Kulturë

“Albumi familjar” me rrëfimin e luftës edhe në Budapest

Muzeu i artit bashkëkohor “Ludwig Museum” në Budapest, prej 18 shkurtit do ta shpalosë rrëfimin artistik për luftën e fundit në Kosovë. Përgatitjet tashmë kanë filluar, shkruan sot Koha Ditore.

E gjithë historia e refugjatëve do të përthekohet me ekspozimin e veprës “Albumi familjar” të artistit Alban Muja. Është vepra e cila vitin e kaluar përfaqësoi Kosovën në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia.

“Family Album” nga qyteti italian me elemente të njëjta, por me koncept tjetër kuratorial, do të shfaqet në kryeqytetin e Hungarisë. Projekti, sipas artistit Muja, ishte menduar që në fillim që të krijohej i tillë që të shëtiste nëpër vende të ndryshme, duke vënë vrojtuesit përballë një realiteti që ka ndodhur në Kosovë, por që rezonon mjaft mirë me situatat e refugjatëve kudo në botë. Pas ekspozitës njëmujore, “Albumi familjar” do të bëhet pjesë e koleksionit të Muzeut.

Tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim personal i artistit Muja përthekojnë veprën “Family Album”. Në formën e videoinstalacioneve Muja zbërthen prapaskenat e tri imazheve më të fuqishme që u bënë sinonim i dhimbjes së refugjatëve në luftën e viteve 1998-1999. Pikënisje e artistit është një fotografi e tij si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll, Jose Maria Aznar.

Ato bashkohen edhe me imazhet e realizuara para dy dekadash të nënës Sherife Luta me vajzën e saj në krah, Besën, atëherë foshnje, e babait të përlotur Xajë Mustafa, që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, Besimit dhe Jehonës, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe fotografia e djaloshit mes telave gjemborë, Agim Shala, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën. Personazhet e këtyre fotografive sot janë të gjithë të rritur dhe Muja i rikthen edhe një herë në vëmendjen e opinionit publik nëpërmjet videove. Besa, Besimi e Jehona dhe Agimi tregojnë çfarë ata dinë për fotografitë dhe luftën.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)