Ritmet amerikano-latine, kujtesa, rrëfimet personale u përzien në një univers tingujsh që pulsonte midis së kaluarës dhe së tashmes. Në qendër qe violonçelistja kubane, Ana Carla Maza, si kryefjalë e mbrëmjes që vallëzonte me violonçel. Një zë që i jepte frymë instrumentit dhe një shpirt që shpërthente në çdo notë
Për afro dy orë, në periferi të Prishtinës një hapësirë u bë sallë koncertale. E vetë koncerti një hartë emocionesh. Ritmet amerikano-latine, kujtesa, rrëfimet personale u përzien në një univers tingujsh që pulsonte midis së kaluarës dhe së tashmes. Në qendër qe violonçelistja kubane Ana Carla Maza si kryefjalë e mbrëmjes që vallëzonte me violonçel. Një zë që i jepte frymë instrumentit dhe një shpirt që shpërthente në çdo notë.
Në vendin ku improvizimet janë bërë të përditshme dhe puna në prapaskenë është e madhe për ta bërë një skenë të ngjajë si e tillë, një tjetër yll botëror përherë në ngritje ka ardhur në Prishtinë. Në ngjarje të tilla, edhe publiku vërehet se nuk është mësuar. Koncerti qe madhështor, ndërsa violonçelistja, kantautorja e producentja nga Kuba e ridëshmoi pasionin e saj për muzikë. Edhe më fort në koncertin e dytë në Kosovë, pas atij në Pejë në vitin 2022.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHyrja ishte e lehtë, intime. Tingujt e pianos hapën portën e një bote të brendshme, ndërsa goditjet e baterive numëronin sekondat si një zemër që pret të shpërthejë. Dhe pastaj, ajo erdhi – elegante dhe e gatshme të shpërthente në çdo çast. Violonçeli i saj nuk qe vetëm instrument. Ai ishte trup i dytë, një bashkëbisedues që herë qante e herë këndonte. Ngase poseduesja ishte e thyer, por gjente forcën duke u shprehur me tinguj. Dhe këtë e bënte edhe më mirë kur fliste vetëm me violonçel.
Emocionet e thella publiku i ka përjetuar me rastin e përfshirjes së Prishtinës në turneun botëror të Ana Carla Maza me bendin “Alamar Tour”. Albumi i saj i fundit, “Alamar” erdhi si rrëfim i thellë dhe personal.
I publikuar më 27 mars, këngët e tij nuk janë thjesht koleksion këngësh, por një univers i ndërtuar mbi kujtesën, dashurinë dhe kulturën. Albumi përfshin këngë në spanjisht, frëngjisht e portugalisht. Kësisoj “Alamar” ka ngjarë në një hartë të identitetit të saj. Ka qenë dialog midis rrënjëve kubane dhe përvojave ndërkombëtare, deklaratë e lirisë artistike dhe ndjeshmërisë emocionale.
Vetë artistja e ka shpjeguar këtë udhëtim.
“Koncerti ishte i mrekullueshëm, publiku ishte shumë i mirë dhe shumë energjik. Ne po udhëtojmë me albumin tim ‘Alamar’ që është shumë personal por në të njëjtën kohë shumë shpërthyes. Ka shumë emocione, tekstura, ngjyra si bachata, salsa. Dhe aty është një violonçel me të cilin sillet një muzikë e re, jo vetëm ajo klasike. Desha të reprezentoj Kubën dhe të sjell spektakël e energji të re për të gjithë ju”, ka thënë ajo për KOHËN.
Ajo është bërë zë i veçantë në skenën ndërkombëtare. Një i tillë që nuk u bindet kufijve. Në program ka pasur vepra të përbashkëta midis dy koncerteve të saj në Kosovë. Por për të, e përbashkëta më e madhe është pasioni i saj për violonçelin.
“I përbashkët është gjithmonë pasioni im për violonçelin. Por tani jam një grua më e lirë. Jam producente, kompozitore, jam duke çuar muzikën time kudo në botë. Kam qenë në më shumë se 45 vende të botës. Kam jetuar shumë momente kritike, zemra ime ishte e thyer dhe tani po filloj të bie prapë në dashuri me muzikën time”, është shprehur ajo më tej.

