Prishtinë, 24 shtator – Ka vite që bota është në alarm për rrezikun nga ndotja e ambientit. Edhe arti ka marrë pozicioni e vet, e duarkryq nuk kanë qëndruar as organizata e pjesëtarë të komunitetit kulturor në Kosovë. Këtë e kanë bërë nëpërmjet ekranit të madh, me dy dokumentarë që në esencë kanë thirrjen për t’ia kthyer vëmendjen natyrës.
Për shtatë ditë në shtatë qytete të Kosovës kanë udhëtuar dokumentarët britanikë “Climate Change - The Facts” dhe “Trashed”. Për ta fuqizuar edhe më kampanjën u dha edhe një tjetër shembull: u shfaqën pa harxhuar asnjë kilovat nga sistemi energjetik i Kosovës falë kinemasë solare të “DokuFestit”. Kinemaja njëlloj sikurse dokumentarët përfunduan rrugëtimin mbrëmjen e së dielës, ani pse “udhëtimi” i kinemasë nuk përfundon me kaq.
Përderisa shikuesit në kryeqytet ishin rehatuar në ulëset e “Kino Armatës”, ata në qytetin e Kamenicës në të njëjtën kohë, në ora 20:00, dokumentarin e vitit 2012 “Trashed” të regjisores britanike Candida Brady, e kanë parë në ambient të hapur, ku është ndalur kinemaja solare. Prej 16 shtatorit, kjo kinema – e promovuar sefte në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit” në gusht – u nis nga kryeqyteti, për të vazhduar edhe në Gjakovë, Mitrovicë, Prizren, Pejë dhe Graçanicë.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")