Prishtinë, 20 nëntor – Motive kombëtare, veshje tradicionale, figura të njohura historike, peizazhe, portrete dhe autoportrete janë bërë bashkë në edicionin e dytë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit. Ecja midis mureve të mbuluara me 380 piktura për vizitorët është edhe një shëtitje nëpër vende të ndryshme të botës, kultura të ndryshme, por edhe eksplorim i teknikave të llojllojshme të akuarelit. Organizatorët kanë thënë se kjo bienale, e cila u hap të hënën mbrëma në Muzeun Kombëtar të Kosovës, po arrin që të ketë rol edhe diplomatik.
Besnik Xhemaili, organizator i kësaj bienaleje, ku u prezantua arti i artistëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura, ka thënë se kjo ngjarje është pozitive edhe në aspektin politik. Sipas tij, arti po i thyen barrierat që ekzistojnë në mes të shteteve duke i bërë së bashku në një hapësirë pikturat e artistëve të tyre, shkruan sot Koha Ditore.
“Sot kemi të ekspozuara rreth 380 piktura të akuarelit, pra po aq artistë nga 70 vende të ndryshme të botës. Këtë vit kemi pjesëmarrës më shumë krahasuar me edicionin e parë, ku kemi pasur rreth 250 punime. Përveçqë është një bienale e akuarelit, mund të them së është edhe pak a shumë si diplomaci kulturore pasi që marrin pjesë shumë shtete, të cilat edhe nuk na kanë njohur akoma, siç janë: Kina, Rusia, Serbia, Indonezia, India, Spanja e të tjera”, ka thënë ai.
Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit është organizuar nga dega në Kosovë e “International Watercolor Society” me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Edicioni i parë ishte mbajtur në vitin 2017 prej 19 korrikut deri më 24 korrik në Galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)