantë. Një tribut për njerëzit që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë gjatë pandemisë ka shërbyer si “letërnjoftim” për festivalin e mirënjohur të animacioneve.
“Pasiguritë janë përcaktues i zakonshëm i secilës formë veprimi. Në këto kohë pasigurie, një grup njerëzish po zotohet që raca jonë do të vazhdojë”, thuhet në videon 11-minutëshe e cila kishte ndërthurur pamje aeriale të qytetit të Pejës, hapësirave të Festivalit dhe punës së ekipit organizativ.
Sipas videos, edicioni i 11-të i “Anibarit” u kushtohet atyre “heronjve” që shërojnë, mësojnë, krijojnë, shkruajnë, shërbejnë, ndihmojnë, ngushëllojnë dhe informojnë.