Me këngët “Habanera”, “Me lleva a t”, “Alabar”, “Corazoncito mio”, “Je t’ai aimé”, “Cha cha cha”, “Les jours passent”, “Me despido de ti” e “Ma chérie”, midis tjerash, ritmet e mbrëmjes lëviznin midis melankolisë dhe gëzimit.
Në një cep të sallës, njerëzit nisën të kërcejnë dy e nga dy, duke dëshmuar se kultura latine nuk është aspak e largët në Kosovën e vogël. Ishte një bashkëjetesë spontane e trupave dhe tingujve, një kor i gjallë që i përgjigjej çdo thirrjeje nga skena.
Në skenë, ajo ndërtonte ura midis klasikes dhe xhazit, mes disiplinës dhe lirisë. Një nga momentet më të ndjera ishte homazhi për kompozitorin e shquar argjentinas, Astor Piazzolla.
“Këtë muzikë e kompozova si diçka shumë të veçantë për mua sepse është homazh nga kompozitori argjentinas, Astor Piazzolla”, ka thënë ajo në skenë. Vetë vepra emërtohet sipas kompozitorit Piazzolla dhe ishte luajtur edhe në Pejë.
Ndryshe nga hera e kaluar, tash violonçelistja u shoqërua me bend. Jay Kalo në bateri, Mily Pérez në tastierë dhe Luis Guerra me perkusione e kanë shoqëruar atë për të përforcuar ritmet autentike latine.
Bateria, pianoja dhe violonçeli krijonin një treshe të përkryer, një strukturë që i jepte ngjyrë çdo nuance emocionale. Ndërveprimi me publikun e ktheu sallën në hapësirë korale.
Në rrëfimet e saj, muzika bëhet autobiografi.
“Alamar është rajon në Kubë. Aty kam lindur, por babai im është nga Kili. Shumë vite me pas ai shkoi në Kili ku ra në dashuri me një grua. Me nënën time”, ka treguar Maza.
Gjatë koncertit ka qenë shumë interaktive me publikun.
“Mbani mend këtë melodi në violonçel” ka thënë ajo. Dhe pastaj, rrëfimi i saj flet për thyerjen e saj. Se si dhimbjen e ka përqafuar dhe brenda saj ajo bashkëjeton me lumturinë nëpërmjet muzikës.
“Nganjëherë jemi të lënduar për shkak të dashurisë, por edhe në momentet më të pikëlluara të jetës duhet të përqafojmë momentet e vështira sepse është pjesë e jona. Zemra ime ishte komplet e shkatërruar, por e pranova, e përqafova dhimbjen e dashurisë, sepse e vetmja mënyrë për të jetuar këtë jetë është gjithmonë me dashuri”, është shprehur ajo në skenë.
Biografia e saj është një rrugëtim po aq i pasur sa muzika që krijon. E lindur në Kubë, në një familje muzikantësh ajo u formua në traditën klasike, duke studiuar në Konservatorin e Parisit.
“Në vitin 2012 shkova në Paris në Konservatorin superior të Muzikës për violonçel klasik. Merrja pjesë në gara ndërkohë që praktikoja tetë orë në ditë me instrument. E mbaj mend kur përfundova studimet. I thashë vetës se në Kubë, në Spanjë, në Francë, nuk ka aq kompozime nga gratë, prandaj tash do ta kenë”, është shprehur ajo.
Këngë si “Bahia” dhe “Caribe” kanë sjellë diellin e Karaibeve në Prishtinë. E para i kushtohet lagjes së Havanës në të cilën jetonte.
Në një tjetër moment ajo ngriti zërin për vendin e saj.
“Kuba ka njerëz që meritojnë perspektivë, dashuri. Bëjmë thirrje për gjithë komunitetin ndërkombëtar të mos heshtin, por të ndihmojnë popullin e Kubës”, ka thirrur ajo.
Gjendja politike e ekonomike në Kubë u lëkund qëkur u arrestua udhëheqësi komunist i Venezuelës, Nicolás Maduro. SHBA-ja me përpjekjen për të rrëzuar regjimin komunist edhe në Kubë, ka vendosur sanksione të rrepta ndaj vendit duke bërë që situata të përkeqësohet.
Për aktoren Rebeka Qena, mbrëmja ishte më shumë se koncert.
