Përsëritja e njoftimeve për përkrahje të realizimit të serialit ka qenë pothuajse e përditshme. “Shpenzimet janë marramendëse”, ka bërë me dije producentja, bashkëregjisorja e aktorja e projektit, Vlora Nikçi. Ka bërë me dije se xhirimet për “Andrra amerikane” janë ndërprerë aktualisht për shkak të motit të ftohtë, porse realizimi po shkon mbarë. Thirrjes për përkrahje të projektit i janë përgjigjur shumë mbështetës nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në janarin e kaluar qe bërë publik lajmi se po xhirohet një projekt i madh me titull “Andrra amerikane”. Në janar të këtij viti, përsëritjet e njoftimeve për përkrahje të realizimit të serialit kanë qenë pothuajse të përditshme. “Shpenzimet janë marramendëse”, ka bërë me dije producentja, bashkëregjisorja e aktorja e projektit, Vlora Nikçi.
Ka bërë me dije se xhirimet janë ndërprerë aktualisht për shkak të motit të ftohtë, porse realizimi po shkon mbarë. Thirrjes për përkrahje të projektit i janë përgjigjur shumë mbështetës nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Seriali po xhirohet, por për shkak të të ftohtit të madh janë ndërprerë xhirimet. Po shkon shumë mirë, por shpenzimet janë marramendëse sepse po xhirohet në Amerikë, licencat për të xhiruar janë marramendëse, por gradualisht jemi duke i mbuluar”, ka bërë me dije Nikçi në një bisedë për KOHËN.
Ka thënë se është shumë e vështirë të depërtosh në një vend si New Yorku ku janë shesh-xhirimet e serialit “Andrra amerikane”.
“Është shumë e vështirë të depërtosh sepse vendi është i madh dhe mundësitë janë të mëdha, por ka edhe shumë artistë të mirë. Është problem të vij në pah dikush më shumë se tjetri. Por i miri gjithmonë ka hapësirë, ndoshta në fillim ka më shumë përpjekje. Ne kemi pasur fatin që jemi takuar me njerëz të cilët janë profesionistë, emra të njohur”, është shprehur ajo.
Muajin që shkoi, komuniteti shqiptar në New York qe bërë bashkë për të mbledhur fonde për “Andrrën amerikane”.
“E kemi pasur një përkrahje të madhe nga komuniteti shqiptar. E hapëm llogarinë për mbledhjen e fondeve për ta njoftuar komunitetin shqiptar në Amerikë, e i cili është shumë i fuqishëm në Amerikë, se çfarë po ndodh. Na kanë përkrahur shumë me gjithë forcat e tyre sepse ne këtu jemi mësuar të bëhemi bashkë për çështje kombëtare, patriotike. Ishte hera e parë që u mblodhëm për fondacion kulturor dhe çuditërisht përkrahja ishte shumë e madhe sepse shqiptarët në fund të fundit e duan artin”, ka bërë me dije Nikçi.
Sipas thirrjes për mbledhje fondesh, bazuar në shumën që dhurohet për realizimin e serialit, ishin pako me lloj benefitesh që kategorizoheshin në “Supporter of the dream”, “Friend of the dream”, “Partner of the dream” dhe “Producer’s Circle”.
E Nikçi është shprehur se janë të hapur për të bashkëpunuar me biznese e me televizone.
“Seriali po zhvillohet çdo ditë e më shumë, po takojmë njerëz dhe rrugët po hapen çdo ditë, nuk do të thotë që jemi të kënaqur sepse seriali po zhvillohet çdo ditë e më shumë, temat po zgjerohen, jemi rrugës së drejtë. Televizionet nga Kosova e Shqipëria na kanë kontaktuar për bashkëpunim, por meqë jemi në proces pune duke xhiruar ende nuk ia kemi dhënë asnjë televizioni sepse po synojmë t’i bëjmë dhjetë episodesh dhe pastaj të bashkëpunojmë. Jemi të hapur për bashkëpunim qoftë me televizione, qoftë me biznese”, ka thënë ajo.
Nën regji të Armend Balokut e Vlora Nikçit dhe me skenar të Mike Bencivenga – emër i shquar në kinematografinë botërore – si dhe Vlora Nikçit e Visare Aliut, projekti përballë personazhet me sfidat e ruajtjes së traditave në kohë moderne. Aty pasqyrohet kultura shqiptare dhe jetesa e diasporës atje.
Drejtor i fotografisë është fituesi i dy çmimeve “Emmy”, Adriatik Berdaku. Kameraman është amerikani Dave Burdette ndërsa zërimi nga Luigi Porto nga New Yorku.
Protagonistë në serial janë personazhe të shquar në skenën artistike botërore që kanë ateruar nëpër kryeqendra botërore duke e prezantuar edhe vendin. Mysafire e veçantë në serial është sopranoja e skenave botërore, Ermonela Jaho.
“Ideja e serialit është që në çdo episod duhet të jetë një fytyrë publike e njohur ndërkombëtarisht që ka lidhje me ne, siç është Ermonela Jaho, e të tjera që do të jenë befasi”, ka thënë bashkëregjisorja e producentja e serialit “Andrra amerikane”, Vlora Nikçi.
Siç bëhet e ditur për serialin “Andrra amerikane”, aty ndërthuret dashuria, sakrificat dhe ndjekja e ëndrrave. Kjo e fundit është njëra prej themeleve të serialit.
Nikçi ka thënë se diaspora është shtylla qendrore e temës së serialit.
“Temë kryesore është diaspora dhe të gjitha përpjekjet e tyre për ta arritur suksesin, prandaj edhe quhet ‘American Dream’ (Andrra Amerikane), sepse ëndrra amerikane është e madhe dhe njihet kjo fjali prej emigrantëve nga e gjithë bota në Amerikë”, ka thënë ajo duke zbërthyer më tej tematikën e serialit.
“Janë përpjekjet e shqiptarëve e të cilat janë të veçanta sepse secili që është larguar nga vendi ka pasur arsye qoftë politike ose lufta. Janë tematika shumë të veçanta të cilat do të rrahën në serialin tonë. Lidhen më pas me vendlindjen ku edhe xhirohet duke ndjekur personazhet e serialit. Krijohet tamam narrativa e personazhit ku përfshihen problemet tona se si ka qenë ky person si fëmijë dhe ku ka arritur sot. Luhen nga aktorë profesionistë”, ka vazhduar Nikçi.
Projekti synon audiencë sa më të gjerë në mënyrë që mesazhet, midis të tjerësh edhe ruajtja e traditës e identitetit shqiptar, të jenë sa më të thelluara tek diaspora dhe jo vetëm.
Afrim Gjonbalaj, Armend Baloku, Enxhi Cuku, Adel Lami, Liri Nikqi, Diar Xani, John Gjocaj dhe Edita Nishliu janë disa prej atyre që përbëjnë kastin e serialit.