“Fantazi ishte, atmosferë shumë e mirë, njerëzit filluan të vallëzojnë. Definitivisht ia vlen, i përgëzoj organizatorët që po sjellin muzikantë të tillë dhe po na gjallërojnë, sidomos në këtë periudhë kur e ka kapur Prishtinën njëfarë depresioni i madh. Ishte një mbrëmje shumë e bukur, ma ndreqi disponimin. Duket se të gjithë janë në një frymë e ndjesi të njëjtë”, është shprehur ajo.
Sipas saj, në koncertin e së shtunës mbrëma në një sallë private, ka qenë dëshmi se kultura latine nuk është e largët në Kosovë.
“Më duket se e kemi njëfarë shpirti të ngjashëm. Ajo e përmendi gjyshen e saj dhe se sa e rëndësishme është ajo. Janë disa elemente që janë shumë të ngjashme, ritmi dhe sidomos disa shkolla të vallëzimit që janë këtu, po duket se ka arsye pse ekzistojmë sepse neve veç na jep tri ritme dhe ne menjëherë kërcejmë, ashtu jemi”, është shprehur Qena.
Koncerti është organizuar nga “Sosé Entertainment” që menaxhohet nga Jehona Sopi dhe Dardan Selimaj. Selimaj ka thënë se e vlerëson Ana Carla Mazan për sfondin e saj klasik.
“Shumica e muzikantëve që i dëgjoj dhe i përcjell kanë një sfond klasik. E tillë është edhe Ana Carla Maza e cila në një moment të karrierës së saj ka vendosur të eksplorojë ritmet kubane, latine, prej nga e ka origjinën. E vlerësoj fillimisht si violonçeliste, pastaj si muzikante, kompozitore, këngëtare dhe kjo është arsyeja pse e kam menduar rikthimin e saj në Prishtinë, pas Pejës”, ka thënë Selimaj.
Si kurues i programit të festivalit “Peja Jazz”, e kishte sjellë violonçelisten kubane në Pejë në vitin 2022. Në skenën modeste të kinemasë “Jusuf Gërvalla”, koncerti i saj pati qenë madhështor. Interpretim goxha temperament e dinamik pati qenë performanca e artistes kubane e cila mësimet për violonçel i kishte filluar kur ishte 8 vjeçe.
“Ana Carla Mazën në Kosovë e pata sjellë për herë të parë si kurator i ‘Peja Jazz’ në 2022-n. Atë kohë ka qenë në solo show dhe gjithmonë kam dashur ta sjell me bendin e saj. Tani që ajo është në turin botëror dhe sot popullariteti i saj është shumë më i madh kemi menduar se do ishte mirë ta përfshinte aty edhe Kosovën”, ka thënë Selimaj.
Maza ka luajtur në festivale jazzi e koncerte gjithandej në Evropë. Në verën e 2022-s ishte edhe në Shqipëri. Gazeta prestigjioze “The Guardian” albumin e saj të kaluar “Bahia”, ndër të tjera do ta cilësonte si homazh për muzikën e vendlindjes së saj Havanës.
Këngëtarja dhe violonçelistja kubane u lind në Havanë dhe filloi studimet e saj për violonçel në moshën 8-vjeçare. Dy vjet më vonë ajo bëri debutimin e saj në Festivalin e Jazzit në Havanë e ftuar nga babai i saj, pianisti dhe kompozitori kilian Carlos Maza, një përvojë që do të materializohej më vonë në albumin “Carlos Maza en Familia” (2009), kur Maza ishte 13 vjeçe.
Një vit më pas ata publikuan “Quererte” dhe bënë turneun e tyre të parë koncertor nëpër teatro të ndryshëm në Spanjë me Orkestrën Simfonike Mesdhetare Evropiane. Së bashku ajo ka marrë pjesë në pesë albume dhe më vonë ka bërë tre incizime solo: “Concerto Solo Acoustic” (2016), “EP Alma” (2018) dhe “La Flor” (2020).
Muzika e saj varion nga klasikja në jazz latin. Turi i saj pranveror “Alamar” do ta çojë atë në shumë qytete botërore.
Për një çast, violonçeli i saj mori frymë klasike, duke u kthyer në një rrëfim romantik tejet prekës. Albumi përfshin këngë të gjendjeve të ndryshme emocionale. Shpjegohet të jetë udhëtim koherent artistik “i formuar nga rrënjët, largimi, shërimi dhe gëzimi”, siç përshkruhet.
Përkthimi i koncertit përmblidhet në një violonçel që qan e qesh, një zë që shëron dhe një artiste që krijon muzikë nga rrëfimet jetësore.